E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëria e Librit Shqip organizon panair në Vlorë

Pak ditë pas krijimit të kësaj shoqate, e shkëputur nga Shoqata e Botuesve Shqiptarë, Shoqëria e Librit Shqip zhvillon aktivitetin e saj të parë në kuadër edhe të 23 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Librit.

Që prej ditës së mërkurë e deri në datën 25, në shëtitoren pranë Lulishtes së Shkrimtarëve në  Skelë, panairi do presë të ftuar shkrimtarë, poetë, akademikë e politikanë, ndërsa shkrimtarë që do të paraqesin botimet e tyre më të fundit janë Diana Çuli, Ardian Klosi, Piro Misha, Flutura Açka, Eva Gavani etj.

Panair i XII i Librit do të ketë të ftuar të veçantë shkrimtarin Fatos Kongoli, ndërsa do të ekspozojë një numër të madh krijuesish të njohur e të rinj, nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Organizimi i këtij panairi mbështetet edhe nga Shoqata e Shkrimtarëve të Vlorës si dhe shoqata të tjera kulturore.

Gjatë ditëve të panairit do të organizohen veprimtari të shumta si, takime me krijuesit, përurime botimesh të fundit të autorëve kryesisht vlonjatë, por edhe veprimtari qendrore të programuara nga organizatorët. Panairi do të jetë i hapur çdo ditë në datat 20 - 24 prill, nga ora 10.00 - 22.00.

Vlora është i vetmi qytet shqiptar që organizon dy panaire libri gjatë një viti, një në pranverë, gjatë sezonit shkollor, dhe tjetri gjatë stinës së verës, kur numri i banorëve të Vlorës trefishohet me pushues shqiptarë e të huaj. Për këtë, dhe jo vetëm, Vlora ka fituar statusin e qytetit ku libri shqip shitet dhe lexohet më shumë, pas Tiranës.
/Start/

                                                                                             2011-04-18 15:28
 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›