Filmat 3-D dëmtojnë sytë
Ndërsa filmi Avatar vazhdon të thyej rekorde për nga numri i shikuesve, ekspertë të kinematografisë thonë se ky sukses do të nxisë edhe më shumë prodhimin e filmave me efekte pamore tri dimensionalë. Por si çdo gjë e mirë, edhe kjo mund të ketë të këqijat e veta, në fushën e shëndetit. Filmat me pamje 3-Dimensionalë (3-D), si filmi Avatar, i bëjnë shikuesit të mahniten. Kjo dramë epike e zhanrit fanta-shkencë, i dha çmimin Globi i Artë drejtorit dhe regjisorit, James Cameron. Ata që e kanë parë thonë se filmi Avatar krijon 3 efekte njëherësh edhe tek shikuesi, i cili tërhiqet, shtanget, argëtohet. Por një studim i kryer nga ekspertë në Universitetin e Kalifornisë në Berkeley tregon se filmat 3-D mund të shkaktojnë lodhjen e syve. Normalisht, kur një person sheh gjërat pranë, sytë shtyhen përpara, dhe anasjelltas, sytë tërhiqen brenda kur personi përpiqet të shohë gjërat larg. Martin Banks, profesor i optometrisë në universitetin e Kalifornisë në Berkeley, thotë se 3-Dimensionaliteti i figurës e prish këtë rutinë veprimi, sepse ato kur shohin 3-D, sytë fokusohen njëkohësisht në pamjet larg dhe afër. Dhe kjo shkakton tendosje të syve, që pasohet me dhimbje koke e shikim të paqartë. Profesor Banks i tha Zërit të Amerikës se, ia ka parashtruar këto probleme prodhuesve të filmave në Hollivud dhe ata janë treguar të hapur dhe të gatshëm për të bërë ç’është e mundur që në të ardhmen të përdorin efekte pamore që ndikojnë në pakësimin e lodhjes së syve. Por ekspertët thotë se ndryshimet vetëm mund ta minimizojnë problemin, dhe jo ta eliminojnë atë. 3-Dimensionaliteti në filma tashmë është i pranishëm, ndërsa gjatë 5 vjetëve të ardhshëm parashikohet një shtim i dukshëm i përdorimit të efekteve të tilla edhe në televizion.
Regjisorët shqiptarë në kinemanë greke
“Kinematografia shqiptare dhe regjisorët shqiptarë në kinemanë greke”, ky është titulli i mbrëmjes përkushtuese kinematografike me tre filma të shkurtër të kineastëve shqiptarë, Bujar Alimani, Eno Milkani dhe Neritan Zinxhiria, të cilët përfaqësohen në këtë aktivitet përkatësisht me filmat e tyre “Ga”, “Eden i braktisur” dhe “Nusja më e mirë”. Aktiviteti organizohet në ishullin grek Syros me nismën e Bashkisë dhe Prefekturës së Qytetit si dhe Shkollës “Varvakion”, me tre filma të përzgjedhur të krijuesve të rinj shqiptarë që jetojnë përkatësisht në Athinë dhe Tiranë. Dy regjisorët shqiptarë Bujar Alimani dhe Neritan Zinxhiria jetojnë në Athinë, ndërsa Eno Milkani, I njohur edhe si bashkëregjisor I filmit “Trishtimi i zonjës Shnajder” jeton në Tiranë duke krijuar kështu një miks me tematikat, po edhe me botëkuptimet e stilet e regjisorëve që do të paraqiten në Qendrën Kulturore të Bashkisë, ku gjithashtu do të paraqiten edhe disa libra shqiptarë, të përkthyer në gjuhën greke midis të cilëve Ismail Kadare, Fatos Kongoli dhe Besnik Mustafaj. Në projeksionet e filmave priten të jenë të pranishëm regjisorët Bujar Alimani dhe Neritan Zinxhiria e filmat do të pasohen nga një referencë kritike prej kritikëve të filmit grek.
24 Shkurt 2010