Godo, të sëmurët me veshka, transplantimi do të kryhet në Iran
Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo së shpejti do të përgatisë një listë me pacientët që do të nisen për transplantimin e veshkave në Iran. Gjithçka është diskutuar në një takim mes ministres së Shëndetësisë, Anila Godo dhe ambasadorit Iranian, Alibeman Eghbali Zarch. Një ndër çështjet kryesore ishte bashkëpunimi që do të lejojë pacientët shqiptar që kanë nevojë për kryerjen e transplantove të kurohen në spitalet Iraniane. Aktualisht pala shqiptare për kryerjen e transplantimit të veshkave ka marrëveshje me vende si Italia, Greqia, Turqia dhe kohët e fundit ka projekte dhe me Gjermaninë. Transplantimi i veshkave në vendin tonë ishte parashikuar të fillonte në vjeshtën e këtij viti, por duket se projekti i bashkëpunimit me palën italiane nuk ka përfunduar, ose sallat e kryerjes së operacioneve nuk janë ende gati. Po kështu, u diskutua që vendi ynë të marrë ndihmë nga Irani për marrjen e medikamentit “Imod”. Ky medikament është kundër sëmundjes së shekullit HIVAIDS, studimet e të cilit po bëhen ekskluzivisht në Iran. Ambasadori i Iranit kërkoi hapjen e klinikës së specializuar iraniane, e cila u mbyll për shkak të trazirave të vitit 1997 si edhe bashkëpunim universitar. Fushë tjetër e rëndësishme bashkëpunimi, që ministrja e Shëndetësisë, Godo, vuri theksin, ishte ajo e farmaceutikës, për shkak se prodhimi në vend është mjaft i dobët. Kështu, Irani pritet të prodhojë një sërë medikamentesh për spitalet e vendit.
17 Shtator 2008