E Diel, 1 Nëntor 2026

Jorgaq Kaçani: “Ja si do të përzgjidhen pedagogët e rinj



Jonida Tashi

Gara për t’u bërë pedagog në Universitetin Politeknik do të nisë zyrtarisht ditën e sotme. Në një intervistë për gazetën “Albania”, rektori i Universitet Politeknik, Jorgaq Kaçani, bën të ditur për se cilat janë kriteret e përzgjedhjes së pedagogëve të rinj. Sipas tij, konkurrimi nuk do t’i ngjajë një fushate, por do të jetë i hapur dhe do të fitojnë kandidatët më të aftë. Ndërsa përsa i përket çështjes shumë të debatuar të dypunësimit të pedagogëve, kreu i Politeknikut thekson se ata duhet të jenë të njëjtë me punonjësit e administratës. Politekniku, rivali kryesor i Universitetit të Tiranës, për vitin e ri akademik ka një sërë objektivash, të cilat duhet t’i arrijë për t’u renditur universiteti i parë në vend.

Tashmë ka mbetur më pak se një muaj për të filluar viti i ri akademik. Zoti rektor, sa do të jetë numri i pranimeve të studentëve me kohë të plotë në universitet? Krahasuar me vitin e kaluar, a do të ketë numër më të lartë pranimesh për vitin 2008-2009?
Tashmë jemi në fazën e regjistrimit të studentëve, i cili bëhet sipas listave të dërguara nga Ministria e Arsimit dhe sipas rregullave dhe procedurave që po respektohen nga të gjitha universitetet shqiptare, po ashtu edhe nga Universiteti Politeknik. Përsa i përket numrit të pranimeve në Universitetin Politeknik të Tiranës nga të gjitha fakultetet e tij është ndjekur politika e rritjes së numrit të pranimeve në masën 10 për qind. Dhe ajo që duhet të theksoj është fakti se në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit numri i studentëve është trefishuar në krahasim me vitin e kaluar. Kjo ka qenë një kërkesë vetë kryeministrit dhe Ministrisë së Arsimit. Nga ana tjetër, ka qenë edhe një përgjigje pozitive që ka dhënë i gjithë stafi akademik i Universitetit Politeknik për plotësimin e kësaj kërkese. Kërkesa ishte normale, por duke pasur parasysh kushtet specifike që ne kemi e plotësuam atë në shifrat e mësipërme. Pra, sivjet ne do të marrin për në vitin e parë të Teknologjisë së Informacionit 550 studentë të rinj. Në krahasim me vitin e kaluar ne kemi një rritje të numrit të pranimeve dhe kjo rritje është mbi 500 studentë më shumë.
Një ndër pikat më të rëndësishme është cilësia e mësimdhënies. A i keni kapacitetet e duhura për ta realizuar këtë proces sipas standardeve?
Ju falënderoj për pyetjen përsa i përket cilësisë së mësimdhënies, sepse është një pyetje që bëhet në kohën e duhur, në momentin e duhur dhe është një pyetje që ka vlera më shumë se çdo pyetje tjetër dhe se çdo angazhim tjetër për ta realizuar. Ne po kalojmë tani në procesin e akreditimit të universiteteve, proces ky që nuk mund të realizohet pa sigurimin e një cilësie të brendshme të universiteteve, i cili do të konsistojë në vlerësimin e brendshëm të cilësisë së mësimdhënies dhe nga ana tjetër nuk mund të realizohet pa një vlerësim të jashtëm, i cili do të realizohet nga agjencia e akreditimit të arsimit të lartë ose nga agjenci të tjera homologe që janë në Perëndim, të cilat konform normave dhe standardeve do të bëjnë vlerësimin e procesit të mësimdhënies, pra cilësinë e përgatitjes së kuadrove në universitetet shqiptare. Përveç formimit teorik fondamental, vlera të veçanta ka formimi i specialitetit dhe lëndët janë speciale. Me vlera të mëdha janë lëndët kërkimore shkencore të cilat realizohen nëpërmjet punëve laboratorike, projekteve dhe detyrave të kursit dhe që kryhen pranë laboratorëve. Përveç kësaj, në procesin e vlerësimit do të bëhet edhe kontrolli i dijeve për inxhinierët të cilët diplomohen. Unë dua të theksoj faktin që normat dhe standardet këtu janë shumë më të mëdha, sepse përfshin aktivitetet e mësipërme, të cilat përfshihen në vetë akreditimin e vetë procesit mësimor dhe mbi të gjitha bëhet certifikimi dhe akreditimi i bazave laboratorike të cilat sigurojnë një cilësi më të lartë dhe shumë herë më të besueshme të rezultateve të matjes dhe për pasojë dhe të cilësisë së përgatitjes së inxhinierëve. Po kështu do të kaloj edhe në procesin e vlerësimit të bazës didaktike të procesit mësimor, të procesit të hartimit të planeve dhe programeve, të procesit të kontrollit të dijeve, të procesit të provimeve në universitet, pra janë një sërë normash që zbatohen për procesin e cilësisë që është dokumenti bazë në arsimin e lartë. Pa dyshim që dua të theksoj se kërkesat janë në rritje, por dua të falënderoj vendimin që mori qeveria shqiptare për akordimin e 400 vendeve pranë universiteteve pasi është një gjë pozitive. Kjo është bërë jo vetëm për të rritur cilësinë e mësimdhënies karshi rritjes së numrit të pranimeve, por synon që të bëjë edhe thithjen e mjaft studentëve që kanë studiuar jashtë vendit. Nga ana tjetër duhet të jemi shumë të kujdesshëm sepse nuk duhet ta bëjmë punësimin e tyre si një fushatë, por të jemi në gjendje që të thithim kuadrin më cilësor, jo vetëm me fushatën, por në vazhdimësi. Pra politikat për drejtimin dhe menaxhimin e universiteteve duhet të jenë politika që të garantojnë vazhdimësinë e stafit akademik, vazhdimësinë e brezave të mësimdhënies.
Shumë nga të rinjtë që mbarojnë studimet universitare nuk kanë njohuritë e domosdoshme për t’u përballur me tregun e punës. A mendoni se kjo është një e metë e fakulteteve?
Për përgatitjen e studentëve gjithmonë ka vend për përmirësime, por unë dua të theksoj se në universitetin politeknik është jashtë natyrës së formimit të tyre që studentët të mos marrin njohuritë përsa u përket njohurive praktike. Këto janë të lidhura me vetë kualifikimin dhe shkollimin e tyre, pasi studentët duhet t’i bëjnë vetë detyrat, projektet, punët laboratorike, praktikat mësimore dhe në fund diploma konkrete me projekte po konkrete i bën ata që të jenë të përgatitur për jetën. Kjo është faza e parë e përgatitjes së tyre dhe duhet të kihen parasysh edhe vështirësitë, pasi duhet të kuptohet që eksperienca ka ndikimin e vetë për rritjen e eksperiencës për t’i bërë më të aftë si inxhinierë. Inxhinierët janë gjithmonë më të përgatiturit në krahasim me degët e tjera përsa u përket aftësive praktike dhe menaxheriale. Janë në vetë natyrën e formimit të inxhinierit. Por unë e them me krenari që edhe gjatë periudhës së tranzicionit inxhinierët kanë qenë të diplomuarit të cilët janë përshtatur më shpejt, më saktë, të cilët janë përshtatur nëse çdo lloj pune që doli nga kjo periudhë në Shqipëri. Inxhinierët i gjen kudo, i gjen që nga politika, ekonomistë, mësuesi, të gjitha fushat mbulohen nga ata. Kjo falë aftësimit që vetë shkollimi inxhinierik i ofron kuadrit që nxjerr.
Prej kohësh ka nisur një debat për cilësinë e arsimit të lartë në universitetet publike në Shqipëri. Çfarë hapash keni ndërmarrë për rritjen e standardeve në universitetin tuaj?
Jam partizan i idesë që cilësia e mësimdhënies në arsimin e lartë duhet të rritet. Njëkohësisht jam shumë korrekt dhe kërkues në zbatimin e ligjit për Arsimin e Lartë, i cili parashikon që për një periudhë trevjeçare të bëhet akreditimi i universiteteve shqiptare. Ky ligj parashikon gjithashtu në nenet e tij që çdo universitet i ri që të jetë përpara dhënies së diplomës së nivelit të parë duhet t’i nënshtrohet procesit të akreditimit dhe në këtë kuadër rritja e nivelit të cilësisë në universitete është parësore. Unë personalisht jam i idesë që ne duhet të hapin qendrat e vlerësimit të brendshëm të cilësisë, në mënyrë që të sigurojmë një cilësi të brendshme në përshtatje me ligjin për Arsimin e Lartë, pastaj të kalojmë në vlerësimin e jashtëm të cilësisë edhe më pas, mbi bazën e kësaj procedure, të nisë procesi i akreditimit. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, njëkohësisht dhe me Agjencinë e Akreditimit, unë jam i sigurt se do të gjejmë një gjuhë të përbashkët për të pasur një vlerësim dhe renditje të universiteteve shqiptare. Mbi këtë bazë të bëhet e njohur për të gjithë se cila është cilësia e mësimdhënies në të gjitha universitetet dhe pastaj të dinë edhe njerëzit se ku të shkojnë. Në përshtatje me aftësitë që ata kanë, të kërkojnë dhe cilësinë që u shkon për shtat dëshirave dhe kërkesave të tyre.
Cili universitet meriton të renditet i pari?
Pa dyshim që Universiteti Politeknik do të jetë i pari. Këtë e argumentoj me faktin se edhe diplomat e nivelit të dytë, të cilat u vlerësuan nga këshilli i akreditimit pranë Agjencisë së Akreditimit, kanë qenë programet mësimore më të mira krahasuese me planet dhe programet e universiteteve perëndimore. Ky është një vlerësim që e ka bërë vetë këshilli i akreditimit për planet dhe programet mësimore që Universiteti Politeknik ofron. Kjo buron nga natyra e vetë formimit inxhinierik, që është cilësor, korrekt, projektues, drejtues dhe zbatues.
Vitet e fundit janë hapur shumë universitete private. Si i vlerësoni standardet e tyre? Sa ka ndikuar kjo në rritjen e cilësisë së mësimdhënies në universitetet publike?
Nuk kam bërë ndonjë vlerësim për universitetet private, por për mendimin tim menaxhimi i universiteteve, normat dhe standardet duhet të jenë në rritje, pavarësisht se kujt sistemi arsimor i përkasin. Arsimi privat dhe publik duhet të jenë në kushte të njëjta, konkurruese dhe të mos kthehen në biznese. Universitetet private nuk duhet të kthehen në biznese. Hapjen e universiteteve private fillimisht do ta quaja të nevojshme për të thithur atë kontingjent i cili mbetet jashtë universiteteve publike, sepse kapacitet e tyre janë të kufizuara dhe në këtë kuadër këto ishin mëse të domosdoshme. Por, nga ana tjetër, do të kërkoja që në politikën qeveritare të investohet për thithjen e kapaciteteve të universiteteve publike në mënyrë që kapaciteti i studentëve që shkojnë në universitetet private të jetë sa më i vogël. Gjithashtu, ne duhet të jemi tepër të kujdesshëm për hapjen e universiteteve private, për faktin se ne jemi një popullsi 3 milionëshe dhe numri i universiteteve duhet të jetë i kufizuar.
Po diskutohet çështja e dypunësimit të pedagogëve. A do të lejoni që pedagogët tuaj të punojnë edhe në universitetet private?
Kjo është një temë e rrahur, ka mendime të ndryshme. Unë personalisht udhëhiqem nga filozofia që të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Duke qenë se profesorët ose stafi akademik në universitet publike është një administratë publike, atëherë si çdo anëtar tjetër i administratës publike, edhe profesori duhet ta gëzojë të drejtën për të dhënë mësim në një universitet tjetër. Por kjo duhet të jetë brenda normave të caktuara. Kështu, për shembull, një punonjës i administratës vjen dhe jep në universitetin publik 90 orë mësim. Atëherë këtë të drejtë pse të mos e gëzojë edhe profesori i një universiteti publik për të vajtur dhe për të dhënë mësim në universitetin privat? Unë jam për lejimin e dypunësimit. Por jam dhe për atë që pedagogët duhet të disiplinohen, duhet të ketë marrëveshje ndëruniversitare, në mënyrë që një profesor të mos shkoj në dy-tre universitete, por të jetë konform hapësira që i jep ligji. Profesorët, të vetmin kapital kanë trurin e tyre dhe me këtë ata sigurojnë të ardhurat që mbajnë familjen. Nëse do të konstatoj ndonjë pedagog që lë mësimin në shtet dhe shkon për të dhënë mësim në privat, unë do ta pushoja me kënaqësi nga puna, sepse ia lë hapësirën që të punojë në privat, por ai duhet të zbatojë detyrimin që ka ndaj shtetit.
Cilat janë kriteret e përzgjedhjes së pedagogëve të rinj në Universitetin Politeknik dhe kur do të bëhen publike?
Kriteret e përzgjedhjes së pedagogëve të rinj në radhë të parë i përcakton ligji i Arsimit të Lartë. Kriteret janë që duhet të kenë mbaruar universitetin me mesatare mbi 8.5, të kenë master të nivelit të dytë, të zotërojnë gjuhë të huaj, e preferuar është gjuha angleze. Aktivitetet botuese pastaj do të merren parasysh edhe kualifikimet e tjera. Kuptohet që në këtë kuadër kemi kontingjentin që është shkolluar në vend dhe jashtë tij. Kriteret e seleksionimit duhet të jenë të njëjta për të gjithë pedagogët. Seleksionimi do të jetë tërësisht i hapur, dinjitoz dhe në universitetin politeknik do të fitojë ai që është më i afti. Por këtu nuk do të ketë dyndje kërkesash, pasi inxhinierë të niveleve të tillë e gjejnë veten shumë herë më mirë në industri në firma private ose shtetërore, ku edhe pagat janë më të larta. 40 vende tepër për pedagogë janë të ndara mbi bazën e fakulteteve dhe të departamenteve. Mbi bazën e lëndëve përkatëse janë përcaktuar edhe kriteret. Besoj se brenda 10-ditëshit të parë të muajit tetor do të ketë mbaruar konkursi për pedagogët e rinj.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›