E Diel, 1 Nëntor 2026

Leximi i librit në Kosovë, ka rënë në shkallën më të ultë të mundshme



Megjithëse mungojnë statistikat, vlerësohet se shkalla e lexueshmërisë në Kosovë po bie në mënyrë drastike. Në një anketë të zhvilluar në Prishtinë, sipas një përzgjedhjeje krejt të rastësishme nga rreth 20 veta, më shumë se gjysma prej tyre, kanë thënë se kurrë nuk kanë lexuar asnjë libër, ndërkohë që ka pasur edhe përgjigje se libri i fundit i lexuar ka qenë “Meshari” i Buzukut. Ata që merren me botimin, shpërndarjen dhe shitjen e librit thonë se kjo është pasojë e politikave të gabuara të qeverisë në raport me librin, por edhe e defekteve të sistemit shkollor. Nazmi Rrahmani kryetar i shoqatës së botuesve të Kosovës thotë se pozita e pafavorshme e librit nuk është rezultat i politikave të gabuara në disa vjetët e fundit, por ajo daton shumë vite më parë. “Problemi i librit në përgjithësi në Kosovë është çështje që ka mbetur pa u zgjidhur, ose pa u trajtuar, problem i cili ka nisur që para kohës së luftës me shkatërrimin institucional të kulturës në përgjithësi, kur u bë shkatërrimi i bibliotekave dhe institucioneve që merreshin me kulturën”. “Politika kulturore duhet ta ndërrojnë qëndrimin e tyre ndaj librit si vlerë, dhe në bazë të kërkesave që ka bërë edhe shoqata, edhe ligji për veprimtarinë botuese, i cili është aprovuar para shumë vjetësh dhe ende nuk zbatohet në Kosovë, libri do të duhej të shpallej vlerë me rëndë si të veçantë, e mbase vetëm atëherë libri do ta merrte vendin që i takon në shoqëri”. Sali Bashota, Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, thotë se telashet me botimin, shpërndarjen dhe leximin e librit janë të kamotshme, një ndër to ai thotë të jetë botimi i librit në pak ekzemplarë, dhe për më tepër mungesa e një rrjeti funksional për shpërndarjen e tij, dhe mungesa e formave nxitë se që e afrojnë librin me lexuesin. “Derisa në Kosovë botohen libra në vetëm 500 ekzemplarë, nga 50 000 sa janë botuar dikur, atëherë kjo flet për probleme të hapura që duhet të diskutohen rreth komunikimit me librin, shpërndarjen e tij dhe format tjera nxitëse, që kanë të bëjnë me leximin në radhë të parë. Bibliotekat e Kosovës ende nuk kanë një rrjet funksional për shpërndarjen e librit, dhe ato nuk kanë fonde për të blerë tituj të ri. Të gjitha institucionet që merren me librin do të duhej të diskutojnë më gjerësisht dhe të gjejnë forma nxitëse të afrimit të librit me lexuesin, sepse edhe lexuesi i sotëm është në dilemë, se çfarë libri i ofrohet”. Abdullah Zeneli, pronar i shtëpisë botuese në Prishtinë “Buzuku”, thotë se “Është e pakuptueshme se si edhe botimet shumë të rëndësishme, madje edhe bestseller-et, nuk mund të gjenden në bibliotekat e Kosovës. Situata e rëndë sociale, çmimet relativisht të larta të librit dhe pamundësia që ai të huazohet në biblioteka janë vetëm disa prej arsyeve pse libri në Kosovë është në pozitë të palakmueshme ”. Mirëpo zoti Zeneli thotë se numri i lexuesve në Kosovë është shumë më i madh nga sa duket dhe thuhet. Zeneli tha se është krejtësisht qesharake se Ministria e Kulturës të gjithë fondin për librin e ka gjithsej 24 mijë euro. Ndërkaq Hasan Zekaj nga zyra e publikimeve në Ministrinë e Kulturës thotë se Ministria e Kulturës me politikat e saj ka bërë jashtë zakonisht shumë, duke financuar disa botime të rëndësishme, të cilat, siç shprehet ai, ia vlen që t’i ketë lexuesi. Në kohën kur gati të gjitha kafenetë e kryeqytetit janë plotë, bibliotekat dhe libraritë janë pothuajse bosh. Ato presin ne heshtje mysafirët të cilët i vizitojnë, rrallë e për mall. Gjëja më e pa kërkuar në Kosovë për momentin mbetet libri. Tregtarët dhe botuesit thonë se po u falimenton biznesi me librat, ndërkaq shumica e qytetareve të anketuar thonë të mos ju kujtohet se kur e kanë lexuar për herë të fundit një libër. “Fotokopjimi i librit është një fenomen shumë i përhapur, dhe i kundërligjshëm, ky po e rrënon, po e shkatërron librin. Sipas një sondazhi 90 % e studentëve kosovarë sot mësojmë nga tekstet e fotokopjuara. Liridon Mexhuani, një tjetër librashitës në Prishtinë thotë se blerësit janë të moshave të ndryshme, por më të shpeshtë thotë të jenë studentët. “Librat më të kërkuar janë ata me përmbajtje psikologjike, historike, botimet e reja, romanet e autorëve shqiptar dhe atyre të huaj, fjalorë të gjuhëve të huaja, por më së shumti shiten botimet e reja dhe tekstet universitare”. Në kohën kur gati të gjitha kafenetë e kryeqytetit janë plotë, bibliotekat dhe libraritë janë pothuajse bosh. Ato presin ne heshtje mysafirët të cilët i vizitojnë, rrallë e përmallë. Gjëja më e pa kërkuar në Kosovë për momentin mbetet libri. Tregtarët dhe botuesit thonë se po u falimenton biznesi me librat, ndërkaq shumica e qytetareve të anketuar thonë të mos iu kujtohet se kur e kanë lexuar për herë të fundit një libër. Në një anketë të zhvilluar në ambientet e Fakultetit të Filologjisë, ku janë edhe degë te gjuhëve, dhe të Bibliotekës Kombëtare, të intervistuarit thonë se kryesisht lexojnë libra universitar, dhe kanë shumë pak kohë për të lexuar libra të tjerë . Përfundimisht, leximi i librit në Kosovë, ka rënë në shkallën më të ultë të mundshme, saqë mund të ta kujtojë edhe atë shprehjen e njohur “na ishte një herë e dikur...”.
Blerina Rogova-Gaxha

24 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›