“Prometeu i lidhur”, një histori antikiteti sjellë mesazhe aktuale në Teatrin Kombëtar
Një Promete i kohëve moderne, i zhgënjyer nga vetja e vet dhe nga njerëzimi është ai që regjisori Arbër Jakllari ka zgjedhur për të sjellë para publikut shqiptar sonte në skenën e Teatrit Kombëtar. Nën titullin “Prometeu i lidhur”, regjisori ka zgjedhur një histori të antikitetit, për ta sjellë atë me mesazhe aktuale në ditët e sotme. Për këtë pjesë regjisori ka zgjedhur një kastë aktorësh të rinj, të cilët qëndrojnë në harmoni me njëri-tjetrin, i cili premton një shfaqje me vlera të larta artistike. Në shfaqje janë 5 aktorë të cilët, përmes lojës së tyre aktoriale do të sjellin një histori të antikitetit në kohët e sotme. Ata janë Orjana Cama, Xheni Demi, Endri Çela dhe Aldion Matarangasi dhe rolin e Prometeut e ka vetë regjisori Jakllari. Sipas tij kjo shfaqje ka disa detaje të tjera që e plotësojnë dhe e bëjnë të veçantë këtë pjesë për publikun. “Në këtë drejtim dua të përmend faktin që kjo shfaqje ka tre elemente kryesore, të cilat konkretisht janë videoprojektori, kënga dhe kërcimi, që do të shoqërojnë publikun gjatë shfaqjes”. I pyetur mbi mesazhin që sjell kjo vepër regjisori tha se, “Prometeu i lidhur është heroi i njerëzve dhe i njerëzimit. Kjo është e ditur dhe e njohur pothuajse për të gjithë. Dua të theksoj që edhe në ditët e sotme, ai vjen si hero i njerëzve dhe i njerëzimit, por konteksti është disi ndryshe. Ky personazh identifikohet me njerëzit me anë të zemrës. Madje, kjo duket edhe në fjalët e tij kur ai shprehet: “Ata njerëz, me zemrën time”. Dhe që nga ky moment ai merr vendimin për t`u dhuruar zjarrin e për t`i ndihmuar ata. Bashkë me zjarrin u dha jetën, mënyrën si ta jetonin atë, por mënyra sesi njerëzit e trajtuan këtë dhuratë lë për të dëshiruar. Pikërisht këtu vjen edhe ideja dhe qëllimi i shfaqjes. Shfaqja “Prometeu i lidhur” do të vijë e realizuar, apo përshtatur duke marrë fragmente nga vepra e Eskilit, pra nga e gjithë antika.
24 Shkurt 2010