E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon Festivali i Rrushit në Rahovec

Nga Express më 07 shtator 2011 në ora 18:13

Prodhues të shumtë të verës, rrushit, si dhe prodhimeve tjera tradicionale të mërkurën kanë “zbarkuar” në qytetin e Rahovecit për të prezantuar prodhimet e tyre. Në këtë eveniment tradicional treditor janë paraparë të organizohen aktivitete të ndryshme që kanë të bëjnë me kultivimin e hardhisë së rrushit, me përgatitjen e verës, ndërsa në ditën e parë është bërë edhe zyrtarisht vjelja e rrushit.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, me këtë rast ka thënë se kriza ekonomike në vend ka dëmtuar rëndë interesat e bujqve dhe vreshtarëve të Rahovecit ngase tregjet janë vështirë të qasshme.

“Kjo krizë ka dëmtuar rëndë interesat e bujqve e vreshtarëve të Rahovecit, ngase tregjet janë vështirë të qasshme, ndërsa standardet e disa vendeve fqinje kanë bërë që ne të kemi më pak mundësi konkurruese, mirëpo falë angazhimit dhe përkushtimit të pashoq të vreshtarëve, verëtarëve e bujqve tanë të vyeshëm prodhimet tona cilësore po arrijnë të depërtojnë në tregjet e jashtme”, ka thënë Latifi.

Pavarësisht se tregjet janë vështirë të qasshme, zëvendësministri i Bujqësisë, Pylltarisë, Zhvillimit Rural (MBPZHR), Avdullah Isufi ka premtuar se kjo ministri do të vazhdojë të stimulojë bujqit në punën e tyre.

“Një pjesë të konsiderueshme të buxhetit tonë e kemi orientuar në këtë sektor për të përmirësuar cilësinë e prodhimtarisë, duke investuar në infrastrukturën mbështetëse në ngritjen e sipërfaqeve të reja të rrushit të tryezës për të cilin këtë vit ka pasur kërkesë më të madhe”, u shpreh ai.

Për verëtarin Gazmend Daka përpunimi i rrushit është i vetmi përfitim me të cilin ai e mban familjen dhe sipas tij Rahoveci i ka kushtet më të mira për ta kultivuar rrushin.

“Unë jam tepër i kënaqur me prodhimtarinë e verës dhe mendoj që Rahoveci ka kushte shumë të volitshme për një prodhim më cilësor, mirëpo duhet përpunim prej vreshtarisë dhe deri te vera. Ne kemi përfitime, normal asnjë kompani nuk punon pa përfitime, një familje jeton normal, nuk është ndonjë përfitim kushedi sa, mirëpo përfiton normal një familje”, u shpreh ai.

Delegacioni i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me kryetarin e komunës së Rahovecit, Smajl Latifaj morën edhe në vjeljen e parë të rrushit në një plantacion në këtë komunë, si dhe vizituan fabrikën për përpunimin e rrushit “Stone Castle”.

Festivali i rrushit, verës, ushqimit dhe kulturës në Rahovec mbështetet financiarisht nga MBPZHR-ja.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›