E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqiptarë dhe britanikë për gërmime arkeologjike në Butrint

Ekspedita synon të plotësojë boshllëqet nga gërmimet e mëparshme
Në Butrint, që në muajin qershor ka filluar një ekspeditë arkeologjike, e cila synon të plotësojë boshllëqet që janë lënë deri tani nga gërmimet e mëparshme në Butrint. Ekspedita e cila do të zgjasë rreth dy muaj, ka nisur me synim që të përfshijë gërmime në disa fusha, dhe në objektiv të saj nuk është vetëm Butrinti, por dhe disa rrethina të tij. Sipas drejtuesit të ekspeditës prof.as. Ilir Gjipali arkeolog, kjo ekspeditë është një bashkëpunim me palën britanike. Është një ekspeditë shumëvjeçare një bashkëpunim mes palës shqiptare dhe asaj britanike. Kërkimi zhvillohet në disa fusha. Objektivat e këtij projekti janë të gjera, dhe jo vetëm në Butrint, por dhe rrethinat rreth tij.Në fakt janë dhe detyra të tjera, që lidhen me publikimin e gjithë kërkimeve që bëhen në terren, si dhe me kualifikimin e studentëve që studiojnë në fushën e arkeologjisë. Kështu që objektivi i këtij viti është përveç studimit të materialit të grumbulluar nga vitet e mëparshme nga gërmimet që janë bërë në Butrint,në Vrinë dhe në Diapori, ky vit ka objektiva të kufizuar në kërkimin në terren, për shkak se specialistët po punojnë për botimin e materialeve të grumbulluara prej shumë vitesh, tregon arkeologu Gjipali. Më tej ai shton se në botim do të përfshihen materialet e grumbulluara nga viti 2000, botime të cilat kërkojnë të plotësojnë studimin dhe në fushën e prehistorisë.  Bëhet fjalë që nga viti 2000 dhe në vazhdim. Kështu që, këtë vit krahas specialistëve për përgatitjen për botim të shumë materialeve që lidhen me gërmimet në forumin e Butrintit, në Kompleksin e Vrinës si dhe në vilën romake dhe monumenteve të tjera përreth saj, po kërkohet që të plotësohet studimi edhe në fushën e prehistorisë, që ka të bëjë jo vetëm me rrethinat e Butrinti por dhe më gjerë, për të parë procesin e zhvillimeve në fushën e prehistorisë ose në periudhën prehistorike për këtë zonë, e cila përgatiti zhvillimet në epokën e antikitetit apo në periudhën qytetare dhe të shteteve, që formohen pas kësaj periudhe. Kështu që në këtë fushë po punohet për të evidentuar të gjitha pikat prehistorike, vendbanime, fortifikime apo varrezat umulare që lidhen me epokën e bronzit dhe të hekurit me qëllim që të evidentohet situata para se të krijohen qendrat porturbane dhe urbane siç janë Butrinti, Foinikia apo qendra të tjera qytetare që vijnë pas këtyre qyteteve të mirënjohura siç janë mbetjet e qytezave antike si Malqan, Palomanastër etj, në territorin  e rrethit të Sarandës, thekson ndër të tjera prof.as Gjipali. Deri tani sipas tij puna ka ecur dhe pritet që deri në fund të korrikut apo në fillim të gushtit të mbarojë dhe kursi i trajnimit të studentëve që është planifikuar në mes të korrikut, dhe që do të avancojë me studentët e rinj, që vijnë nga Universiteti i Tiranës, Gjirokastrës por dhe nga trevat e tjera shqiptare si në Kosovë dhe Maqedoni, por dhe studentë të huaj që vijnë të trajnohen për të mësuar metodat e gërmimeve në terren dhe që përgatiten për të mbaruar dhe për tu bërë specialistë në fushën e arkeologjisë. Marrin pjesë rreth 20 studentë në këto gërmime. Ky është një kurs veror që ka shumë vite që zhvillohet dhe është i mirënjohur në të gjithë pellgun e Mesdheut. Është interesante se vetë prej këtyre studentëve, që kanë kaluar me këto trajnime vite më parë janë  aftësuar tani dhe zhvillojnë praktikat e studentëve që trajnohen, pra ata janë aq të përgatitur dhe të aftë saqë drejtojnë këtë kurs veror, cilëson arkeologu Gjipali. Më tej ai shton se Butrinti është një nga qendrat më të rëndësishme kulturore, ku edhe turistët që vijnë në Greqi planifikojnë që një ditë të shkojnë dhe në Butrint. E mira nuk ka fund dhe ka vend dhe për përmirësime për të bërë si për infrastrukturën, organizimin e vizitave. Turistë nuk duhet të dëmtojnë saitin, por të jenë në harmoni numri i vizitorëve me ruajtjen në kushte normale, tregon arkeologu Gjipali. Nga gërmimet e bëra deri tani, ka dalë Butrinti venecian që tregon për atë periudhë të shkurtër të tij, Butrinti bizantin ka dalë që në vitin 2004 në botime. Po ashtu profesor tregon se ka dalë Butrinti romak dhe do të dalë dhe ai i periudhës mesjetare. Në kërkime në fushën e prejhistorisë do të dalë Butrinti prejhisorik dhe rrethina e tij. Të gjitha këto plotësojnë të gjithë kuadrin e periudhave historike më të hershme, që nga shenjat e jetës në Butrint e rrethinat e tij dhe deri në mesjetën e vonë.  Ekspedita e këtij viti plotëson ato që kanë mbetur pa u plotësuar. Të gjitha janë në një kuadër për të sqaruar etapat  e ndryshme të kësaj treve, trajnimin e studentëve dhe publikimi i tyre, përfundon arkeologu Gjipali.  
Pak nga historia
Butrinti u shpall qytet muze në qershor 1961. Butrinti është vlerësuar si pasuri e trashëgimisë së njerëzimit dhe mbrohet nga UNESCO që nga viti 1992. Objektet më të hershme janë një çekan guri dhe një bosht i përkasin gjysmës së dytë të mijëvjeçarit të dytë para Krishtit. Është përmendur për herë të parë nga HEKATEU: fundi i shek VI p.Kr. Në fillimet e tij futej në bashkësinë e Kaonëve më vonë në shtetin e Epirit. Në vitet 1926-1936 italiani Luigi Ugolini kryesoi misionin e gërmimeve në jug të Shqipërisë, Ugolini u përqendrua në Finiq dhe në Butrint ku u zbulua: Baptisieri, Teatri, Bazilika, Statuja dhe objekte të ndryshme me vlerë, banja publike dhe një numër i madh banesash. Ugolini la një informacion të zgjeruar për vendbanimet në jug të vendit, botoi disa vëllime dy prej këtyre botimeve ju kushtuan Finiqit dhe Butrintit të titulluara (Shqipëria Antike). 
Last Updated on Saturday, 04 July 2009 04:47

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›