"Filmimi i votave, kamerat nuk dhanë transparencë"
Partia Socialiste përcolli dje para opinionit publik të tjera fakte rreth asaj çka e cilëson deformim të procesit zgjedhor të datës 28 qershor. "Kërkesës së përsëritur të Partisë Socialiste, për të hetuar dhe zbardhur të vërtetën e këtyre zgjedhjeve përfaqësues të mazhorancës i përgjigjen me justifikimin se janë vënë në dispozicion të forcës sonë politike të gjitha filmimet e të gjithë procesit të numërimit të votave në Shqipëri", u shpreh Beqja. Sipas tij, "edhe pse vendosja e kamerave dhe filmimi i procesit të numërimit u pa si një garanci shtesë për transparencë, dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se sot, kur Partia Socialiste kërkon të bëjë transparencë mbi procesin e numërimit të votave, filmimet e vëna në dispozicion nuk ofrojnë asnjë mundësi për të bërë transparencën e kërkuar". Beqja tha se për 7 KZAZ-të, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve deri ditën e sotme nuk i ka vënë në dispozicion Partisë Socialiste asnjë minutë filmimi. "Bëhet fjalë për filmime të vendnumërimit të votave në Durrës, Elbasan, Peqin, Fier, Kukës, Laç, në njësinë 11 në qytetin e Tiranës. Ndërsa për dy prej tyre filmimet janë vetëm për 10% të kohës së numërimit. Është fjala për Krujën dhe Beratin. Për Beratin ne patëm kërkuar edhe rinumërim të votave", theksoi Beqja. Por, shtoi ai, edhe filmimet në qendrat e tjera që janë vënë në dispozicion janë të paqarta, pa orientime të sakta, dhe shpesh të padeshifrueshme se për çfarë QV bëhet fjalë, duke e bërë krahasimin të pamundur. "Fakti që edhe kjo garanci për transparencë nuk ekziston, konfirmon edhe një herë jo vetëm drejtësinë e qëndrimit të opozitës, e cila mbështetet dhe në raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR, në të cilin thuhet së procesi i numërimit të votave në 1/3 e vendnumërimeve ka qenë i keq ose shumë i keq. Zbardhja e së vërtetës së 28 qershorit është dhe do të mbetet një kusht themelor për garantimin e demokracisë në vend", theksoi Beqja. Në këtë formë, socialistët u kanë kthyer përgjigje pretendimeve të ngritura nga mazhoranca dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve se "Partisë Socialiste i janë dhënë gjitha filmimet dhe ka parë se nuk ka asnjë manipulim".