E Shtunë, 31 Tetor 2026

Filmi shqip në Munchen

Dy regjisorë, Faton Bajraktari dhe Kastriot Saqipi, prezantuan kinematografinë tonë në Ditët e Kulturës Ballkanike në Munchen të Gjermanisë, ku u mirëpritën nga kritika. Dy histori të trajtuara në shirit filmik, njëra prezantoi Kosovën ndërsa tjetra Preshevën.

Dy regjisorë, secili me nga një film, e prezantuan për herë të parë vendin në njërin nga festivalet më të njohura të filmit në Munchen. Ditët e Kulturës Ballkanike në Munchen, për rreth 5 vite me radhë, prezantojnë kinematografinë dhe gjithë kulturën ballkanike në forma të ndryshme, për aq ditë sa zgjatë festivali. Këtë vit ishin të ftuar dy regjisorë, njëri që e prezantoi Kosovën, Faton Bajraktari me filmin e shkurtër “Lufta” dhe Kastriot Saqipi e prezantoi Preshevën me filmin “Zakonisht”.

Saqipi shprehet i fascinuar me pritjen që iu është bërë dy regjisorëve. Për të ishte befasi e veçantë gjithë ajo që kanë përjetuar në festival. Ai tha se nuk kanë qenë të vetëdijshëm se në çfarë festivali kanë qenë. “Kur kemi shkuar atje, për filmin e Preshevës, kanë thënë që një enklavë të vogël ke arritur ta prezantosh në një kinema kaq të madhe, mirëpo ajo që duhet ta përmendi është filmi ‘Lufta’ i regjisorit Faton Bajraktari, me të cilin kritika është fascinuar, e është fjala për një kritikë ndër më të njohurat në botë”, theksoi Saqipi.

Në kuadër të këtij festivali organizohen shumë punëtori, në të cilat prezantohen kulturat e ndryshme ballkanike. Serbia prezantoi këtë herë krijimtarinë e Ivo Andricit. “Edhe ne kemi figura të mëdha letrare, që vitin që vjen kemi mundësi t’i prezantojmë”, tha Saqipi.

Në fushën e kinematografisë nga Kosova ishte filmi “Lufta” i cili trajton demitizimin e njerëzve pas luftës. Në këtë film flitet për një udhëheqës të një vendi të caktuar, i cili luftën e kalon në një shpellë, duke mos e përjetuar asnjë ditë të luftës, mirëpo pas luftës, çuditërisht pasi del nga shpella, para qytetarëve prezantohet si një hero. “Këtë qasje të Fatonit një nga kritikët gjerman e krahasoi me ‘Underground’ të Emir Kusturicës, mirëpo duke e konsideruar temën e Fatonit si shumë më të kapshme. Shumë ballkanas për filmim thanë se këtë gjetje që e ka bërë Fatoni, e gjejnë vetën shumë ballkanas dhe është një gjetje e jashtëzakonshme”, tha ai.

Ndërkohë që filmi tjetër i cili prezanton Preshevën, përveç tjerash shënon një histori, duke qenë filmi i parë i gjiruar në Preshevë, e kjo ka ndodhur në vitin 2008.

Filmi ‘Zakonisht’ paraqet lindjen, jetën monotone të një qyteti, i cili ka mbetur i harruar, paraqitet çdo ditë e jetës së zakonshme e një qytetari. Çdo ditë takohesh me një lypës, me një polic, me një kamerier, çdo ditë në Preshevë dëgjon se lindi një fëmijë, apo dëgjon se vdiq dikush, kjo përsëritet çdo ditë, e ki përshtypjen që data nuk ec dhe një ditë përsëritet gjithmonë. “Edhe atje e thash se unë kam ikur nga kjo enklavë duke mos dashur që ta kem çdo ditë të njëjtë të jetës sime”, u shpreh Saqipi.

Filmi “Lufta” menjëherë është ftuar në festivalin “Swikos” në Basel. Po në këtë festival, vitin e kaluar, filmi “Tri Dritare” i Faton Bajraktarit, u zgjedh filmi me regjinë më të mirë.

Nikoqir i Ditëve të Ballkanit për vitin 2011 ishte zonja Emilia Müller e Gjermanisë, ku mori pjesë edhe Doris Pack (deputete në kuvendin evropian dhe shefja e komisionit vëzhgues në zgjedhjet në Bosnje, Kosovë dhe Shqipëri) si dhe morën pjesë persona nga bota e modës, autorë dhe regjisorë, të cilët kanë fituar çmime shumë të larta botërore.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›