Vështirësohet provimi, futen pyetje me zhvillim
Konkursi i shkollës së lartë nuk do të jetë më një test njohurish ku konkurrentët përgjigjen me Po ose Jo. Gjysma e pyetjeve këtë vit do të jenë me zhvillim. Lajmin e bën të ditur Ministria e Arsimit, e cila deklaroi dje se "për këtë vit provimet me zgjedhje do të kenë pyetje me alternativa dhe me zhvillim". Testi përmban 40 pyetje në total, ku gjysma e tyre janë me alternativa dhe gjysma me zhvillim. E rëndësishme është se pikët më të shumta u janë lënë pyetjeve me zhvillim. Pra një kandidat shpallet fitues në sajë të këtyre përgjigjeve, pasi ato kanë në total 60 pikë nga 20 që kanë pyetjet me alternativa. Mbeten më pak se katër muaj në dispozicion për t‘u përgatitur për konkursin, pasi më 10 korrik zhvillohet në mbarë vendin provimi i dy lëndëve me zgjedhje. Drejtori i AVA-s, Edmond Lulja, u shpreh dje për "Shqip" se këtë vit synohet të shihet edhe aftësia e nxënësve për të argumentuar përgjigjet e pyetjeve. Ai deklaroi se provimi i lëndëve me zgjedhje zhvillohet në një ditë dhe zgjat plot 4 orë. Provimet e lëndëve të detyruara do të zgjasin dy orë e gjysmë. Testi i letërsisë do të ketë 25 pyetje dhe zhvillohet më datë 9 qershor. Edhe testi i matematikës përmban 25 pyetje dhe zhvillohet më 17 qershor. Këto teste kanë 30 për qind të pyetjeve me zhvillim dhe pjesën tjetër me alternativa. Secili test ka nga 50 pikë. Sipas Luljes, këtë vit ndryshon vetëm provimi i lëndëve me zgjedhje. Janë dy teste, nga një për secilën lëndë. Një test (një lëndë) përmban gjithsej 20 pyetje, ku 10 janë me alternativa që kërkojnë përgjigje me rrethim Po ose Jo. Ndërsa 10 janë pyetje me zhvillim, që kërkojnë përgjigje të gjatë të argumentuar. Pyetjet me alternativa do të vlerësohen me 10 pikë ose nga 1 pikë për secilën pyetje. Ato me zhvillim do të kenë në total një vlerësim prej 30 pikësh. Edhe pse provimi zhvillohet në një ditë të rinjtë testohen për dy lëndë. Rregullorja e maturës parashikon zgjidhje të njëpasnjëshme të kërkesave. Pasi përfundojnë njërin test nisin të zhvillojnë të dytin, që përmban të njëjtin numër pyetjesh si më lart. Pra edhe lënda e dytë me zgjedhje përmban 20 pyetje, prej të cilave 10 me zhvillim. Maturanti do të zgjidhë ushtrimet dhe të plotësojë testin e dy lëndëve për 4 orë, nga dy për secilën lëndë. Ata do të qëndrojnë pa lëvizur gjatë gjithë kohës në sallën e provimit. Lëndët me zgjedhje janë kusht për përzgjedhjen e maturantëve që do të vazhdojnë universitetin. Nga 9 lëndë të mundshme nxënësi zgjedh 2. Ato do të kenë në total 80 pikë, ku 60 prej tyre i merr nga pyetjet me zhvillim. Pra dy testet e dy lëndëve me zgjedhje përmbajnë 40 pyetje, gjysma e të cilave janë me alternativa dhe gjysma me zhvillim. Në pyetjet me zhvillim duhet të përqendrohen më shumë, pasi kanë sasinë më të madhe të pikëve. Ndërsa pyetjet me Po ose JO kanë vetëm nga një pikë kur janë të sakta dhe zero kur janë të gabuara. Në periudhën javore 2-7 qershor, të gjitha shkollat duhet të zhvillojnë konsultime me të gjithë nxënësit për dy provimet e detyruara. Për provimet me zgjedhje, konsultimet e grupuara sipas lëndëve me nxënësit, duhet të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara.
Dy lëndët me zgjedhje kanë:
40 pyetje gjithsej
20 pyetje me alternativa
20 pyetje me zhvillim
Pyetjet me alternativa vlerësohen me 20 pikë
Pyetjet me zhvillim vlerësohen me 60 pikë
Provimi zgjat plot 4 orë
Lëndët e detyruara kanë:
Matematika 25 pyetje
Letërsia 25 pyetje
Provimi zgjat 2 orë e gjysmë
Testi në total ka 50 pikë (secili)