Hajrie Sula, aktorja që i dha jetë artit
Është ndarë nga jeta pak ditë më parë një nga artistet më të njohura të skenës në fushën e humorit dhe të satirës, Hajrie Sula. Ajo i mbylli sytë në Liezh, Belgjikë nga një sëmundje e rëndë dhe e pashërueshme, e cila e ndau nga ne, me mallin për vendin dhe qytetin e lindjes që i dha jetë artit dhe e bekoi me talentin e humorit të bollshëm Shkodran. Në personalitetin e saj artistik vendosi një gur të rëndë pa u tronditur asnjë çast nga lëkundjet që pati jeta e saj, sidomos ajo artistike.
E kam të vështirë të hedh këto rreshta për kolegen time të viteve 65, sepse e them me bindje se ishte një talent që u lulëzua shpejt, të thuash si një kometë e shndritshme në qiellin artistik. Yll i skenës e pati quajtur aktori ynë i madh Tano Banushi. Talenti i saj i bollshëm rrezatonte art e bukuri, që shpërbleheshin gjithmonë me duartrokitje të vazhdueshme. Si artiste të Estradës së Shkodrës i mbaj mend mirë fillesat e saj. Një vajzë e re, e thjeshtë, pa komplekse, e mbi të gjitha me një sy që e bënte padyshim një aktore ekspresive. Ajo interpretonte pa iu dridhur qerpiku përkrah kolosëve të artit Shkodran si Tano Banushi, Paulin Sekaj, Adem Kastrati etj. Kishte një nuhatje të veçantë dhe në atë që bënte ishte organike e sugjestionuese. Interpretimet e Hajries kishin diçka të veçantë, një individualitet të papërsëritshëm. Nga premiera në premierë ajo sillte të reja në komunikimin me shikuesin. Tano Banushi në atë kohë krijoi ciklin parodi Dulla e Havusha, i cili rezistoi gjatë. Ky cikël e bëri Hajrien një nga aktoret më të arrira. Dulla ose Dullesha, Hava ose Havusha u futën në mënyrë të çuditshme, sidomos në humorin Shkodran, në fjalorin e përditshëm njerëzor. Në vitet kur Hajria ishte pjesë e estradës së Shkodrës, kjo u bë një ndër estradat më të dashura për publikun shqiptar e ku biletat gjendeshin me vështirësi. Por ja që lëkundjet e jetës e ndoqën nga pas e duartrokitjet e spektatorit u ndërprenë. Kjo ndodhi për arsye meskinitetiti e keqdashjeje që e rrethonin gjithandej, e që kjo vajzë me karakter tepër të fuqishëm nuk u rezistoi dot. Mbas pak vitesh ajo erdhi në Estradën e Tiranës, por tashmë më e pjekur. Edhe në premierat e kësaj estrade ajo ra në sy menjëherë për talentin e fuqishëm përkrahë Melpomeni Cobanio, Skender Sallaku, Enver Dauti etj. Interpretimet e saj plot sheqer edhe këtu patën të njëjtin sukses dhe e radhitën ndër aktoret më të kërkuara në estradë. Duke qenë aktore plastikisht e punueshme, lakonike e konkrete ajo arriti te krijojë një katalog rolesh qe edhe sot e kësaj dite janë të paarritura, brenda të cilit kishte gruan, plaken, fëmijën, vajzën etj. Në Estradën e Tiranës u krijua një cikël skeçesh me përmbajtje aktuale të ditës, ne të cilin Hajria krijoi me dhjetëra tipa të gruas që nga veriu deri në jug. Pikërisht për këtë cikël drejtoria e estradës mendoi ta propozonte aktoren Hajrie Sula për titullin Artiste e Merituarme mbështetjen e të gjithë kolektivit, e kështu u bë. Mbas dy ditësh e thërrasin në drejtori dhe i komunikojnë pushimin nga puna e kalimin në prodhim. Ishte viti 1975 kur e dërguan në Uzinën Dinamo për të mos u kthyer më në skenat profesioniste. Shumë shpejt ngriti grupin amator të uzinës me të cilin ajo jo vetëm shkëlqeu por u rrethua nga dashuria e njerëzve të thjeshtë. Kjo është jeta artistike e artistes Hajrie Sula, sigurisht e parë ne formë të përgjithshme. Më pas ajo iu përkushtua vajzës së vetme Laurës. Hajria nuk jeton më, por sidoqoftë për ne kolegët e saj si dhe për spektatorin që e duartrokiti do të mbetet një aktore plot shëndet, humor e cilësi të jashtëzakonshme njerëzore.