Hoxhaj: Christopher bashkoi botën kundër padrejtësive
Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka ngushëlluar Sekretaren e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, pas vdekjes së diplomatit dhe ish Sekretarit të Shtetit, Warren Christopher.
Në telegramin e ngushëllimit, ministri Hoxhaj ka vlerësuar lartë figurën e diplomatit Christopher në përpjekjet e tij për të siguruar paqen, sidomos në territorin e ish -Jugosllavisë.
"Sekretari Christopher bashkoi botën kundër padrejtësive, ishte diplomati më këmbëngulës që njohu bota për të siguruar paqen", thuhet në telegramin e ngushëllimit dërguar popullit amerikan dhe Sektretares së Shtetit, Hillary Clinton.
Hoxhaj në këtë telegram shtoi se vdekja e veteranit të diplomacisë amerikane është një humbje e madhe për Amerikën dhe të gjithë popujt liridashës.
"Angazhimi i tij për të siguruar paqen në Ballkan do të mbetet i pashlyer nga kujtesa jonë", thuhen në telegram.