E Diel, 1 Nëntor 2026

Riformatimi i skenës politike në Kosovë, analistët optimistë



Skena politike në Kosovë ka nevojë për parti dhe konfiguracione të reja, thonë analistët në Prishtinë. Por, sipas tyre, ende ka mungesë serioze të kapaciteteve për krijimin e partive serioze, andaj skena më shumë po i nënshtrohet një lloj riformatimi.
Analisti Shkëlzen Maliqi thotë se Kosova ka nevojë për një profilizim të spektrit politik, edhe pse ai e sheh si të vështirë këtë synim. Po ashtu, ai e sheh si mjaft të vështirë krijimin e një partie serioze të qendrës, e cila do të vihej mes bllokut të partive që do të rreshtoheshin kah Partia Demokratike e Kosovës dhe atyre që do të rreshtoheshin kah Lidhja Demokratike e Kosovës. E vetmja parti më serioze që mund të freskojë skenën politike, sipas Maliqit, mund të jetë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit. “Kemi paralajmërimin e ‘Vetëvendosjes’ se ndoshta do të bëhet parti politike. Kjo mund të jetë një alternativë, por as kjo nuk është ajo qendra që paralajmërohet”.

Kosovë
Procesi nga Albin Kurtit shtyhet për në 2 mars

Seanca gjyqësore ndaj Albin Kurtit është shtyrë për në dy mars, pasi as dje lideri i lëvizjes “Vetëvendosje” nuk është paraqitur në gjykatë. Lajmin e bëjnë të ditur mediat kosovare, sipas të cilave Kurti ka shpërfillur urdhërarrestin që kreu i trupit gjykues ka lëshuar ndaj tij. Kurti akuzohet për tre vepra penale, të kryera gjatë protestave të zhvilluara kundër pranisë së misioneve të huaja në Kosovë. Komanda Regjionale e Policisë në Prishtinë ka arrestuar dje aktivistët e lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufcën, Zgjim Hysenin në Prishtinë, në Gjykatën e Qarkut në kohën kur kishin shkuar për të përcjellë procesin gjyqësor kundër liderit të tyre.

Afganistan
Karzai shqetëson diplomatët me kontrollin absolut për zgjedhjet

Diplomatët perëndimorë kanë shprehur shqetësimin e tyre për një dekret të firmosur nga presidenti afgan Hamid Karzai, që i jep atij kontroll të plotë mbi organin kyç që menaxhon proceset zgjedhore. Sipas mediave ndërkombëtare, dekreti në fjalë i jep Karzait kompetenca për të emëruar pesë anëtarët e Komisionit Elektoral të Ankesave. Institucioni në fjalë nxorri në dritë vitin e kaluar një shkelje masive në zgjedhjet presidenciale, gjë që detyroi Karzain të pranonte një raund të dytë. Dekreti është firmosur në një moment kur trupat aleate po udhëheqin operacionin më të madh kundër guerrilasve talebanë në provincën e Helmandit.

SHBA
Afgani pranon fajësinë për komplotin në Nju Jork

Një emigrant afgan në Shtetet e Bashkuara ka pranuar fajësinë për akuzat se kishte planifikuar të aktivizonte bomba artizanale në sistemin e metrosë së Nju Jorkut. Autoritetet amerikane e cilësuan komplotin si një nga kërcënimet më serioze të sigurisë që nga sulmet e 11 Shtatorit. Naxhibullah Zazi i tha një gjykate federale se ai kishte planifikuar një operacion martirizimi si kundërpërgjigje ndaj luftës në Afganistan. Ai tha se ai ishte stërvitur nga Al-Kaida në kufirin afgano-pakistanez dhe ishte udhëzuar të rikthehej në Shtetet e Bashkuara për të kryer sulme kamikaze.

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›