Tre legjionarë, gati të zënë vendin e Hanit
Jetmir Halilaj
Ari Han konsiderohet kapitull i mbyllur në korridoret e FSHF-së dhe kjo ka filluar të prodhojë menjëherë hipoteza dhe kandidatura nga më të ndryshmet për emrin që do të zëvendësojë holandezin. Burime pranë kreut të Federatës, Armand Duka, bëjnë të ditur se përveç alternativave për trajner të huaj, po diskutohet mundësia që drejtimin e Kombëtares ta marrë një ish-futbollist kuqezi, që ka eksperiencë si trajner. Emrat më të lakuar të orëve të fundit janë Besnik Hasi, Bledar Kola dhe Foto Strakosha. Për ndihmëstrajnerin e Anderlehtit, Hasin, burime pranë FSHF-së thonë se është një kandidat potencial për të zëvendësuar Ari Hanin. Në këtë kuadër edhe ish-mesfushori Bledar Kola, aktualisht trajneri i U-21 të AEK-ut, si dhe ish-kapiteni Foto Strakosha, aktualisht zv/trajner i Apoel Nikosias, kanë shanse të barabarta për të marrë timonin e kuqezinjve. Të tre këta e njohin mirë ambientin kuqezi dhe kanë një eksperiencë të konsiderueshme në arenën kombëtare, jo vetëm si futbollistë, por edhe si trajnerë.
Problemi
Strakosha, Hasi dhe Kola janë padyshim figura të shquara të futbollit shqiptar dhe kanë lënë gjurmë në ekipin tonë përfaqësueses. Ata gjithashtu prej disa kohësh punojnë në klube të ndryshme në stafet drejtuese të tyre, por është fakt, që asnjëri prej tyre deri tani nuk ka drejtuar një skuadër, ose më saktë nuk kanë qenë trajner të parë në ekipet ku punojnë. Ky është një minus për ta, pasi dihet që eksperienca si trajner i parë nuk mund të krahasohet me atë të ndihmësit, aq më tepër kur bëhet fjalë për ekipin Kombëtar. Shansi i vetëm është që, pas largimet të Hanit (gjë që pritet të zyrtarizohet gjatë këtyre ditëve), do të kenë mundësi të punojnë deri në fund të edicionit dhe të shpalosin gjithë aftësitë e tyre për të treguar se janë në gjendje që të drejtojnë ekipin përfaqësues. Në rast se ndonjëri prej tyre merr drejtimin e skuadrës, por nuk arrin ta kalojë provën, atëherë FSHF mund të vendosë që ta zëvendësojë atë me një trajner të huaj, para se të fillojë edicioni tjetër.
Avantazhi
Një nga problemet më të mëdha që FSHF ka hasur me trajnerët e huaj, ka qenë fakti që thuajse të gjithë ata nuk kanë pranuar të kalojnë shumë kohë në Shqipëri. Jo vetëm për t’iu kushtuar më tepër rëndësi talenteve të kampion atit vendës, por edhe për t’u njohur dhe për t’u përshtatur me mentalitetin shqiptar. Emërimi i një trajneri shqiptar në krye të Kombëtares do ta zgjidhte këtë problem njëherë e mirë.
Preferenca
Edhe kësaj here, burime pranë Dukës kanë bërë të ditur se ai dëshiron që të marrë një trajner të huaj dhe të mos jetë shqiptar, ndonëse e ka lënë të hapur mundësinë edhe për emërimin e një ish-legjionari në krye të stolit kuqezi. Federata dëshiron që pas largimit të Hanit trajneri të vazhdojë punën për 3 ndeshjet e mbetura.
Presioni
Drejtuesit e FSHF po hartojnë një strategji për t’i bërë sa më shumë presion Ari Hanit që të japë dorëheqjen. Qëllimi është që Holandezi pas largimit të marrë sa më pak para. Gjithsej ai ka për të marrë edhe 80 mijë euro, por FSHF nuk është e gatshme që t’ia paguajë të gjitha detyrimet e mbetur.
Shifrat
300 mijë euro ka qenë paga mesatare për çdo trajner të huaj që ka marrë drejtimin e përfaqësueses shqiptare. Një shifër e konsiderueshme, pasi trajnerë të tjerë që kanë drejtuar ekipe ballkanase, kanë marrë gjysmën e kësaj page. 4 trajnerët e fundit kanë qenë Xhuzepe Dosena, Hans Peter Brigel, Oto Bariç e Ari Han.