Xhelozia, burri vret gruan dhe vajzën, brenda në shtëpi
Artan CENA
SHKODËR - Krimi ka tronditur një familje shkodrane. Pjetër Rrjolli, 48 vjeç, ka vrarë me pistoletë bashkëshorten e tijm, Nina Rrjolli 46 vjeçe dhe më pas edhe vajzën 18-vjeçare që kishte shkuar në dhomën e prindërve që të shuante sherrin. Gjithçka ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm në një familje të thjeshtë në fshatin Samrish i Ri, Komuna Dajç, Shkodër. Burime nga policia lokale kanë bërë të ditur se, në mëngjes rreth orës 05:35 minita kanë marrë një telefonatë ku njoftohej për vrasjen e dy personave. Telefonuesi ka treguar se krimin e kishte bërë ai dhe viktimat ishin, gruaja dhe vajza. Policia që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka gjetur në gjendje të rëndë mendore, Pjetër Rrojllin. Ai është arrestuar menjëherë, ndërkohë që i është bllokuar dhe arma e krimit, një pistoletë.
Shkaqet
Policia e Shkodrës ka mundur që të zbardhë disa shkaqe në lidhje me vrasjen e dyfishtë të ndodhur mëngjesin e djeshëm. Sipas tyre, shkak për krimin e rëndë ka qenë një sherr mes gruas dhe burrit herët në mëngjes ku vajza më e madhe e shtëpisë, Kristina është mundur ta zbusë. Gjithçka ka ndodhur dhomën e gjumit të çiftit. Dyshohet se Pjetër Rrjolli e ka kërcënuar me armë gruan e tij, Ninën dhe më pas e ka qëlluar. Në këtë moment ka ndërhyrë vajza, e cila është munduar ti marrë babait armën nga duart. Por, tepër vonë. Arma është shkrehur dhe e vdekur ka mbetur dhe vajza e tij, Kristina. Ngjarja e rëndë ndodhi para syve të dy fëmijëve të tjerë të familjes Rrjolli, më të vegjël në moshë se Kristina. Ka qënë vetë Pjetri që telefonoi policinë për çfarë kishte ndodhur në banesën e tij. Nga informacionet që ka marrë policia, u mësua se çifti grindej vazhdimisht për motive xhelozie dhe për gjendjen e rëndë ekonomike ku ndodhej familja. Policia e konsideroi vrasjen e ndodhur për motive të dobëta, ndërsa babai dhe njëkohësisht bashkëshorti vrasës ndodhet nën arrest në gjendje të rëndë psikologjike. Ndërkohë dy fëmijët e vegjël të familjes janë marrë nga të afërmit që po perpiqen ti qetësojnë pas tragjedisë së ndodhur në banesën e tyre.
Ngjarja
Në orën 05:35, në fshatin Samrish i Ri, Komuna Dajç Shkodër, Pjetër Rrjolli, 48 vjeç, banues në këtë fshat, ka vrarë me armë zjarri pistoletë, bashkeshortën e tij Nine Rrjolli, 46 vjeçe dhe vajzën e tij Kristina Rrjolli 18 vjeçe, thanë burimet zyrtare të policisë. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie dhe një grup hetimor me në krye prokurorin e rrethit. Nga hetimet e para mësohet se, ngjarja ka ndodhur brenda në banesën e familjes Rrjolli, pas një konflikti për motive të dobëta. Për pasojë dyshohet se autori gjatë kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të rënduar depresioni dhe pasi ka bërë vrasjen e dyfishtë në familjen e tij, ka njoftuar vetë policinë për të deklaruar krimin e kryer. Menjëherë është bërë arrestimi në flagrancë i autorit ngjarjes si dhe është sekuestruar si provë, arma e krimit tip “pistoletë”. Ndaj Pjetër Rrjollit janë ngritur akuzat e “vrasjes me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”.
Në pranga autori
Zihen për një mushkë, i riu
përfundon në spital me thikë në shpinë
GJIROKASTËR - Paratë e papaguara për mushkën e blerë kanë sjellë një sherr me pasojë plagosjen e një të riu dhe vënien në pranga të të dyshuarit. Burime zyrtare nga Policia e Gjirokastrës kanë bërë të ditur se mëngjesin e djeshëm, rreth orës 09:00, efektivët e Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjirokastër kanë bërë ndalimin e Naim Canajt, 26 vjeç, lindur në Përmet dhe banues në Gjirokastër. Ndalimi i tij është bërë për arsye se në datën 22 korrik 2010, rreth orës 20:00, në qendrën e lagjes “18 Shtatori” të qytetit Gjirokastër, pas një sherri për motive të dobëta, (një pagesë e pabërë për shitjen e një mushke), ka plagosur me dashje mbas shpine (kurriz), me anë të një thike shtetasin E. K., 29 vjeç, lindur dhe banues në lagjen Dunavat të qytetit Gjirokastër. I dëmtuari është transportuar menjëherë për në spital nga ana e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Gjirokastër, për të marrë ndihmën e parë mjeksore. Pas marrjes së ndihmës së parë mjeksore, i plagosuri i’u nënshtrua një operacioni dhe gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën. Policia ka kryer të gjitha veprimet ligjore në vendngjarje, ka shoqëruar në ambjentet e Komisariatit të Policisë disa dëshmitarë okularë në vendngjarje për të bërë të mundur identifikimin e autorit, pasi shtetasi i dëmtuar nuk dha asnjë shpjegim policisë për këtë ngjarje duke u justifikuar që nuk e njoh dhe autori ishte larguar menjëherë nga vendngjarja, megjithëse policia shkoi në kohë relae në vendgjarje. Si rezultat i grumbullimit të informacioneve në rrugë operative nga ana e Specialistëve të Parandalimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër, është bërë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe indetifikimi i autorit. Policia ka ushturuar kontrolleve të shumta në disa lagje dhe banesa të qytetit Gjirokastër ku mendohej se fshihej autori, por nga një informacion i marrë orët e fundit në rrugë operative rezultoi që autori i ngjarjes ishte larguar në drejtim të Përmetit dhe fshihej në një banesë në qytetin e Këlcyrës tek një i afërm i tij. Menjëherë forcat e Policisë së Komisariatit të Policisë Gjirokastër të mbështetura edhe nga forcat e Policisë së Komisariatit të Policisë Përmet dhe gjatë orëve të para të mëngjesit, kanë bërë rrethimin e banesës dhe më pas kapjen e autorit të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje”.
Vrasja e të riut, arrestohet i dyshuari për krimin
MIRDITË - Ka rënë në pranga autori i dyshuar për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në qytetin e Rrëshenit, Mirditë. Policia lokale tha gjatë ditës së djeshme se, ka bërë të mundur arrestimin e autorit të krimit të ndodhur. Ai është Sokol Shutani, i cili ka vrarë pas një përleshje me armë 26-vjeçarin Leon Gjoka. Ngjarja e rëndë ndodhi dy ditë më parë pas një sherri dhe viktimë ngeli një i ri. Leon Gjoka u qëllua me armë në afërsi të komisariatit të policisë Mirditë. Burimet policore saktësuan se vrasja ka ndodhur rreth orës 21:00 të mbrëmjes. Krimi ndodhi në një lokal në afërsi të spitalit, ku sipas policisë, 27-vjeçari Sokol Shytani ka qëlluar me pistoletë mbi 26-vjeçarin duke e lënë të plagosur rëndë. Ndonëse Leon Gjoka u dërgua në urgjencën e spitalit të Lezhës, gjeti vdekjen rrugës. Sipas burimeve policore që u referohen dëshmitarëve okularë, ka qenë një sherr banal në mes të rinjve në lokalet në qendër të qytetit që ka sjellë në ngjarjen e rëndë. Fillimisht sherri në mes të rinjve ka filluar në lokalin afër spitalit ndërsa është zhvendosur më pas në mes të sheshit të qytetit ku ka precipituar në dhunë mes njëri tjetrit. Më pastaj, Sokol Shytani ka përdorur armën tip pistoletë që e mbante pa leje, duke qëlluar pesë herë, fillimisht në ajër, pastaj në tokë dhe një plumb në drejtim të 25- vjeçarit, i cili e ka zënë në bark.
Vdes i riu, e zuri korenti duke vjedhur në kabinë
LUSHNJE - Kishte hyrë në një kabinë të tensionit të lartë për të vjedhur telat e bakrit, por ka mbetur i vdekur në vend. Ngjarja ka ndodhur në rrugën e hyrjes për te spitali civil i Lushnjes në një kabinë elektrike të linjës 20 kilovolt. Banorët e lagjes kanë parë kufomën e një personi në kabinë dhe kanë njoftuar forcat e policisë të cilat kanë kërkuar asistencën e punonjësve të elektrikut. Në vendngjarje janë gjetur dhe një palë pinca, të cilat dyshohet se mesa duket viktima i kishte përdorur për të prerë kabllot e tensionit të lartë të cilat i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Efektivat e komisariatit pas punës hetimore kanë bërë gati të gjitha materialet dhe është bërë në orët e mëngjesit të djeshëm dhe identifikimi i personit të gjetur i vdekur në kabinë. Fatos Bajrami, 23 vjeç është identifikuar nga të afërmit e tij. Viktima ishte banor i fshatit Stan, 3 kilomtra larg qytetit të Lushnjes dhe rezultonte me dosje kriminale sepse kishte kryer dhe akte të tjera vjedhjeje për të cilat dhe ishte dënuar.
26 Korrik 2010