Siguria në botë, Klinton, thirrje NATO-s dhe Rusisë për bashkëpunim
Blerina Olldashi
Një bashkëpunim më i ngushtë mes NATO-s dhe Rusisë do të sillte rezultate konkrete dhe do të luftonte kërcënimet në mbarë botën. Kjo ka qenë deklarata e Sekretares amerikane të Shtetit, Hilari Klinton gjatë fjalimit të saj në Uashington për të ardhmen e Aleancës ushtarake. “Ndërsa Rusia ballafaqohet me sfida për sigurinë e saj, NATO-ja nuk është në mesin e tyre. Ne dëshirojmë raporte bashkëpunuese NATO-Rusi, që prodhojnë rezultate konkrete dhe e çojnë NATO-n dhe Rusinë më afër njëra-tjetrës”, tha Hilari Klinton, gjatë fjalimit të saj në institutin Këshilli Atlantik në Uashington. Një vëmendje të veçantë sipas saj, meritojnë edhe temat si: zgjerimi bërthamor, terrorizmi, pirateria dhe siguria në internet. Klinton me këtë rast refuzoi propozimin e Rusisë për një marrëveshje të re europiane të sigurisë. Ndërsa NATO-ja është zgjeruar në lindje gjatë viteve të fundit, përfshirë edhe vendet baltike dhe disa shtete ballkanike, Rusia këtë e shikon me dyshime të thella. Moska fuqishëm i kundërshton planet e NATO-s për ofrimin e anëtarësisë për Gjeorgjinë dhe Ukrainën, që ende i shikon si pjesë të saj të interesit. Rusia po ashtu fuqishëm kundërshton planet e Shteteve të Bashkuara për ndërtimin e një pjese të sistemit të mbrojtjes raketore në Rumani, pas anulimit të planeve për ta bërë këtë në Poloni dhe në Çeki. Që në momentin që Barak Obama u zgjodh president i SHBA-ve është ndjekur një politikë për ripërtëritjen e marrëdhënieve Amerikë-Rusi, që ishin dëmtuar pas luftës së shkurtër ndërmjet Rusisë dhe Gjeorgjisë, në vitin 2008. Në fjalimin e saj, Klinton tha se është në dijeni të zemërimit të Moskës lidhur me Rumaninë dhe shkoi një hap më tutje, duke ofruar siguri se sistemi nuk ka për qëllim Rusinë. “Neve na nevojitet që Rusinë ta bëjmë partner në përpjekjet tona për parandalimin e zgjerimit bërthamor dhe në mbrojtjen raketore. Ne e ftojmë Rusinë që t’i bashkohet NATO-s në zhvillimin e sistemit të mbrojtjes raketore, që do të mbrojë të gjithë banorët e Europës dhe Rusisë”, tha Hilari Klinton. Zonja Klinton po ashtu dërgoi mesazh për Rusinë se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për sigurinë europiane, përkundër faktit se aktualisht vëmendja e tyre është përqendruar në zhvillimet në Iran, Afganistan, Irak dhe bile edhe në Kinë. Ajo, më tutje, tha se Europa do të përfitonte në aspektin e sigurisë, “nëse Aleanca dhe Rusia janë më të hapura lidhur me armatimet dhe kapacitetet tona ushtarake”. Zyrtarja e lartë amerikane kundërshtoi planet e Moskës për një marrëveshje të re europiane të sigurisë, për të cilën Uashingtoni beson se do ta reduktonte ndikimin e NATO-s në botë. Zonja Klinton theksoi se NATO-ja duhet të mendojë për doktrinën e saj udhëzuese të “konceptit strategjik”, për të reflektuar kërcënimet e reja me të cilat ballafaqohen të 28 vendet anëtare të saj. Sipas saj, parimet udhëzuese të misionit të NATO-s ende janë relevante, por metodat e NATO-s duhet të ndryshojnë.
24 Shkurt 2010