E Diel, 1 Nëntor 2026

-Fillon projekti pilot i shpërndarjes së karburanteve pa akcizë për mekanikën bujqësore dhe serat me ngrohje Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë, sot paradite, në një takim me komuni

-Fillon projekti pilot i shpërndarjes së karburanteve pa akcizë për mekanikën bujqësore dhe serat me ngrohje

Kryeministri Fatos Nano ka marrë pjesë, sot paradite, në një takim me komunitetin e agrobiznesit dhe Shoqatën Shqiptare të Mekanikës dhe Mjeteve Bujqësore AVALB, në Rrogozhinë. Ky aktivitet u organizua nga Projekti Rritja e Prodhimit Ushqimor 2KR.

Të pranishëm në këtë takim ishin edhe Ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit Agron Duka, përfaqësues të pushtetit lokal, anëtarë të Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, si dhe përfitues nga grantet e dhëna nga Qeveria e Japonisë në kuadër të projektit 2KR, nga i gjithë vendi.

Në këtë takim u diskutua mbi projektin pilot në tre zona të vendit të shpërndarjes së karburanteve pa akcizë për mekanikën bujqësore dhe serat me ngrohje. Gjithashtu për fermerët e kësaj zone u shpërndanë 75 traktorë dhe makineri të tjera bujqësore të ardhura me mbështetjen grant të Qeverisë së Japonisë në kuadër të projektit 2KR.

Në përputhje edhe me kërkesat e komunitetit të agrobiznesit dhe shoqatave të tij Qeveria Shqiptare ka ndërmarrë iniciativa të rëndësishme në drejtim të aplikimit të politikave për zhvillimin e sektorit të bujqësisë dhe ushqimit si: heqja e akcizës së karburanteve për sektorin e peshkimit , serave me ngrohje, fillimin e projektit pilot në tre zona të vendit për shpërndarjen e karburanteve pa akcizë për mekanikën bujqësore, vazhdimin e financimeve grant nga Qeveria e Japonisë për furnizimin me traktorë, makineri bujqësore, linja agropërpunimi duke i shitur ato me këste me interes zero.

Për vitin 2004 me fondet kundërparti të projektit 2KR në bashkëpunim me sektorin privat kanë përfunduar të gjitha procedurat dhe do të financohen 28 projekte të rëndësishme për zhvillimin e agroindustrisë shqiptare me një vlerë mbi 15 milionë dollarë, si dhe u rritën kuotat për produktet bujqësore për t'i eksportuar pa taksa doganore në BE dhe rajon. Efekti i këtyre masave të marra nga Qeveria Shqiptare për sektorin e bujqësisë dhe ushqimit ka një efekt mjaft të madh financiar prej dhjetra milionë dollarësh.

Kryeministri Fatos Nano në këtë aktivitet u shpreh:

"Të nderuar pjesëmarrës,

Jam me ju sot në këtë takim për të diskutuar në dobi të mirëqënies tuaj, sipërmarrjes suaj, që prek një nga sektorët më të rëndësishëm të jetës së vendit, të rritjes dhe të konkurrimit tonë në proçesin e integrimit, sektorin e zhvillimit dhe modernizimit të bujqësisë, të jetës së fermerëve, të zhvillimit rural të vendit në tërësi, i cili është edhe një prioritet i programit të Qeverisë sonë.

Pra, në zbatim të këtij programi ne vazhdojmë t'i thellojmë politikat lehtësuese që nxisin rritjen e prodhimit bujqësor, ulin koston e prodhimit, shtojnë të ardhurat, mundësitë për investime të tjera nga ju. Ky është një nga instrumentat e bashkëpunimit për zhvillim midis qeverisë dhe komunitetit të fermerëve. Pra, unë jam shumë i qetë dhe vazhdoj të nxis qeverinë të bashkëpunojë me ju veçanërisht në sektorin agrar dhe me fermerët, sepse ky është një nga instrumentet e rritjes së zhvillimit të vendit, aktivizimin e rezervave të mëdha që kemi për prodhim dhe mirëqënie dhe natyrisht për më shumë konkurim dhe të ardhura në shkëmbimet me vendet fqinje dhe me vendet e Europës, me të cilat po ballafaqohemi në kushtet e tregtisë së lirë me gjithnjë e më shumë suksese.

Kjo është pjesë e atij proçesi transformimesh të mëdha që po ndodhin në krejt vendin, të cilat synojnë t'u afrohemi dhe t'i bëjmë vepruese, në realitetet tona të shoqërisë dhe të tregut, standartet e Bashkimit Europian dhe vendeve ku po udhëtojmë gjithnjë e më lirisht edhe për të shitur produktet dhe vlerat e sipërmarrjes sonë.

Ne pra jemi në proçesin e përmbushjes së detyrimit për zbatimin e Marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë, që kemi nënshkruar me vendet fqinje dhe më pas do të vazhdojmë të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Bashkimin Europian, si organizatë e 25 vendeve, që nga maji 2004. Negociatat për këtë gjë janë gjithashtu në proçes.

Këto janë marrëdhënie të reja, të panjohura më pare. Ne po futemi në tregjet globale dhe për të konkuruar në to duhet një bujqësi moderne, e pajisur, e gatshme për të përballuar konkurencën e lirë dhe natyrisht kjo ka kosto. Pra me qëllim që kjo kosto e konkurencës së ulët, që dhe sipërmarrësit e bujqësisë, agrobiznesi dhe fermerët të jetë aktorë fitues në këtë tregëti të lirë dhe në këtë përfshirje të vendit tonë në tregjet globale, qeveria vazhdon të zbatojë masat e reformave lehtësuese, shumë prej të cilave kanë nisur të funksionojnë, mjaft të tjera janë në procesin e studimit dhe të vendimmarrjes.

Po përmend heqjen e taksës doganore për importimin e mekanikës bujqësore, uljen
nga 10% në 2% dhe tendenca drejt zeros për taksën doganore për farërat, fidanët, plehrat kimike dhe lëndët e para që përdoren në bujqësi dhe agroindustri, mos pagimi i TVSH-së në doganë për importuesit e linjave të agropërpunimit dhe mallrat për investime direkte në prodhim, ulja e afateve të rimbursimit të TVSH-së nga 6 në 1 muaj, janë një pjesë e masave komplekse që po ndikojnë pozitivisht në ritmin e rritjes së prodhimit bujqësor, në forcimin e bilancit tonë tregëtar dhe aftësisë sonë konkuruese në shkëmbimet tregtare me vendet fqinje.

Para pak kohëve, në takimin e mëparshëm midis nesh, unë ju pata premtuar edhe për çmimin e ri të diferencuar të karburantit. Jam sot këtu, jo vetëm për shkak të traktorëve të rinj, që do të shpërndahen në kuadër të menaxhimit të shkëlqyer që po i bëjnë sëbashku ndihmës së qeverisë japoneze për bujqësinë shqiptare – dhe me këtë rast më lejoni në emrin tonë të përbashkët t'i shpreh mirënjohjen qeverisë dhe taksapaguesve japonezë që vazhdojnë të punojnë me ne dhe të na asistojnë me efikasitet në këtë proces reformash, - por kam ardhur edhe për t'ju dhënë lajmin tjetër pozitiv se këto ditë Qeveria do të miratojë vendimin e rëndësishëm për të nisur zbatimin e projektit pilot, që do të vërë në zbatim dhe do të kolaudojë procesin e shpërndarjes së karburantit pa akcizë për mekanikën bujqësore, për serat me ngrohje dhe peshkimin. Bazuar në studimin e bërë tashmë, fillimisht ky projekt do të aplikohet në zonat bujqësore të Divjakë-Fierit, Sarandë-Delvinës dhe Fushë-Krujë-Lezhës, që janë dhe zona shumë të rëndësishme për bujqësinë shqiptare dhe për eksportin e prodhimeve bujqësore, dhe më pas ky studim do të shtrihet në të gjithë vendin.

Kjo lehtësi fiskale është pjesë e reformave në bujqësi dhe synon mbështetjen e zhvillimit të zonave rurale të vendit, ku jeton dhe punon dhe një pjesë e madhe e popullsisë sonë. Efekti i këtij operacioni në buxhetin e shtetit do të jetë rreth 4 milionë dollarë, ndërsa efekti i drejtëpërdrejtë vjetor do të jetë 12 milion dollarë. Kjo është kosto e lartë për buxhetin e një shteti ende të varfër, por ky operacion do të ndikojë në rritjen e prodhimit bruto në bujqësi dhe ushqim me më shumë se 100 milionë dollarë në vit. Ja pra, çfarë efikasiteti ka bashkëpunimi dhe reformat që ne zhvillojmë së bashku ku kostot, pavarësisht peshës që shfaqin në fillim, shumëfishojnë prodhimin, rrisin të ardhurat, pra dhe mirëqënien e njerëzve.

Për ta kontrolluar zbatimin e këtij vendimi, që të sigurohet korrektesë dhe transparencë në të gjitha marrëdhëniet që do të zhvillohen, të shmangen veprimet korruptive apo të bllokohen efektet negative në tregun e karburanteve, unë do të urdhëroj ushtrimin e një kontrolli të rreptë dhe të vazhdueshëm nga organet e specializuara të shtetit duke kërkuar dhe nga qeverisjet lokale dhe shoqatat e bujqësisë dhe agrobiznesit, të punojmë sëbashku si aleatë të rëndësishëm të zhvillimit për të siguruar zbatimin me korrektësi dhe vjeljen e të gjitha efekteve pozitive të kësaj reforme.

Tashmë përtëritja dhe modernizimi i parkut të mekanikës bujqësore po jep efektet e veta dita ditës në mënyrë të qartë. Kontribuesit në këtë drejtim janë të shumtë, por unë do të veçoja edhe një herë kontributin e qeverisë japoneze, e cila që nga viti '99 po na mbështet shumë ndjeshëm në këtë sektor të rëndësishëm, duke çuar në rreth 24 milionë dollarë financimin e saj të konkretizuar në qindra traktorë, mijëra makineri bujqësore, dhjetra linja përpunimi, të cilat janë bërë pronë aktive e fermerëve tanë dhe furnizojnë tregun dhe xhepat e tyre të ndershëm.

Shpërndarja e 75 traktorëve në këtë ceremoni është pjesë e këtij modeli të suksesshëm kreditimi për prodhim dhe konkurim në treg dhe për nga rezultati që po jep, duhet të vazhdojë të shtrihet edhe në sektorë të tjerë. Kthimi i plotë i kredive deri tani është një tjetër tregues që na bën të mendojmë së ndërhyrjet e studiuara nga ana e shtetit i ulin pasojat dhe kostot e reformave.

Për këtë arsye dhe mbështetur në këtë eksperiencë, Qeveria po rishikon edhe mundësinë e diferencimit të TVSH-së për sektorin e bujqësisë dhe të ushqimit, duke synuar që të ndikojmë akoma më thellë në modernizimin dhe reformimin e këtij sektori të rëndësishëm dhe në optimizimin e raporteve të kostove me të ardhurat duke sjellë ndikime të pamohueshme për zbutjen e varfërisë dhe rritjen e mirëqënies në zonat rurale.

Në bazë të këtyre masave është llogaritur në radhë të parë e kryesisht aftësia e fermerëve dhe mekanizatorëve për të kuptuar, zbatuar dhe kthyer në dobinë e të gjithëve reformat dhe modernizimin e bujqësisë dhe të hapjes së vendit ndaj tregjeve të ushqimeve që na rrethojnë. Pa dëshirën dhe vrullin tuaj të spikatur për punë, pa konkurimin tuaj dhe përkushtimin për të përmirësuar gjëndjen tuaj, aftësinë për punë dhe fitimin në ballafaqim me fermerët e vendeve fqinje, kjo reformë do të ishte e pamundur.

Ne po vazhdojmë të hapemi dhe të integrohemi në tregjet rajonale dhe të botës, prandaj vazhdimi i modernizimit të prodhimit, standartizimi i tij është deçiziv për të ruajtur dhe rritur aftësitë tona konkuruese. Unë nuk e mohoj punën e mirë të deritanishme të Ministrisë së Bujqësisë dhe të Ushqimit dhe dua të theksoj se implementimi i politikave që përmirësojnë infrastrukturën e prodhimit dhe marketingut, si dhe mbështetja e prodhuesve me projekte që nxisin përmirësimin e teknologjive dhe mbrojtjen e konsumatorit, mbeten detyrat kryesore të vetë Ministrisë së Bujqësisë për zbatimin e programit të qeverisë.

Duke përfunduar dua t'ju falënderoj sinqerisht ju sipërmarrësit, komunitetin e agrobiznesit, kudo që ndodhet në mbarë Shqipërinë për kontributin e pazëvendësueshëm që po jep për zhvillimin dhe modernizimin e prodhimit dhe tregut bujqësor, i cili po bëhet pjesë e fytyrës së re europiane të gjithë ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.

I gëzofshi traktorët e rinj, i gëzofshi financimet e reja, suksese dhe punë të mbarë!

Pranvera po vjen dhe tokat po presin. Ne jemi me shumicën e njerëzve që punojnë dhe do t'i qetësojmë dhe integrojmë edhe njerëzit e dëshpëruar".

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›