Fillon ndërtimi i segmentit final të rrugës
Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, përuroi dje fillimin e punimeve për ndërtimin e segmentit të fundit të rrugës së Zall Herrit. Ky investim financohet nga buxheti i shtetit me vlerë rreth 52 milionë lekë.
Punimet për ndërtimin e rrugës, me gjatësi 3,6 km, do të përfundojnë në verë të këtij viti. Ky segment do të ketë një gjerësi rreth 6 m si dhe 2 bankina nga 0,75 m secila. Projekti parashikon edhe punime në shtresat rrugore, plotësime me vepra arti, si dhe mbingritje muresh gabioni, kuneta, kanale etj.
Ministri Olldashi në fjalën e tij shprehu besimin se kontraktori do të tregojë të gjithë kujdesin e duhur për të kryer punimet në afat dhe cilësi. Ndërtimi i këtij segmenti do të zgjidhë problemet e komunitetit, si dhe do të lehtësojë dhe shpejtojë lëvizjen e automjeteve në këtë zonë. Firma e kontraktuar për realizimin e punimeve është "Albshpresa" sh.p.k. "Ne do të monitorojmë të gjithë procesin, qoftë me përfaqësuesit e komunës apo deputetët e zonës për të ndjekur në vijimësi ecurinë e punimeve" u shpreh ministri Olldashi. Në përurimin e këtyre punimeve ishin të pranishëm deputetët e zonës Leonard Demi dhe Jak Ndoka, kryetari i komunës Gani Allushi, si dhe përfaqësues të tjerë të Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve.