E Diel, 1 Nëntor 2026

Fillon shpërndarja e medikamenteve të mbetura stoqe në spitale



Fillon shpërndarja e medikamenteve të ngelura stok nëpër spitalet e vendit. Pas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë për kryerjen e verifikimeve për medikamentet e ngelura stoqe në të gjitha spitalet e vendit, tashmë ka nisur shpërndarja e tyre për mbulimin e të gjitha spitaleve sipas nevojave që kanë. Spitali Rajonal i Fierit që ishte edhe më i përfoluri për shkak të medikamenteve të shumta që kishin ngelur stok, ka nisur shpërndarjen e tyre duke i transportuar në QSUT. Në të njëjtën fazë janë edhe spitalet e tjera të vendit, të cilët po bëjnë verifikimin e medikamenteve dhe gjendjen e tyre. Çdo medikament do të kontrollohet nëse është në gjendje përdorimi apo është i skaduar dhe të gjitha ato medikamente që janë në gjendje do të shpërndahen në spitalet rajonale sipas nevojave të çdo spitali. Ndërkohë, që edhe QSUT-ja që ka pasur mungesë të theksuar të barnave është pjesë e kategorisë së spitaleve që kanë medikamente të mbetura stok. Në këtë qendër spitalore, tashmë po bëhet kontrolli i medikamenteve dhe do të nisë shpërndarja në të gjithë pavijonet. Për krijimin e kësaj situate, Ministrja e Shëndetësisë ka fajësuar drejtuesit e tyre. Madje ajo ka bërë vetë verifikimet në një pjesë të spitaleve rajonalë dhe për këtë arsye mori masa ndaj disa drejtuesve të tyre. Vetëm pak ditë më parë, Ministrja e Shëndetësisë bëri shkarkimin e ish-drejtorit të spitalit rajonal të Fierit, të Spitalit Rajonal të Lezhës, Shkodrës, Elbasanit etj.

Bashkia e Tiranës, organizon festën për Konferencën e Pezës

Bashkia e Tiranës organizoi mbrëmjen e djeshme festën e Konferencës së Pezës, në ditën e 66-vjetorit të krijimit të saj, në shenjë respekti të historisë dhe specifikës që ka kjo festë. Tashmë kjo ditë është kthyer në një rit festimesh për të rinjtë dhe të moshuarit, ku të gjitha moshat festojnë gjatë gjithë natës. Bashkia e Tiranës ka vënë në dispozicion të qytetarëve autobusë falas, të cilët u nisën nga Sheshi “Italia” rreth orës 18.00. Në koncertin e organizuar nga Bashkia, në skenë u ngjitën për herë të parë grupi i famshëm i rrokut “The Rasmus”, të cilët ndezën atmosferën me ritmet e tyre. Grupi është ngjitur në skenë në orën 22.30, ku koncerti recital zgjati rreth dy orë. Veç grupit “The Rasmus” të ftuar nga bashkia kanë qenë edhe këngëtarët shqiptarë si Ermal Fejzullahu, Blero, Besa apo Alban Skenderaj, të cilët qëndruan në skenë për 60 minuta. Për festimet e Konferencës së Pezës, u krijua një hapësirë e mbuluar për shkak të motit, ku 200 metër katror u mbuluan e plasmas.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›