E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmohet biznesi: Rritja e dritave na dëmton rëndë

Bizneset në vend nuk e pranojnë rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 13%. Edhe pse ERE miratoi një nivel më të ulët nga sa kërkoi OSSH, sërish për subjektet private mbetet shqetësim tarifa e lartë e dritave. Energjia elektrike zë peshë të rëndësishme në koston finale të produktit, për pasojë, ndryshimi i saj sjell efekte zinxhir në ekonominë e vendit. Të parët që reaguan dje ishin biznesi industrialist, të cilët preken nga shtrenjtimi i energjisë. Të shqetësuar janë dukur edhe prodhuesit e veshjeve, por edhe ndërtuesit, sidomos prodhuesit e lëndës së parë.
Sipas Konfindustrias, pasoja e parë e ndjeshme e rritjes së çmimit të energjisë do të jetë ndikimi i drejtpërdrejtë në uljen e konkurrueshmërisë së prodhimeve dhe shërbimeve shqiptare në krahasim me vendet e rajonit e më tej. "Energjia elektrike është njësi bazë e krijimit të kostos së të gjitha prodhimeve dhe shërbimeve, që varësisht industrive të vendit ndryshon nga 5-25% të kostos së përgjithshme", thotë Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrias. Biznesi e vlerëson të palogjikshëm vendimin e ERE-s, në kushtet kur çmimi i energjisë elektrike është në ulje në tregjet ndërkombëtare, por edhe rritjes së prodhimit energjetik vendas gjatë vitit të fundit.
Padyshim që ulja e konkurrueshmërisë do të sillte pashmangshmërisht rritjen e falimentimeve për industritë e vendit me gjithë pasojat e padëshirueshme shoqëruese. Rrezikun më të madh e ndjen grupi i bizneseve fason, të cilët e ushtrojnë aktivitetin mbi bazën e porosive që vjen nga Perëndimi. Shoqata e Prodhuesve të Veshjeve deklaron me shqetësim se, rritja e dritave do t‘i bëjë bizneset fasone shqiptare më pak konkurruese se me kompanitë e rajonit, për pasojë shkakton efekte të mëdha negative në sektor. "Energjia elektrike zë mbi 25% të kostos totale në prodhimin e një produkti. Rritja e çmimit shkakton lëvizje të kostos totale, prish planin e biznesit, duke sjellë jo vetëm rënie fitimesh, por deri në falimentim për sektorin që mban me bukë rreth 110 mijë familje", thekson Bardh Sejdarasi, përfaqësuesi i biznesit tekstil.
Te ndërtuesit pasojat e rritjes së energjisë do të ndihen te çmimet e apartamenteve. "Të parët që preken janë bizneset prodhuese të lëndës së parë në ndërtim, si betoni, tulla apo hekuri. Shtrenjtimi i këtyre lëndëve rrit çmimin e banesave, ul shitjet dhe na përfshin në një situatë të vështirë", thotë Ilir Hebovija, nënkryetar i Shoqatës së Ndërtuesve. Sipas tij, janë rreth 120 ndërmarrje të prodhimit të lëndës së parë në ndërtim, ku pjesa kryesore ka si kosto bazë energjinë elektrike.

A.Kola

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›