E Shtunë, 31 Tetor 2026

Speci i policisë indiane…

Autori i Lajmit: Enver Robelli
1. Gjarpërinj dhe speca
Para disa vitesh në kuadër të UNMIK-ut shërbente një njësi e policisë speciale nga India. Para se të stacionoheshin në Kosovë, përgjegjësit e kësaj njësie kishin dërguar në Prishtinë listën me llojet e armëve, municionit dhe pajisjeve të tjera që do të merrnin me vete. Në kryeqytetin e Kosovës ata do të komandoheshin nga një oficer austriak. Duke shikuar listën e pajisjeve austriaku kishte vërejtur se policët nga vendi i largët do të merrnin me vete edhe gjarpërinj. Gjarpërinj? Kur i kishte pyetur kolegët indianë se çfarë u duheshin gjarpërinjtë, komandanti kishte marrë përgjigjen se zvarranikët përdoren nga policia në Indi për të shpërndarë demonstruesit e dhunshëm. Ata kishin thënë se një metodë e tillë është e zakonshme në subkontinentin aziatik. Megjithatë, ata nuk u lejuan që edhe në Kosovë të merrnin me vete gjarpërinjtë. Për këtë episod tragjikomik të pranisë ndërkombëtare në Kosovë kishte raportuar dikur një revistë austriake. Tani nga India vjen një lajm tjetër, një lajm që e gjejmë në cepin e gazetës. Në të ardhmen specat e kuq djegës pritet të jenë ndër armët më efektive të policisë në Indi. Inxhinierët e Ministrisë së Brendshme në Nju-Delhi janë duke punuar në prodhimin e një plumbi të mbushur me speca të grirë, i cili demonstruesve të dhunshëm u shkakton djegie të syve dhe vështirësi në frymëmarrje. Kështu personat e dhunshëm gjunjëzohen për pak minuta. Ky është plani i policisë.

2. Një grua drejton gondolën
Ndoshta nuk ka qytet tjetër në botë, i cili të rrëmben sapo të hedhësh hapin e parë në hyrje të tij. Fjala është për Venecian. Lagjja e Shën Markut, Bazilika, ndërtesat e tjera historike, sheshet, të gjitha së bashku përbëjnë historinë mijëravjeçare të Republikës së Përndritur, që dikur quhej Republika e Venedikut. Këtu, në zonën e Shën Markut, bie në sy sidomos Pallati Dukal, i cili ka qenë seli e institucioneve. Në tavanin e pallatit disa piktura paraqesin historinë e Venedikut. „Nëse vizitori do të ishte shqiptar, ai do të gjendej para një befasie të bukur, teksa në këtë vend magjepsës do të shquante edhe një faqe të historisë së vet. Duke ngritur sytë drejt tavanit, krejt përballë Parajsës madhështore të Tintorettos (piktor venedikas, v.j.), pikërisht në krah të sipërfaqes ovale të zbukuruar nga Apoteoza e Venedikut, dy hapësira, përkatësisht në të majtë dhe në të djathtë, përshkruajnë historinë e dy ngjarjeve paksa të njohura: atë të dy fitoreve të Venedikut mbi turqit: pushtimin e Izmirit, nën komandën e Pier Moçenigos në vitin 1471, dhe çlirimin e Shkodrës më 1474, prej Antonio Loredanit. Autori i dy pikturave, sa në sipërfaqe ovale aq edhe në hapësirat bashkangjitur, është Paolo Veroneze“. Kështu shkruan në fillim të librit të saj „Shqiptarët në Venedik“ autorja italiane Lucia Nadin. Edhe sot Venecia befason. Këto ditë nga ky qytet arriti një lajm, i cili e meriton të dalë edhe në një gazetë në gjuhën shqipe. Pas 900 vjetësh të dominimit mashkullor një grua në Venecie ka marrë lejen të lundrojë me gondolë (varkë e gjatë dhe e lehtë venedikase). Giorgia Boscolo, 23-vjeçare, nënë e dy fëmijëve, është pajisur me patentën përkatëse pas një provimi të vështirë në Shoqatën e Gondolierëve të Venecias. Babai i Giorgia Boscolo është krenar me vajzën e tij, por vazhdon të jetë i bindur se lundrimi me gondolë është zanat i burrave: „Për këtë punë duhet thjesht shumë fuqi“. Në sezonin e verës gondolierët e Venecias fitojnë deri në 5 mijë euro në muaj. Nëpër kanalet e Venecias lundrojnë mbi 400 gondolierë me barkat e tyre të zeza si korbi. 50 minuta lundrim me gondolë kushtojnë 70 euro!

3. Mashkull dhe „biondinë“
Kohë më parë një gazetar serb në gazetën „Kikindske novine“ e kishte krahasuar një jurist lokal me një biondinë të veshur lehtë (me fjalë të tjera me pak tesha në trup). Nën fotografinë e një femre bionde gazetari kishte botuar inicialet e juristit. Këtu filloi një betejë e madhe juridike. Juristi nga Kikinda u zemërua dhe e nxori gazetarin para gjyqit. Gjyqtarët serbë e shpallën fajtor gazetarin, duke nënvizuar se të krahasosh një mashkull me një biondinë është „shkelje e dinjitetit mashkullor“. Me këtë konstatim nuk u pajtua gazetari. Përleshja juridike këto ditë përfundoi në Strasburg, në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila erdhi në një përfundim tjetër, për dallim nga kolegët serbë. Gjyqtarët nga Evropa theksuan në vendimin e tyre se, të krahasosh një burrë me një biondinë, nuk është shkelje e dinjitetit mashkullor. Gjykata në Strasburg është e mendimit se krahasimi me biondinën është shpotitës, por nuk është sulm kundër dinjitetit burrëror. Për dallim nga Kosova, duket se në Serbi sistemi i drejtësisë funksionon. Sepse sikur të mos funksiononte me siguri një rast i tillë aq qesharak nuk do të kalonte të gjitha instancat e drejtësisë dhe nuk do të përfundonte në tavolinën e juristëve në Strasburg.

robelli@bluewin
Ky lajm është publikuar: 20/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›