E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmat Made in Kosova do të shfaqen në Shqipëri

Prishtinë, 30 gusht, NOA Janë 35 filma artistikë, dokumentarë, vizatimorë dhe të metrazhit të shkurtër, të xhiruar nga Kosovafilmi, që mund ti serviren publikut shqiptar në Tiranë.

Drejtori i Kosovafilmit, Gani Mehmetaj, ka thënë për mediat kosovare se projekti mund të nisë në muajin Tetor, përmes një bashkëpunimi me Arkivin Shtetëror të Filmit në Tiranë.

Kohë më parë Arkivi Shtetëror i Filmit në Tiranë filloi shfaqjen e filmave nga produksioni origjinal dhe ai i importuar. Ne jemi të gatshëm që filmat e Kosovafilmit tia ofrojmë publikut shqiptar, ka thënë Mehemtaj.

Ai madje ka bërë edhe një përzgjedhje të filmave të cilët do të fillojnë të shfaqen menjëherë. Do të ishte mirë që të fillonim me shfaqjen e gjashtë filmave artistikë, të cilët publiku i Tiranës ka interes ti shohë. Këta filma si Era dhe Lisi, Kur pranvera vonohet, Gjurmë të Bardha, Lepuri me pesë këmbë , Proka dhe Njeriu prej dheut, janë prodhime të cilat janë shumë të arrira në kinematografinë kosovare si për historitë ashtu edhe për gamën e aktorëve të cilët i kanë brenda filmave, ka thënë Mehmetaj.

Sipas tij, arsyeja pse Arkivi Shtetëror i Filmit në Tiranë duhet ti shfaqë filmat e Kosovafilmit është se kinematografia shqiptare në Kosovë është e lidhur kryekëput me këtë institucion.

Janë dy faza të prodhimit të Kosovafilmit: koha e filmave të përbashkët me ish-republikat jugosllave dhe koha e prodhimtarisë së pavarur të Kosovafilmit. Në periudhën e dytë u bënë filmat më të mirë që patën sukses edhe në festivale ndërkombëtare në atë kohë, ka thënë Mehmetaj.

Sipas tij edhe Kosovafilmi i ka shfaqur filmat e kinostudios Shqipëria e Re dhe ky bashkëpunim duhet të rritet edhe më shumë. Kohë më parë Arkivi Shtetëror i Filmit në Tiranë filloi shfaqjen e filmave nga produksioni origjinal dhe i importuar, që sipas Mehmetajt është praktikë në të gjitha kryeqytetet e Evropës.

Ndërsa Kosovafilmi është themeluar në shkurt të vitit 1968 me vendimin e atëhershëm të Kuvendit të Kosovës.

NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›