E Diel, 1 Nëntor 2026

Filmi polak fiton në “Shqipfilmfest”



“Mos u frikëso nga dhoma e errët”, është fituesi i edicionit të parë të festivalit të filmit të shkurtër “Shqipfilmfest”, i cili është zhvilluar në qytetin e Pejës. Tridhjetë e tre filma të metrazhit të shkurtër janë shfaqur në edicionin e parë të festivalit të filmit të shkurtër “Shqipfilmfest”. Pesë ditë me radhë sa ka zgjatur ky festival, artdashësit, kanë pasur rastin të shohin prodhime filmash të vendeve të ndryshme. Çmimi për filmin më të mirë të festivalit, “Grand Prix”, i është dhënë filmit polak “Mos u frikëso nga dhoma e errët” me regjisor Kuba Czekaj. Filmi i regjisorit Gazmend Nela, “E kuqja”, ka marrë dy çmime: Çmimin e karrierës “Faruk Begolli”, që i është ndarë aktorit Mevlyd Osman dhe çmimin e “Mediave e publikut”. Aktori norvegjez Nils Uts ka ngadhënjyer në konkurrencë për çmimin “Aktori më i mirë”, kurse aktorja britanike, Martha Copee, është shpallur “Aktorja më e mire” e festivalit. Përpos konkurrencës ndërkombëtare që e përbënin njëzetenëntë filma nga vende të ndryshme, festivali është karakterizuar edhe me konkurrencën e garës së filmit kombëtar, që kësaj radhe ka pasur në konkurrencë katër filma. Tre prej tyre nga Kosova dhe filmi “Cigarja e fundit” e Gledis Bicës nga Shqipëria. Befasi e këndshme e këtij festivali ishte “Çmimi i karrierës” që mbante emrin e njërit nga emblemat e kinematografisë tonë, tashmë të ndjerit Faruk Begolli. Ndonëse edicioni i parë i festivalit u karakterizuar nga vështirësitë organizative, padyshim se ka arsyetuar epitetin e festivalit ndërkombëtar duke sjellë filma të arrirë, që në vete përmbanin një larmi temash e kulturash.

Sarajeva pret Festivalin e 16-të ndërkombëtar të filmit
Në Sarajevë ka filluar edicioni i 16-të i Festivalit ndërkombëtar i filmit i cili do të zgjasë deri më 31 korrik. Në Festival do të paraqiten gjithsej 201 filma, ndërsa nëntë nga ata do të garojnë për shpërblimin "Zemra e Sarajevës". Ky është viti i tretë me radhë që shpërblimin e sponzoron Këshilli i Evropës, si pjesë e misionit të tij për ta popullarizuar krijimtarinë dhe kulturën e Evropës. Pritet që Festivalin ta vizitojnë më shumë se 100.000 telespektatorë, ndërsa shumica e filmave do të shfaqen nëpër kinema të hapura me 3.000 vende. Në Festival priten rreth 1.100 mysafirë, ndërsa këtë vit mysafir nderi do të jetë aktori amerikan Morgan Friman. Në suaza të festivalit, Këshilli i Evropës do të organizojë një program njëjavor për popullarizim të rëndësisë së kinematografisë si mjet për konfirmimin e lirisë së mendimit. Festivali në Sarajevë është Festivali më i madh i filmit në Ballkan dhe njëri nga më të mëdhenjtë në Evropë. Ai ishte themeluar në vitin 1995 kur Sarajeva ishte ende nën rrethim, ndërsa qëllimi është të nxisë zhvillimin e kinematografisë rajonale.

Berati “rrëmben” çmimin e parë për këngët dhe vallet
Një ndër evenimentet më të rëndësishme mbarë shqiptare, është festivali i Këngëve dhe Valleve, që mbahet çdo vit në qytetin bukur të Strugës. Ndërkaq në përmbylljen e tij, janë ndër dhe çmimet kryesore. Vallet dhe këngët tradicionale të Beratit kanë marrë çmimin e parë në Festivalin e Strugës. Ndërsa aktiviteti i radhës për Ansamblin Artistik të Beratit është Festivali i Stambollit, i cili pritet të zhvillohet nga datat 15 deri në 20 gusht në Stamboll të Turqisë. Me rastin e 2 vjetorit të futjes së Beratit në UNESCO, Shoqata kulturo-artistike e Beratit po përgatitet të zhvillojë një festival madhështor me qëllim rifreskimin e të gjitha vlerave folklorike shqiptare, të cilat duket se po shkojnë drejt harresës gjatë viteve të fundit.

Familjarët e familjes Zydi Morav falënderojnë mediat

Në një letër drejtuar redaksisë së Gazetës “Albania” familjarët e familjes Morava shprehin falënderimet për kontributet e dhëna. Falenderojmë median televizive, shtypin e shkruar, redaksinë e gazetës Albania, Koha Jonë, gazetës Shqiptare, redaksinë e gazetës Nacionalisti, revistën letrare Obeliski për artikujt e shkruajtur si homazh ndaj jetës dhe veprës poetiko-letrare të poetit liriko-romantik dhe romanet e shkruara nga shumë i dashuri ynë dhe shoku juaj, i ndjeri Zydi Morava, i cili para disa ditësh ndërroj jetë në moshën 64-vjeçare. Falënderojmë personalitete shoqërore të artit e letërsisë, miqtë e shokët e tij të cilët erdhën në sallën e Teatrit Kombëtar dhe në lamtumirën e fundit në varreza ku shprehën me fjalët e tyre konsideratat e tyre të njohjes për Zydiun si njeri, poet, shkrimtar dhe njeri human. Falënderojmë shokët e tij intelektual bashkë vuajtës në burgun e Spaçit, për ndjenjat e dhimbshme për humbjen e këtij shoku në varrim.

26 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›