Fillon restaurimi në monumentet arkeologjike të Durrësit
Monumentet arkeologjike që janë në guidë për turistë vendës e të huaj në Durrës i janë nënshtruar një rivlerësimi lidhur me gjendjen e tyre fizike dhe nevojat e ndërhyrjes. Dega e Monumenteve në Durrës ka përfunduar në prag të hapjes së sezonit një hartë me të dhëna të plota lidhur me statusin aktual të monumenteve arkeologjie e historike, si dhe të objekteve të përfshira në guidat e turistëve.
Drejtori Edlir Tërpi është shprehur se deri në fund të këtij viti në monumentet arkeologjike të bëra objekt vizite do të investohen 17.2 milion lekë për rikonstruksion, rehabilitime mirëmbajtje dhe rrethim objektesh. Në bashkëpunim me Institutin e Monumenteve të Kulturës po punohet për të zgjeruar numrin e monumenteve të cilat kalojnë nën ruajtjen dhe mirëmbajtjen e shteti dhe nga ana tjetër një pjesë e tyre kanë fituar të drejtën për tu restauruar,-është shprehur drejtori. Dega e Monumenteve në Durrës e cila përfshinë kujdesin e administrimin e këtyre objekteve nga Rrogozhina deri në Krujë, ka mundur të bindë ministrinë për të çelur fonde për disa të tilla. Pohime nga kjo degë kanë thënë se disa projekte janë në zbatim e sipër, të tjera në fazën e investimit. Me fondet e shtetit shqiptar do të restaurohet Depo e Kripës dhe ky monument do të përfitojë për restaurim 1.644.000 lekë. Edhe Bazilika e Arapaj që është ndër më të vizituarat së bashku me Amfiteatri janë më tërheqëset për vizitorë dhe për këtë arsye janë bërë edhe pjesë e restaurimit. Baziliak Arapaj ka përfituar 500 mijë lekë dhe krahas restaurimit do të ketë edhe një mjedis pushues si dhe kurorë të gjelbër e rrethim. Lista e monumenteve që do të përfundojnë këtë vit restaurimin janë edhe Baziliak e Gjuricaj me 498 mijë lekë, Amfiteatri i Durrësit me 1.972.000 lekë, Torra Veneciane që do të përfitojë 1 milion lekë, xhamia Fatahut 500 mijë lekë dhe restaurimi i Kalasë së Rodonit me 2 milion lekë. Asfaltimi i rrugëve, ndërtimi i fshatrave turistikë, shtrimi i rrjetit të ujit të pijshëm përgjatë bregdetit të Durrësit nga kufiri me Lezhën deri në Spille ka rritur interesimin e grupeve turistike për të vizituar këto monumente të shpërndara gjithandej. Tërpo ka premtuar se gjatë këtij viti do të përfundojë rikonstruksioni i monumenteve në Ishëm, Baziliak në Arapaj, munumenti në Gjuricaj, Kalaja e Peqinit, Forumi rrethor, përforcimi i muri rrethues të Amfiteatrit etj. Drejtoria gjithashtu ka dërguar në komisionin përkatës në Institut për të zgjeruar hartën dhe numrin e objekteve të cilat presin të fitojnë statusin e monumentit të kulturës, objekte këto që kalojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë nën mbrojtjen e shtetit. Instituti i Monumenteve të Kulturës si dhe drejtoria rajonale në Durrës kanë përfunduar të gjitha projektet që do të përfitojnë fonde në rikonstruksion deri në fund të këtij viti. Një fakt i tillë është bërë i ditur nga drejtori në Durrës Edlir Tërpi. Fillimisht do të përfitojë nga fondi përkatës Kalaja e epokës mesjetare në Durrës e cila gjendet në afërsi të shëtitores Taulantia. Drejtori Tërpi ka saktësuar se këtë vit do të zbatohen disa projekte dhe se Instituti Monumenteve ka miratuar restaurimin e atyre objekteve të trashëguara që kanë nevojë të ngutshme për ndërhyrje. Një fond në shumën 7 milion lekë do të shërbejë për restaurimin e këtij objekti me një histori të hershme dhe të veçantë. Muri i kalasë në fjalë me gjatësi afro 300 m nis tek Torra Veneciane dhe përfundon tek muri i Amfiteatrit. Drejtoria Rajonale e Monumenteve në Durrës ka në inventarin e saj 36 objekte monumentale, që nisin në Ishëm për të përfunduar në Peqin. Por nga ana tjetër dega e Monumenteve në Durrës ka shfaqur interesim për të rritur gamën e listës së saj me të tilla vepra që kanë rëndësi për të nxjerrë në pah kulturën disa shekullore të qytetit në brigjet e Adriatikut. Ajo që deri tani mban ende pezull futjen në listë edhe të ndërtimeve apo zbulimeve të tjera ka të bëjë më së shumti me studimin e fondeve, që nevojiten për restaurim dhe mirëmbajtje.