E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zorba" për herë të parë në TOB

Nesër deri më 30 qershor, ora 19.00, në skenën e Operës dhe Baletit në Tiranë, shfaqet premierë baleti me dy akte "Zorba" me muzikë të Mikis Theodorakis. Vepra, e bazuar në romanin e famshëm të autorit grek Nikos Kazanzakis, i cili ka shkruar edhe libretin, është marrë përsipër nga koreografi Arjan Sukniqi.


Një ndërmarrje e vështirë që ka përfshirë rreth 200 artistë. Veç balerinëve vendas të trupës kombëtare si Jonida Onuzi, Elona Nallbani, Erisa Gina, Dion Gjinika, Odeta Dishnica, janë ftuar dhe dy balerinë shqiptarë, të cilët jetojnë dhe punojnë në Greqi. Janë Altin Koruti në rolin e Zorbës dhe Bledi Latifi në rolin e shkrimtarit Xhon.


Ky është një intelektual, i shkolluar në perëndim dhe Zorba, një aventurier që ka shëtitur në të gjithë botën një fshatar i urtë që pa dijeninë e tij mbart filozofinë e Niçes. Ngjarjet zhvillohen në vitet e para të shekullit të kaluar në Kretë. Është një balet filozofik i bazuar në antagonizmin e dy mentaliteteve, e dy këndvështrimeve ndaj jetës.


Skenografia është realizuar nga Platon Bardhi, kostumet nga Taulant Pustina. Mjeshtër Kori është Dritan Lumshi. Orkestra Simfonike e TOB-it drejtohet nga Edmond Doko.


Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›