E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu-Ruecker: Vota serbe e papranueshme në Kosovë

Politikisht të gjithë forcat në Kosovë janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në trevat e shtetit më të ri.

Konfirmimi këtë radhë merret edhe nga ndërkombëtarët. Në takimin mes tyre, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe shefi i UNMIK-ut, Joachim Ruecker i kanë cilësuar “absolutisht jolegjitime dhe të papranueshme” zgjedhjet e paralajmëruara të Serbisë në Kosovë. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit të presidentit, dy autoritetet, pohuan qartë qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të UNMIK-ut për zgjedhjet që Serbia paralajmëron se do t’i mbajë edhe në Kosovë, të cilat u cilësuan absolutisht jolegjitime dhe të papranueshme. “Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran, ndaj nuk mund të jetë zonë zgjedhore për askënd”, ka theksuar presidenti Sejdiu duke ripërsëritur gatishmërinë e Kosovës për bashkëpunim ndërshtetëror dhe fqinjësi të mirë me të gjitha vendet e rajonit, në të mirë të paqes dhe të stabilitetit në këtë pjesë të Evropës Juglindore.
Gjithashtu, Sejdiu dhe Ruecker kanë pohuar zotimin e dyanshëm për bashkërendimin e plotë edhe përsa i përket procesit të tranzicionit dhe transferimit të kompetencave tek institucionet e Kosovës. Në takimin e djeshëm me presidentin Sejdiu, shefi i UNMIK-ut, Ruecker e ka informuar për rrjedhën e takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në Nju Jork, në të cilin ka paraqitur raportin e rregullt, javën e kaluar.
OKB-BE
Por duket se diplomacia nuk e ka qartësuar akoma idenë e shtetit të Kosovës. Zëdhënësja e shefit të diplomacisë evropiane ka theksuar se, vazhdojnë përgatitjet për misionin evropian në Kosovë. “Qëllimi i misionit mbetet i njëjtë megjithë faktin se janë rishikuar planet. Kjo është përshtatje praktike e procesit të vendosjes së një misioni”, tha Christina Gallach. Deklaratat e saj vijnë në kohën kur diplomatë në Bruksel thonë se, po rriten dyshimet rreth mundësisë së marrjes së drejtimit të policisë në Kosovë nga misioni i Bashkimit Evropian, pasi nuk po arrihet asnjë marrëveshje për dorëzimin e kompetencave nga Kombet e Bashkuara. “Një numër vendesh të Bashkimit Evropian mendojnë se plani i misionit evropian duhet të ripërshtatet, thënë më së buti”, citon agjencia “Reuters”. Diplomatët mendojnë se, “nëse UNMIK-u do mbetet në terren edhe pas qershorit kjo do të çimentojë de facto një ndarje të butë të Kosovës. Do të kemi UNMIKland në zonat e banuara me serbë në veri dhe EULEXland në pjesën tjetër të Kosovës banuar me shqiptarë”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›