Airport Partners: Suksesi i këtij modeli privatizimi do ta vendosë Shqipërinë në një pozicion drejtues për privatizimet e infrastrukturës në rajon Kryeministri Fatos Nano ka marrë një le
Airport Partners: Suksesi i këtij modeli privatizimi do ta vendosë Shqipërinë në një pozicion drejtues për privatizimet e infrastrukturës në rajon
Kryeministri Fatos Nano ka marrë një letër nga drejtues të lartë të Konsorciumit "Airport Partners".
Në këtë letër, shprehet kënaqësia për njoftimin zyrtar nga ana e Qeverisë Shqiptare, ku Konsorciumi i "Airport Partners" informohet për përzgjedhjen si Oferta e Preferuar për realizimin e Kontratës me Konçesion për Aeroportin Ndërkombëtar "Nënë Tereza", Shqipëri.
"Konsorciumi Airport Partners, së bashku me HOCHTIEF Airport, Deutche Investions-und Entwicklungsgesellschaft (DEG) dhe Albanian-American Enterprise Fund (AAEF), përfiton nga ky rast për të shprehur vlerësimin e tyre për besimin e shprehur nga ana e Qeverisë së Shqipërisë ndaj Konsorciumit Airport Partners", shprehen dy përfaqësuesit e lartë në këtë letër drejtuar Kryeministrit Nano.
"Ne besojme se Konsorciumi ynë përfaqëson një aleancë partnerësh me eksperiencë për sigurimin e bashkëpunimit me Qeverinë Shqiptare dhe organizmat përgjegjës të saj për zhvillimin e suksesshëm dhe prosperitetin e këtij projekti sfidues", thuhet më tej në këtë letër.
Drejtuesit e "Airport Partners" nënvizojnë edhe një herë synimet që kërkon të arrijë përmes zhvillimit, ndërtimit, manaxhimit dhe vënies në funksionim të një aeroporti të klasit ndërkombëtar. Sipas tyre, aeroporti do të integrojë Tiranën në tregun e Europës Juglindore, do të zhvillojë dhe krijojë ekspertizën nga më të mirë - menaxhuarat dhe teknologji nga më të larmishmet, do të krijojë një paketë shumë tërheqëse për Qeverinë e Shqipërisë, do të stimulojë ekonominë vendase nëpërmjet angazhimit të plotë të sipërmarrësve lokalë, si dhe do të sigurojë akses për tregjet më të zhvilluara të aviacionit perëndimor dhe atyre të turizmit. Gjithashtu ai është një shembull i besueshmërisë së një investitori privat, i cili do të inkurajojë më tej investimet Europiane dhe Amerikane në Shqipëri.
"Ne jemi të bindur se realizimi me sukses i këtij modeli privatizimi do ta vendosë Shqipërinë në një pozicion drejtues për privatizimet e infrastrukturës në këtë rajon", thuhet në mbyllje të letrës.