E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhavit Shala publikon “Kosova mes intrigave”

I lidhur shpirtërisht me Kosovën, për shkak të prejardhjes, Xhavit Shala, një emër i njohur në fushën e analizës, që vjen edhe me përvojën e gjatë në drejtim të strukturave të ndryshme

të sigurisë së shtetit, duket e ka ndierë si obligim moral dhe intelektual të vërë në shërbim të zgjidhjes së çështjes së saj tërë njohuritë e përfituara. I dalë këto ditë në librari, libri “Kosova mes intrigave” përmbledh një cikël analizash, disa prej të cilave, me shkurtime, janë botuar në shtypin e përditshëm në Shqipëri, Kosovë si dhe në shtypin e huaj. Ato fillojnë nga muaji maj 2005, kohë kur SHBA-ja ndërmori nismën diplomatike për të zgjidhur statusin përfundimtar të Kosovës. Duket, pas nismës amerikane dhe mediatizimit të saj, kanë nisur menjëherë reflektimet e autorit, i cili, nëpërmjet disa shkrimeve, ka synuar sensibilizimin e opinionit, të medias dhe sidomos klasës politike shqiptare për rëndësinë e papërsëritshme të momenteve që po kalonte Kosova. Mesazhi kryesor ishte se shqiptarët nuk duhet të humbitnin momentin historik si herë të tjera, pasi “treni” amerikan dhe ai evropian nuk mund të qëndronin gjatë në stacionin e kombit shqiptar. Problemet e Kosovës në libër janë trajtuar në të gjithë spektrin. Një nga kapitujt që tërheqin vëmendje i është kushtuar zhvlerësimit të tezave të vjetra dhe të ofensivës politiko-kishëtare serbo-ruse. Të cilat synojnë që përpjekjet e tyre kundër pavarësisë së Kosovës t’ia shesin opinionit si një “detyrim historik” për “mbrojtjen e krishterimit evropian” nga “invazioni i islamit”, të përfaqësuar gjoja nga shqiptarët e Kosovës. Libri është strukturuar në 6 krerë, sipas problematikave të caktuara dhe vjen në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Ky strukturim është bërë jo vetëm për anën racionale, por edhe për t’u ardhur më mirë në ndihmë lexuesve e studiuesve, të vendit e të huaj. “Kosova mes intrigave” është libri i pestë në serinë e botimeve të autorit, që kanë në qendër probleme të sigurisë kombëtare. Ai vjen pas librave “Siguria kombëtare dhe sfidat e integrimit”, “Shqiptarët në udhëkryq”, “Antikanabis apo kanabopolitikë” dhe “Penalizimi i kanabopolitikës”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›