E Diel, 1 Nëntor 2026

Filmi "Gjallë" në Festivalin Ndërkombëtar në Palm Springs



Filmi "Gjallë" (Alive), i regjisorit Artan Minarolli, përveç pjesëmarrjes në Festivalin e Filmit në Clevelend të SHBA-së, është zgjedhur edhe të jetë pjesë e seksionit të filmit të huaj në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Palm Spring, Los Anxhelos. Vetë regjisori Artan Minarolli është ftuar të marrë pjesë në shfaqjen e filmit të tij më 16 dhe 17 janar 2010, si dhe në mbrëmjen gala të ndarjes së çmimeve. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Palm Springs, që do të mbahet nga data 7 deri në 18 janar 2010, ka një reputacion të fortë në botën e kinemasë dhe shërben si një trampolinë për të kaluar në industrinë filmike, duke shënuar arritje të suksesshme në shitjen dhe distribucionin e filmave të rinj dhe në promovimin e kineastëve. Ky festival është i njohur edhe si "paradhoma" e edicionit të 82 të çmimit "Oskar" për vitin 2010, pasi, siç dihet, ky film përfaqëson Shqipërinë në këtë konkurrim. Njëherësh filmi "Gjallë" është pranuar në programin e "Europian Film Market" në Festivalin e Berlinit. Deri tani filmi "Gjallë" i regjisorit Artan Minarolli ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare dhe është vlerësuar me disa çmime.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›