E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet që prekin shëndetin e njeriut në stinën e verës



Temperaturat vazhdimisht të larta, shkaktojnë një ulje të nivelit të kujdesshmërisë së trurit dhe dobësim të madh të kujtesës njerëzore. Jo vetëm dimri na bën të ankohemi dhe të zëmë shtratin prej sëmundjeve. Por edhe stina e verës, ka “avazet” e saj. Sipas ekspertëve, ato po shtohen edhe më tepër në kuadrin e ngrohjes së përgjithshme globale, e cila po na sjell çdo vit stina verore edhe më të nxehta se të tjerat. Çdo stinë vere, nuk kalon pa shfaqur patologjitë e saj të zakonshme te njerëzit, por edhe të tilla të reja për çdo vit. Në këtë kuadër, kërkuesit e Kolegjit “Imperial” në Londër kanë studiuar rastet e sëmundjeve tipike që shfaqen nën të nxehtin e madh. E para në listën e tyre është astma, e cila njihet edhe si vështirësia e qarkullimit te ajrit në rrugët e frymëmarrjes. Po kaq problematike në stinën e verës janë edhe dhimbjet e kokës si dhe sëmundjet e zemrës.
Stina e verës
Stina e verës është një nga periudhat më të parapëlqyera për njeriun. Megjithatë, edhe kjo stinë ka ndikimet e veta në shëndetin e njerëzve, e veçanërisht problemet që lidhen me ndryshimet klimatike që ndodhin gjatë kësaj periudhe. Është e njohur prej të gjithëve se gjendja shëndetësore e popullsisë në përgjithësi varet shumë nga ndryshimet fizike të mjedisit atmosferik, pra ndotjes së këtij mjedisi, pa nënvlerësuar edhe faktorët e tjerë me ndikim. Shmangia e vetive fizike të ambientit nga kornizat normale ka për pasojë një numër më të madh të sëmundjeve, ose ndikon në shfaqjen e patologjive të ndryshme. Kjo fillimisht si pasojë e reagimit të organizmit të njeriut ndaj hyrjes së substancave të jashtme në brendi të tij. Në situata të këtilla organizmi reagon ndaj këtyre substancave dhe bëhet i ndjeshëm ndaj tyre. Një “sulm” i dytë i tyre bën që reagimi i organizmit të jetë më i shpejtë dhe më i fortë. Në këtë rast kemi të bëjmë ose me një funksion mbrojtës duke formuar bazën e rezistencës së organizmit ose me një funksion të dëmshëm që shkakton shfaqjen e ndonjë sëmundjeje. Në vendet e industrializuara ekziston një rritje e shpeshtësisë së këtyre sëmundjeve që në fakt janë reagim i organizmit ndaj ndryshimeve në ambient. Niveli i tyre është më i lartë në zonat urbane se në ato rurale apo ato më me lartësi mbidetare më të lartë. Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me një ndikim të dukshëm të ndotjes së ambientit në intensitetin e shfaqjes së sëmundjeve të këtilla të njohura si alergji. Dikujt i bie të fikët, një tjetrit i dhemb gjoksi, dikush ka të dridhura, diku është bërë një aksident, pra të gjitha këto situata kërkojnë ndihmën urgjente mjekësore. Vetë fjala urgjence vjen nga anglishjta (emergency) që do të thotë veprim i shpejtë për ndihmë.

Këshilla, për të qenë në formë gjithë verën
Vera imponon rregulla të forta edhe për linjat e trupit. Nga njëra anë joshin ushqimet kalorike, nga ana tjetër rrobat e banjës kërkojnë trup të bukur dhe të rregullt. Por si mund të realizohet diçka e tillë? Ja, rregullat që vendosin dietologët për këtë sezon të nxehtë:
Përpiquni të ruani të njëjtin racion ditor. Mund të tregoheni maniak, vetëm pas lëngjeve dhe frutave
Pini sa më shumë ujë natyral apo të gazuar. Këshillohet dhe pak limon ose mente, sipas preferencës
Përdorni sa më shumë sallata të freskëta me perimet e stinës, veçse përdorni sa më pak vaj
Në restorant, porosisni peshk ose mish me garniturë perimesh dhe në vend të makaronave merrni fruta deti
Hani sa më shumë fruta, por mos e privoni veten dhe nga akulloret
Lëvizni sa më shumë, bëni sa më shumë shëtitje, not dhe aktivitet fizik
Mos i lini pas dore lëngjet. Uji është ndihmësi më i mirë për t´i shpëtuar vapës, sepse vera është stina që than më tepër lëngjet e trupit
Pini sa më shumë edhe lëngje të tjera natyrale (qumësht, çaj, lëng supe)
Shmangni ushqimet e rënda dhe hani sa më shumë perime, sallata dhe fruta. Lajini me kujdes
Dilni sa më pak në diell mes orëve 10.00-16.00. Është mirë që të sëmurët me tension, fëmijët dhe të moshuarit të mos dalin fare jashtë në këto orare
Mbani sa më shpesh kapele dhe syze dielli
Vishni rroba të lehta dhe të pambukta, që t’ju pinë djersën

Si të mbrohemi nga temperaturat e larta
Të mos dilet jashtë në periudhën nga ora 10:00 deri 17:00 pa nevojë, ndërsa rekomandohet që njerëzit të lëvizin vetëm në orët e mbrëmjes
Gjatë këtyre temperaturave tropikale shmangen aktivitete të rënda, duke përshirë sportin, veçanërisht në periudhën më të nxehtë të ditës
Të vishen veshje të lehta dhe me ngjyra të hapua, syze dielli dhe kapele në kokë. Gjatë qëndrimit të domosdoshëm në të hapur, rekomandohen pushime më të shpeshta nën hije
Të pihen së paku dy litra lëngje dhe ato ujë jo të gazuar, ujë mineral, lëngje, çaj dhe supë. Ndalohet rreptësisht konsumimi i ushqimeve me yndyrë dhe ëmbëlsirave
Qytetarët duhet t’u shmangen pijeve alkoolike, pijeve që përmbajnë kafeinë, pijeve tepër të ftohta;
Shpesh të kontrollohet tensioni i gjakut dhe menjëherë të vizitohet mjeku në qoftë se paraqitet dhimbje koke, mundime ose humbet sasi më e madhe e ujit nga organizimi
Rekomandohet që vozitësit të cilët duhet të bëjnë relacione më të gjata të nisin në mëngjes, ose në orët e pasdites
Rekomandohet që fëmijët, të moshuarit, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna të qëndrojnë më shumë në hapësira të mbyllura, të klimatizuara, ndërsa obligimet e domosdoshme t`i kryejnë deri në orën 10 të mëngjesit, ose pasdite pas orës 17
Veçanërisht të disiplinuar duhet të jenë të sëmurët kronikë e sidomos ata me sëmundje të zemrës, neurologjike, të sëmurët me diabet, të sëmurët me sëmundje të mushkërive të bardha dhe të tjera. Për të gjitha ndryshimet në gjendjen shëndetësore është e domosdoshme të konsultohen me mjekun.

boc
Goditjet astmatike
Temperaturat e larta janë të rrezikshme për ata që marrin frymë me vështirësi, pasi ato e thajnë ajrin dhe e ashpërsojnë atë. Të gjithë ata që vuajnë prej kësaj sëmundjeje, sapo vjen stina e verës, nisin njëkohësisht edhe stinën e “vuajtjeve” të tyre. Prandaj, ekspertët japin këshillën kryesore ndaj këtyre pacientëve, që të mos dalin në asnjë mënyrë gjatë pikut të vapës në stinën e nxehtë të verës. Pasi ata rrezikohen të pësojnë atake të forta astmatike, të cilat mund t’i çojnë edhe drejt vdekjes. Studiuesit kanë arritur në përfundimin se shkalla e lartë e lagështirës, shkakton probleme të mëdha në rrugët e frymëmarrjes si edhe në lëngjet e kockave. Viruset respiratore bëhen edhe më agresive në temperatura të larta. Astma bronkiale është një sëmundje alergjike e bronkeve dhe rrugëve të frymëmarrjes. Në pjesën më të madhe, në gati 80 për qind të rasteve, shkaqet përgjegjëse për shfaqjen e sëmundjes ndodhen në ajër dhe përcaktohen me anë të provave të alergjisë. Në një pjesë të vogël, gati në 20 për qind, sëmundja nuk ka shkaktarë përgjegjës të dukshëm. Por mund të ndodhë që faktorë shkaktarë të ndodhura në mjedisin e jashtëm ta shpërthejnë për herë të parë dhe ta ngacmojnë vazhdimisht sëmundjen gjatë ecurisë së saj në mënyrë të vazhdueshme. Përveç kësaj, të gjitha astmat bronkiale janë të njëjta për sa i përket mekanizmave që janë përgjegjës për ndryshimet që ndodhin në epitelin bronkial (mukozën që mbështjell bronket). Si rezultat, të gjitha astmat bronkiale janë sëmundje alergjike të rrugëve të frymëmarrjes. Shkaktarët alergjikë në ajër më të shpeshtë janë mikroorganizmat, që ndodhen te pluhurat e shtëpisë dhe polenet e ndryshme. Por ajo mund të shkaktohet dhe nga substanca të ndryshme të prejardhura nga kafshët shtëpiake, mykrat e ambienteve të brendshme, por dhe të jashtme, alergjenët e tjerë që gjenden te ilaçet dhe ushqimet, viruset e ndryshme që kapin rrugët e frymëmarrjes (të ftohurat e zakonshme). Në faktorët e jashtëm futen dhe cilësia e ajrit si: lagështia, presioni atmosferik, tymrat dhe ndotësit e ndryshëm, faktorë këta që zënë një peshë të rëndësishme në rëndimin e gjendjes shëndetësore të astmatikëve.

Këshilla parandaluese
Mbajini fëmijët në vende të ajrosura mirë
Eliminoni lagështirën, sidomos në dhomat e gjumit
Eliminoni ambientet e pa ajrosura mirë dhe me myk
Ushqeni me gji fëmijët, të paktën deri në moshën 1 vjeç
Shmangni sterilitetin e tepruar në rritjen e fëmijëve
Shmangni mbipërdorimin e detergjenteve
Shmangni përdorimin e ushqimeve që përmbajnë alergjentë
Shmangni ekspozimin ndaj poleneve të luleve
Gratë shtatzëna nuk duhet të qëndrojnë në ambiente me tym duhani
Fëmijët e vegjël nuk duhet të qëndrojnë në ambiente ku pihet duhan
Ndjekja te mjeku specialist dhe zbatimi me përpikmëri i rekomandimeve të tij

26 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›