E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillojnë përgatitjet për evakuimin e kosovarëve nga Jemeni

Nga Express më 20 mars 2011 në ora 17:43

Shtabi i Krizave në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme, me ndihmën e ambasadës së Kosovës në Turqi, ka identifikuar dhjetëra shtetas kosovarë që studiojnë dhe punojnë në Jemen, ku gjendja e sigurisë mbetet e brishtë dhe e paparashikueshme, pas shpërthimit të demonstratave.

Sipas shënimeve që posedon Ministria e Punëve të Jashtme, në Jemen studiojnë 16 shtetas të Republikës së Kosovës, derisa 7 të tjerë punojnë në fusha të ndryshme të mjekësisë. Në mesin e 37 shtetasve të Republikës së Kosovës në Jemen, ka edhe familje që jetojnë dhe punojnë në qytete të ndryshme të këtij shteti.

Shtabi i Krizave tash për tash është në kontakt të vazhdueshëm me këta shtetas, derisa Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës bashkë me Ambasadën e Kosovës në Turqi po bëjnë përgatitje intensive, në mënyrë që bashkë me shtetas të vendeve mike të evakuohen edhe shtetasit kosovarë.

MPJ njofton të gjithë shtetasit të cilët kanë të afërmit e tyre në Jemen të kontaktojnë Shtabin e Krizave të Ministrisë së Punëve të Jashtme në numrat: +381 38 200 11034; +377 44 414 377; +377 44 355292 ose në adresën elektronike: konsullore.mpj@ks-gov.net.

Po ashtu, shtetasit të cilët kanë të afërmit e tyre në Jemen, mund të kontaktojnë edhe Ambasadën e Republikës së Kosovës në Turqi në numrat tanë të telefonit: 0090312 446 70 54; 0090 507 754 56 70.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›