Fillon në PS lëvizja “Rama ik”
Pas Edlira Haxhiymerit, tashmë janë eksponentët Ben Blushi e Arben Malaj që kërkojnë largimin e Edi Ramës nga drejtimi i PS-së, si përgjegjësi kryesor për humbjen e së majtës në zgjedhje. Malaj shkon edhe më larg dhe kandidohet për të drejtuar një projekt përbashkues të socialistëve, i cili do të mund ta drejtonte atë edhe gjatë katër viteve të opozitës
Pas dështimit në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare dhe humbjeve të njëpasnjëshme si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror, në Partinë Socialiste janë rigjallëruar zërat që kërkojnë një largim të mundshëm të Edi Ramës, nga posti i kryetarit të partisë. Kështu, anëtarë të kryesisë dhe njëherazi deputetë të kësaj force politike si Ben Blushi, Pandeli Majko, Arben Malaj dhe Sekretarja për Shoqërinë Civile dhe Shanset e Barabarta në PS, Edlira Haxhiymeri, i janë kundërvënë strategjisë elektorale të përdorur nga Edi Rama në zgjedhjet e 28 qershorit dhe kërkojnë nga ai shpjegime të hollësishme, pranimin e humbjes së zgjedhjeve dhe largimin nga drejtimi i partisë.
Ata e akuzojnë kryesocialistin se po fsheh disfatën, nëpërmjet daljeve mediatike, në përpjekje për të shmangur përgjegjësitë që mban nga humbja e zgjedhjeve dhe dështimin e turpshëm para qytetarëve dhe para socialistëve të thjeshtë, ku këta të fundit, po ndjekin me dyshime lëvizjet e Ramës, se si ai po fshihet pas hijes së vet. Ish kryetari i grupit parlamentar në PS dhe njëherazi anëtari i kryesisë së saj, Ben Blushi, është shprehur më herët se Edi Rama është shkaktari kryesor i humbjes së zgjedhjeve.
Sipas tij, Rama nuk mendoi për fitoren e PS, pasi në fushatë u paraqit pa program elektoral, me një filozofi të dështuar dhe se për këtë nuk mund të akuzohen komisionerët, siç po bën rëndom kryesocialisti.
Blushi u shpreh se Edi Rama duhet të pranojë humbjen dhe t’u shpjegojë socialistëve, se cila ishte arsyeja që nuk e solli në pushtet, partinë më të madhe opozitare në vend.
Ai shton se çdo përpjekje për ta nxjerrë opozitën jashtë parlamentit, siç ka paralajmëruar Edi Rama, do të ishte një vetëvrasje për PS-në. “I kam kërkuar Edi Ramës të pranojë humbjen dhe pres që kjo të kryhet me dinjitet, pasi tani nuk bëhet fjalë për karrierën e secilit prej nesh, por për fatin e opozitës, e cila duhet të konsiderohet si garant i lirisë në çdo vend demokratik. Prandaj opozita duhet të priret nga e vërteta dhe jo nga mohimi i saj për qëllime meskine”, u shpreh Blushi.
Në të njëjtën linjë është shprehur edhe kandidati për deputet i PS-së, Arben Malaj, i cili i bën thirrje Edi Ramës që të japë dorëheqjen, duke respektuar kështu edhe rotacionin, të cilën e ka kërkuar edhe vetë si kusht. Malaj u shpreh se humbja e PS në zgjedhje, erdhi për shkak të strategjive të gabuara të Edi Ramës dhe ndaj ai është përgjegjës për dështimin.
Ndërsa, Sekretarja për Shanset e Barabarta dhe Shoqërinë Civile në Partinë Socialiste Edlira Haxhiymeri vëren se humbja e politikës së re në zgjedhjet e 28 qershorit ka nevojë për një analizë të gjatë në struktura, pas shpalljes së rezultatit zyrtar. Megjithatë, sipas saj, gabimet në trajtimin e programit qeverisës dhe lënia e kandidatëve nën hijen e kryetarit Edi Rama ndikuan negativisht përkundrejt elektoratit.
L.Quku
Malaj: “Humbja e zgjedhjeve, faji i Ramës, do kandidoj për kreun e partisë”
TIRANE - Kandidati për deputet i PS-së Arben Malaj deklaroi mbrëmë gjatë një interviste në “Ora News”, se arsyet e humbjes së zgjedhjeve janë tek Edi Rama. Ai deklaroi se Rama duhet të respektojë rotacionin, të cilën e ka kërkuar edhe vetë si kusht. Malaj u shpreh se do të hyjë në garën për kreun e PS-së, duke e konsideruar këtë si detyrim, për ta çuar Partinë Socialiste drejt fitores.
Zoti Malaj, pavarësisht kontestimeve, pavarësisht përpjekjeve dhe deklaratave nga kreu i PS-së Edi Rama për kontestime, zgjedhjet në një farë mënyre kanë përfunduar dhe PS ka 66 deputetë, PD 70 deputetë dhe LSI 4 deputetë. Si e komentoni ju faktin që Edi Rama ka kërcënuar në mënyrë të vazhdueshme këto ditë se nuk do të njohë zgjedhjet?
Jemi në fazën që procesi zgjedhor nuk ka përfunduar ende, tashmë kolegji do t’i japë përgjigje, Partia Socialiste në tërësinë e saj është e detyrueshme respektojë mbarimin e procesit, pra në këtë periudhë nevojitet. Hapat ligjore do të jetë pjesë të një vendimmarrje kolektive.
Si e lexoni dhe analizoni ju zgjedhjet e 28 qershorit?
Nuk arritëm atë që ishim të përkushtuar. Ishim përgatitur të kishim një rezultat që të na ndihmonte të ishim vendimtarë në drejtimin e vendit, për përmirësimin e hapave ekonomike dhe përshpejtimin e integrimit në strukturat evropiane. Por, Partia Socialiste në tërësi, humbi mundësinë të ishte një mazhorancë e ardhshme, të të qeveriste Shqipërinë, të hartonte dhe realizonte reformat, për liberalizmin e vizave dhe integrimin e vendit në BE.
Sipas jush, nëse bëni një analizë përse humbi Partia Socialiste, cilat janë arsyet?
Është shpejt për të nxjerrë përgjegjësitë dhe akuzuar fajtorët, sepse edhe procesi është në fazën përfundimtare dhe ende nuk është mbyllur. Ne punuam shumë për një program real, por ngurruam për ta paraqitur atë në fushatën elektorale. Dhe madje më duhet të shtoj se u ve re një personalizim i tepruar e fushatës së koalicionit tonë në tërësi. Pra, nuk kishim bazat e qarta, nuk kishim një filozofi të qartë dhe solide, për t’u prezantuar në elektorat.
A jeni dakord me Edi Ramën kur thotë se tani që humbëm unë jam më i fortë se kurrë? Nëse po përse?
Pavarësisht, mosbraktisja e procesit është një vetëbesim.
A keni komunikuar direkt ju me zotin Rama dhe a ia keni shprehur atij pikëpamjet tuaja?
Kam pasur gjithmonë detyrimin se për atë çfarë duhet të bëhej më mirë, ishte e nevojshme një koordinim i punës dhe projektit elektoral, duke respektuar masën dhe kërkimin e një fryme të madhe dhe të re, për në zgjedhje.
Çfarë humbet dhe çfarë fiton Partia Socialiste nëse Edi Rama largohet nga drejtimi i saj?
Që nga 2005-a, bashkë me kolegë të tjerë kemi kërkuar që procesi i sfidave parlamentare të ishte i qartë të mos prekim dhe cenojmë pikat mbi të ardhmen e vendit. Investimi i Ramës në të majtën shqiptare dhe në mënyrë të veçantë në PS, nuk shihet bardh e zi. Partia Socialiste ka pasur një rol të modernizuar në politikën shqiptare, por dorëheqja nuk është fundi i një karriere politike, Edi Rama pasi ka humbur një sfidë, duhet të mbajë përgjegjësitë e kësaj humbjeje.
Ka një teori që Edi Rama mund të japë dorëheqjen, por kërkon votëbesimin në kryesi dhe nëse bëhen llogaritë kjo kryesi mund ta kthejë sërish atë në krye të PS-së.
Si e komentoni ju këtë?
Edi Rama në funksion të kontributit, në kohën e duhur do të respektojë rotacionin që e ka kërkuar edhe vetë si kusht, mirë do të ishte për një garë për një ekip, do ndodhem si detyrim të bëhem pjesë e garës duke e bërë të mundshëm një ekip që do ecë drejt fitores së PS. Nuk bëhet fjalë për dorëheqje.
Ben Blushi, një personazh i rëndësishëm në PS në një intervistë në gazetën “Panorama” ka theksuar se filozofia e Edi Ramës ka dështuar dhe Rama duhet të japë dorëheqjen. A jeni edhe ju dakord me këtë deklaratë të tij dhe nëse po përse mendoni kështu? PS duhet të luftojë të maksimilizojë çdo votë që ka arritur. Mund të them se hierarkia e vlerësimit të vlerave me listën e kandidatëve duke mos vlerësuar potenciale që realisht në karrierë, puna shumë e madhe për një program real por që u ngurrua të paraqitet dhe personalizimi i tepruar i fushatës së koalicioneve të majta, janë arsyet e humbjes në zgjedhje. Mendoj se duhet të mbarojnë një herë e mirë fushatat disi të personalizuara.
Zoti Malaj, akuzat më të mëdha ndaj jush që jeni kritikë tani me Edi Ramën janë përse nuk keni folur më parë dhe përse e keni quajtur heshtjen si motiv për unitetin e Partisë? Sot që ngjarjet kanë rrjedhur kështu, a mendoni se keni gabuar në këtë drejtim?
Nuk kam hezituar të bëj oponencën e asaj që nuk do na sillte fitoren, kam qenë kundër në çdo kohë dhe kam kërkuar që të ketë një respekt institucional në Partinë Socialiste.
Si e analizoni faktin që LSI krijoi koalicion me Partinë Demokratike. Ju e kritikoni këtë vendim të Metës apo mendoni se ai u detyrua të bënte këtë koalicion pasi Partia Socialiste e përjashtoi si opsion për bashkëpunim?
Ndodhemi përballë një dështimi, PD nuk mund të thotë që shqiptarët nuk morën vizat, për fat të keq të shqiptarëve zgjedhjet nuk kanë arritur standardet. Votat e socialistëve në parlamentin e ardhshëm do të jenë të domosdoshme, pasi nuk mund të jetë vetëm mazhoranca që do të shpejtojë integrimin e Shqipërisë në BE.
Ndërkohë në kampin tuaj kundërshtar, në Partinë Demokratike po nisin përgatitjen për qeverinë e re. Po ravijëzohen ministrat, ministritë dhe idetë për të menaxhuar mandatin 4- vjeçar. Si e parashikoni ju këtë mandat në mazhorancë të Partisë Demokratike?
Në qoftë se raporti për zgjedhjet të dalë negativ kjo do të krijojë pengesa për marrjen e statusit. Në bazë të standardit të zgjedhjeve, përcaktohet edhe fati i shqiptarëve, për të mos qenë të bllokuar.