E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ronaldo: Falë Zotit, u kualifikuam

Cristiano Ronaldo e ka falënderuar Zotin, për kualifikimin e Portugalisë në Kampionatin Evropian ‘Euro 2012’. Portugezët ishin më të suksesshëm se Bosnja e Hercegovina në ndeshjet e barazhit, duke barazuar në takimin e parë në Sarajevë (0:0) dhe duke fituar të martën mbrëma bindshëm 6:2 në stadiumin Estadio Luz të Benficas.

Ylli i Real Madridit pati një paraqitje impresionuese, duke realizuar dy gola ndaj boshnjakëve. “Bëra një lojë të mirë, ku shënova edhe gola. Edhe ekipi luajti mirë, jemi mjaft të lumtur dhe e falënderojmë Zotin që jemi në Euro 2012”, ka thënë Ronaldo, në një intervistë për goal.com

- “Nëse i konsiderojmë gjërat në përgjithësi, Portugalia e meritoi fitoren, ishim më të mirë se boshnjakët. Këtë e vërtetuam edhe sonte, njëjtë si në ndeshjen e parë. Mendoj se rezultati ishte korrekt, sepse luajtëm më mirë dhe jemi më të mirë se kundërshtari”, shtoi 26 vjeçari.

Ai ka folur edhe për sfidat e radhës që do t’i ketë me Real Madridin, duke filluar nga ajo me Valencian. Por, ish futbollisti i Manchester Unitedit nuk po mendon ende për super sfidën e dhjetorit, ‘El Clasicon’.

“Ne nuk mund të mendojmë qysh tash për ndeshje me Barcelonën. Do të luajmë me Valencian, e cila është në pozitën e tretë në ligë dhe më pas me Atletico Madridin. Do të jenë dy ndeshje mjaft të vështira dhe nëse nuk i fitojmë ato, është e kotë të mendojmë rreth Barcelonës. Jemi të qetë, do të mundohemi ta ndjekim rrugën e rezultateve pozitive”, përfundoi Ronaldo. Reali gjendet në krye të La Ligas me 28 pikë nga 11 ndeshje, 3 më shumë se Barcelona, që është e dyta.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›