Pacolli: Ndërhyrja ushtarake në Libi, akt humanitar

(E plotësuar) Presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, përkrah intervenimin ushtarak të disa vendeve anëtare të NATO-s kundër ushtrisë së diktatorit Moamer Gadafi, e cila me javë të tëra ka terrorizuar popullin e vet.
“Sulmi i forcave të NATO-s kundër pozicioneve ushtarake të ushtrisë së Libisë është një akt humanitar, në mbrojtje të popullit të Libisë, kërkesat e të cilit për liri, demokraci dhe prosperitet kanë gjetur përgjigjen e dhunshme të ushtrisë së udhëhequr nga diktatori Gadafi. Këto sulme, gjithashtu, janë në dobi të paqes dhe të sigurisë në gjithë rajonin e Mesdheut dhe më gjerë”, thuhet në një komunikatë për media.
Presidenti Pacolli ndër të tjera shfaq shpresën se këto sulme do ta detyrojnë liderin libian të ndalë sulmet ndaj popullit të tij dhe të largohet nga pushteti, duke i mundësuar popullit libian që të zgjedhë në mënyrë të lirë udhëheqjen e vet.
Kryeministri Thaçi mbështet intervenimin ajror kundër forcave të Gadafit
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, mbështet sulmin e forcave ajrore të shteteve të Perëndimit mbi caqet ushtarake të forcave të diktatorit Moamer Gadaf, duke i konsideruar si intervenime me karakter human, paqësor, në mbrojtje të popullsisë civile që kërkon largimin e tij, lirinë dhe demokracinë e shoqërisë së Libisë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës mbështet intervenimin ushtarak të forcave ajrore të disa nga shtetet e NATO-s mbi caqet ushtarake te diktatorit Gadaf në Libi, dhe këto sulme i konsideron si akte në dobi të paqes dhe sigurisë në rajonin e Mesdheut e më gjerë. Intervenimi mbi pozicionet e diktatorit Gadaf është akt human në mbrojtje të popullatës civile libiane, e cila kërkon largimin e diktatorit, liri, demokraci dhe prosperitet për popullin e Libisë”, thuhet në një deklaratë për media.
Qeveria e Kosovës solidarizohet me shtetet që mbështetin intervenimin ajror në Libi, përgëzon Këshillin e Sigurimit për dhënien e së drejtës për intervenim dhe konsideron se ky veprim është i drejtë, legjitim dhe i domosdoshëm.
“Kosova e ka të provuar rëndësinë e intervenimeve të natyrës së tillë në vitin 1999, kur Aleanca Veri-atlantike me sukses udhëhoqi fushatën e bombardimeve kundër caqeve serbe, duke u përmbyllur me sukses çlirimi i Kosovës, por edhe rënia e diktatorit serb, Milosheviq”, thuhet më tej në deklaratë.
Qeveria e Kosovës mbështet përpjekjet e popullit libian që të fitojë lirinë dhe të demokratizohet, duke u bërë vend i rëndësishëm i botës arabe dhe shembull i vlerave të demokracisë.
Qeveria shqiptare pro sulmit kundër Gadafit
Kryeministri Sali Berisha, përshëndet vendimin e ndërkombëtarëve për fillimin e operacioneve ushtarake ajrore në mbrojtje të civilëve libianë ndaj sulmeve të regjimit të Gedafit.
“Rezoluta 1973 e Këshillit të Sigurimit dhe kërkesa e Lidhjes Arabe e bën këtë operacion në mbrojtje të jetës së qytetarëve plotësisht legal”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.
“Ne shqiptarët, në 20 vjetorin e shembjes së Benalive dhe Gedafëve të Shqipërisë që sunduan këtë vend me dhunë dhe terror për pothuaj gjysmë shekulli, mirëkuptojnë më shumë se të tjerët, aspiratat e kombit arab për liri dhe dinjitet dhe vlerësojnë lart çdo ndihmë ndërkombëtare ndaj tij. Shqipëria mbetet e gatshme t’i ofroj lehtësitë e nevojshme koalicionit ndërkombëtar në misionin e tij shumë të rëndësishëm për lirinë, paqen, stabilitetin në Mesdhe”, përfundon njoftimi zyrtar i Këshillit të Ministrave.