E Diel, 1 Nëntor 2026

Aksidentoi 50-vjeçarin, shpallet në kërkim shoferi



DURRËS - Një 36-vjeçar është shpallur në kërkim nga forcat blu të Durrësit, pasi para tre ditësh, rreth orës 22:00, ka përplasur me automjetin e tij të tipit "Benz" një 50-vjeçar. Sipas burimeve zyrtare të policisë, i dyshuari Aleksandër Shyti pasi e ka përplasur nuk ka ndaluar për të verifikuar shëndetin e 50-vjeçarit, por është larguar menjëherë në drejtim të paditur. Po sipas të njëjtave burime pas kryerjes së veprimeve procedurale është bërë e mundur identifikimi i të dyshuarit dhe forcat blu kanë shpallur në kërkim Aleksandër Shytin, lindur dhe banues në Durrës. Gjithashtu bëhet e ditur se 50-vjeçari pasi ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore në spitalin e Durrësit është larguar në drejtim të banesës së tij, jashtë rrezikut për jetën.

Grabiten në dyqan 8 milionë lekë, zhduken autorët

VLORË - Persona të cilët mbeten ende të paidentifikuar rrëmbyen një sasi të konsiderueshme të hollash në një dyqan. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Vlorës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në orët e para të ditës së marte në lagjen “24 Maji” të qytetit jugor bregdetar në një njësi tregtare të shitjes së artikujve të konsumit të përditshëm. Policia tha se autorët kishin marrë shumën prej mbi 800 mijë lekë të rinj si dhe një sasi cigaresh dhe sende të tjera që gjithashtu kanë një vlerë të konsiderueshme monetare. Nën bindjen se autorët kanë lënë gjurmë të vlefshme për të çuar në identifikimin ne tyre, policia tha se është duke punuar intensivisht për kapjen e plaçkitësve që kishin përdoru levë për të thyer bravën e dyqanit.

Vodhën pikën e karburantit, arrestohen dy persona

LEZHË - Policia e Lezhës ka arrestuar dy persona në flagrancë, pas sinjalizimeve që ata kishin marrë për një vjedhje të organizuar në mjediset e një firme private. Të paktën 500 litra karburant janë marrë në depozitat e një firme private. Burimet zyrtare raportojnë se janë ndaluar shtetasit Emiljano Gjeloshi, banues në Laç dhe Admir Moçaj në Lezhë. Sipas tyre, është shpallur person në kërkim shtetasi Leonard Prela, pasi ai ka mundur të largohet gjatë kohës që forcat e rendit kanë mbërritur në vendngjarje. Pas marrjes në pyetje të të arrestuar, policia mundi të bllokojë mjetin që po transportonin mallin e vjedhur, të cilin e ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›