Alonso dhe Hemilton, optimistë për sezonin e ri
"Nuk kemi ende një makinë që do të na lejonte të fitonim që në fillim, por mund të rritemi shumë". "E kam të qartë se si luhet kampionati: ndjehem i gatshëm për të fituar titullin e kampionit të botës". Këto janë deklaratat e Fernando Alonsos dhe Luis Hemilton, dy rivalët më të ashpër të sezonit të kaluar në Formula 1. Megjithatë, edicioni që do të startojë këtë fundjavë në Melburn të Australisë ka sjellë edhe shumë të reja. Në konferencën për shtyp të ditës së parë të provave, piloti spanjoll dhe ai britanik janë shfaqur optimistë dhe buzagaz... edhe ndërmjet tyre (pavarësisht sa e pabesueshme mund të duket).
"Nuk ka ndonjë ndryshim të madh në krahasim me dy vite më parë, tha Alonso, duke iu referuar rikthimit te Renaulti. Gjeta të njëjtët njerëz me të cilët kam punuar më parë. Përpara fillimit të sezonit ndihem mjaft në formë dhe mendoj se gjatë testeve punuam mirë. Në fillim të gjitha skuadrat kanë objektiva të njëjtë, megjithatë ne duhet të kuptojmë ku jemi. Përveçse me Ferrarin dhe MekLarenin, me skuadrat e tjera do të zhvillojmë një luftë të bukur. Gjithsesi, të shohim çfarë do të ndodhë në xhirot e kualifikimit". Rreth ndryshimeve më të reja në makina, ish-kampioni i botës nuk është dukur i shqetësuar. "Mendoja se do të kishim më shumë probleme. Për sa më përket mua, edhe me këto risi, nuk e kam ndryshuar stilin e ngjarjes së makinës". Më pas, spanjolli ka folur edhe për Hemilton: "Nuk e kam më shok skuadre, por një kundërshtar. Gjithsesi, çdo vit sjell ndryshime. Me Nelsinjo Piket (piloti i dytë i Renosë) mund të them se është e njëjta situatë si ajo që kisha vitin e kaluar te MekLareni, por me atë nuk kam asnjë lloj problemi".
Ndërsa Hemilton duket se i ka idetë e qarta. "A jam nervoz? Jo, ndihem shumë mirë. Kam më pak presion në krahasim me vitin e kaluar. Unë dhe skuadra kemi të njëjtën dëshirë për të fituar. Jam shumë i vendosur". Piloti britanik ka folur pa probleme edhe rreth largimit të Alonsos. "Kur nga skuadra ikën një pilot që është shpallur dy herë kampion bote, kjo përbën një sfidë të re, shpjegoi Hemilton. Me Kovalainen kam një marrëdhënie të kënaqshme dhe jam i bindur se do të punojmë mirë për veten tonë dhe për skuadrën. Të gjitha makinat janë përmirësuar: mund të them se nëse gabon në nisje, tashmë do të jetë më e vështirë për të rikuperuar".