E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fillon transferimi i parave ne llogarite personale te ish te denuarve politike

Ish-te perndjekur politike gjate nje proteste

Tirane 13 mars 14:45 NOA -   Ministria e Financave konfirmoi sot se ka dërguar për në Bankën e Shqipërisë shkresën zyrtare për kalimin e parave për llogari të 60 ish të dënuarve të parë, që kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar.

Ky zhvillim, vjen pas publikimit të listës me rreth 1400 ish-të përndjekur që u verifikuan nga ministritë e linjës, tha për agjencinë e lajmeve NOA, Eva Simoni, përfaqësuese e dikasterit.

Ministria e Financave tha se janë autorizuar 8 banka të nivelit të dytë ku ish-të përndjekurit e listës zyrtare do të mund të hapnin llogaritë depozitë për të marrë dëmshpërblimin.

Derimë tani rreth 60 shqiptarë kanë përmbushur këtë detyrim, i cili është pasuar me çeljen e fondit nga ana e Ministrisë së Financave.

Ndërkohë Ministria e Financave rikujton se në zbatim të ligjit nr 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish të dënuarve politikë të regjimit komunist”, si dhe VKM nr 1699 date 29.12.2008 “Për miratimin e dëmshpërblimit financiar për ish të dënuarit politikë të regjimit komunist për vitin 2008” të gjithë personat e listuar në këtë vendim duhet të hapin llogari depozitë në një nga bankat e përzgjedhura sipas ligjit, neni 33.

Me hapjen e llogarisë personat do të depozitojnë fizikisht në degët e thesarit të çdo dege vërtetimin konfirmimin për emër, atësi, mbiemër dhe numrin e llogarisë në formë të shkruar.

Me përcjelljen e këtij informacioni nga dega e thesarit në Ministrinë e Financave kjo e fundit do të procedojë pagesat për në llogaritë e përfituesve.

Bankat e autorizuara për çeljen e këtyre llogarive janë; Alpha Bank, Raiffeisen Bank, Banka Popullore, Banka Kombëtare Greke, BKT, Tirana Bank, Union Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare.

z.b/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›