E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmat shqiptarë “zbresin” në “Millenium”

Filmat artistikë shqiptarë mblidhen në “Millenium 2”. Mund të quhet sezoni shqiptar në kinema, i cili nis që nga ditët e para të muajit maj deri në vjeshtë të këtij viti.

ANILA MEMA

Janë së paku tri filma shqiptarë që do të shfaqen në ekranin e madh të kryeqytetit. Por nuk përfshijmë këtu filmin “Trishtimi i Zonjës Shnajder” i regjisorit Pirro Milkani, i cili vazhdon të shfaqet në qytetin e Korçës, apo filmat shqiptarë të animuar që kanë disa ditë që shfaqen në këtë kinema. “Sekretet” është filmi shqiptar, i xhiruar një vit më parë në Tiranë e Zvërnec dhe që rikthen regjisorin Spartak Pecani pas 15 vjetësh tek publiku shqiptar. Mësohet zyrtarisht se në datën gjashtë maj është vendosur që filmi i Pecanit të shfaqet në parapremierë për mediat, ndërsa në datën tetë maj, produksioni do të ketë premierën e parë dhe më pas do të shfaqet gjatë gjithë orareve të kinemasë. Drama është mbështetur te vepra “Lehje nëpër natë” e Vangjel Kozmait, njëkohësisht dhe skenarist i filmit. Gjithë historia e filmit vjen nëpërmjet zhvillimeve dhe rrëfimeve të një banori të vetmuar të quajtur Landi, nga i cili mund të zbulohet fati i individit në Shqipëri. Subjekti i këtij filmi merr shkas në një lagje ku të lehura të egra dhe të frikshme zgjojnë gjithë lagjen; lehje këto që nuk janë të lehura të një qeni, por të një banori të vetmuar të quajtur Landi, i cili pasi raportohet nga komshinjtë dërgohet në një spital psikiatrik. Landi miqësohet me një qen të humbur dhe në zhvillimet e mëvonshme do të mësojmë se, ky qen është i një ambasade të huaj. Është kjo një lidhje idilike, e cila parapëlqehet mjaft nga regjisorët qofshin edhe ata të huaj. Dhe rasti më i fundit është filmi “I’m legjend”, shfaqur pak ditë më parë në kinema “Millenium 2”. Realizmi i këtij filmi është realizuar në bashkëpunim mes kompanive “S.A.E Trimex” në Shqipëri, “Concordia Pictures” në Kosovë dhe “Netzwerkfilm” në Gjermani. Regjisori ka përzgjedhur aktorët Neritan Liçaj, Ndriçim Xhepa, Enver Petrovci, Ermela Teli, Burbuqe Çifliku, Eftiola Laçka, Pandi Toçe, Arta Muçaj, Bujar Asqeriu dhe Drita Pelingu. Ndërkohë, muzika është realizuar nga kompozitori Adrian Hila. Për këtë film mësohet se, do të ketë një tavolinë produksioni në festivalin e Kanës, ndërkohë vetë filmi nuk mundi të ishte pjesë e kësaj gare.
“Koha e kometës”
I dyti në radhë, por jo nga rëndësia, është filmi “Koha e kometës”, një realizim i regjisorit Fatmir Koçi, bazuar mbi veprën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare “Viti i mbrapshtë”.  Ky film të paktën deri dje, është rënë dakord që të shfaqet në datën 26 ose 28 maj, kur do të ketë edhe premierën.
Nuk mësohet asgjë rreth premierës se si është menduar të realizohet, sepse gjithçka i përket produksionit për këtë. Të paktën kështu është shprehur regjisori Koçi. Ky prodhim, i cili flitet se është më i kushtueshmi në historinë e kinemasë shqiptare me 2,5 milionë euro. Ndërkohë, ngjarjet zhvendosen vitin e hershëm 1914, ku pas 450 vitesh të sundimit të Perandorisë Otomane, Shqipëria çlirohet. Për ta shmangur kaosin e mëtejmë, britanikët, gjermanët dhe francezët zgjedhin një princ gjerman, Vilhelm Wid si mbret në Shqipëri. Mbreti pritet ngrohtë nga të gjithë, përveçse nga ekstremistët myslimanë dhe nga lideri i tyre Kus Babaj, i cili dëshiron që Shqipëria të jetë provincë e perandorisë otomane. Xhirimet e filmit përfunduan vjeshtën e vitit të kaluar, të cilat janë realizuar në veri të Shqipërisë por edhe në Maqedoni. Filmi mban firmën e kompanisë gjermane për produksion “LARA Enterprises”.
“Lutje dashurie”
Filmi i regjisorit Artan Minarolli ende nuk ka një datë të përcaktuar se kur do të shfaqet. Flitej deri para pak kohësh që ky film do të shfaqej në ekranin e kinema “Millenium 2” në fillim të muajit qershor. Megjithatë sipas burimeve zyrtare mësohet se, kishte mbërritur një kopje e keqe e DVD-së së filmit, kështu që u desh të kthehej sërish mbrapsht për t’u ripunuar. As vetë regjisori Artan Minarolli nuk ka një datë fikse se, kur do të shfaqet ky film i xhiruar vjeshtën e vitit 2005 në Shqipëri, kryesisht në Berat. Filmi “Lutje Dashurie” apo i quajtur edhe “Vera” deri një vit më parë, është bazuar mbi skenarin e shkrimtarit Ylljet Aliçkaj dhe ajo çka përfshihet në këtë film është tabloja e rilindjes shpirtërore të shqiptareve. Ngjarjet zhvillohen në vitet e para të tranzicionit. Në këtë film interpretojnë aktorët Arta Dobroshi, Mirush Kabashi, Ndriçim Xhepa, Margarita Xhepa, Sheri Mita gjithashtu, në rolin kryesor violinisti Tedi Papavrami.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›