E Diel, 1 Nëntor 2026

Godo konsulencë të huaj për abuzimet me tenderat e medikamenteve



Emanuela Sako

Ideja e ministres së Shëndetësisë për hapjen e një shkolle 1-vjeçare për përgatitjen e menaxherëve për shmangien e abuzimeve me tenderat pritet të jetë gati në janar. Ministrja e Shëndetësisë po harton një strategji të re për shmangien e abuzimeve, duke marrë konsulencë të huaj me staf amerikan dhe konsulencë nga specialistë shqiptarë. Shkak për krijimin e kësaj situate janë bërë abuzimet me tenderat që u verifikuan këtë vit, ku spitalet e vendit ngelën pa barna. Më problematik nga të gjithë spitalet është QSUT-ja, ku barnat kanë munguar pothuajse gjatë gjithë vitit. Ideja e krijimit të një shkolle të posaçme për menaxherë ka qenë tërësisht e Ministres së Shëndetësisë, Anila Godo, e cila e parashtroi kërkesën dy ditë më parë në një takim me Ambasadorin Amerikan Uidhers, i cili ofroi mbështetjen e tij për këshillimin me specialistë amerikanë. Aktualisht ministrja Godo është këshilluar me mjekë specialistë në QSUT, por ende nuk janë përcaktuar kriteret e pranimit të menaxherëve.
Kushtet
Mendohet që menaxherë apo kontrollorë për tenderat mund të jenë mjekë apo ekonomistë, të cilët do të bëjnë gjithë bilancet për mënyrën e shpërndarjes së medikamenteve. Njëkohësisht, detyra e tyre do të jetë verifikimi i shkeljeve që mund të bëhen me tenderat, si dhe do të bëhet vlerësimi i firmave që do të ofrohen për tenderave për medikamente të veçanta. Shkolla 1- vjeçare që pritet të hapet brenda vitit tjetër do të jetë pranë QSUT-së. Ndërkohë kriteret e plota për pranimin e menaxherëve të rinj do të vendosen në muajt e parë të vitit tjetër. Burime nga Ministria e Shëndetësisë sqaruan se krijimi i kësaj shkolle dhe përgatitja e menaxherëve të rinj është i domosdoshëm për shkak të aferave që kanë ndodhur këtë vit dhe në vitet e kaluara me tenderat.
situata
Pak kohë më parë ministrja e Shëndetësisë evidentoi abuzimet që janë bërë me tenderat dhe me medikamentet e ngelura stok nëpër spitale. Nga medikamentet e ngelura stok u verifikua se vlera e tyre arrinte shifrën e 26 milionë eurove. Për krijim e kësaj situate u fajësuan drejtorët e spitaleve dhe sidomos mungesa e specialistëve në menaxhimin e shpërndarjes së medikamenteve. Aktualisht si menaxherë të medikamenteve në spitalet rajonalë janë mësues matematike, fizkulture, apo një mësues fizike. Për këtë çështje, pak ditë më parë ministrja është shprehur se pikërisht drejtues të tillë, kanë krijuar një çrregullim shëndetësor në të gjitha spitalet e vendit.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›