Filmonte klientët që shkonin me prostituta
Edmond Velia është prangosur nga policia italiane, pasi u bënte presion klientëve që shkonin me prostitutat e shfrytëzuara prej tij, duke i filmuar gjatë momenteve intime
Artan CENA
SANREMO - Një shqiptar pritet të përballet sot me gjykatën, pasi mbi të është ngritur akuza e shfrytëzimit të femrave për qëllime prostitucioni dhe shantazh ndaj klientëve që shkonin me vajzat e shfrytëzuara prej tij. Edmond Velia, 32 vjeç, ishte vënë nën hetim nga policia italiane, pasi ishte denoncuar nga klientët që shkonin me vajzat që shfrytëzoheshin prej tij si prostituta, të cilët 32-vjeçari i filmonte gjatë kohës që ata kryenin marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës. Këto filmime më pas përdoreshin për presion ndaj klientëve, duke bërë që shqiptari të kishte përfitime të tjera financiare prej tyre, por këtë radhë nëpërmjet shantazhit. Lajmi është bërë i ditur nga media italiane. Këto të fundit kanë treguar se, shfrytëzuesi shqiptar, i cili dhe i filmonte prostitutat kur shkonin me klientët, do të dalë para gjykatës për akuzat e ngritura ndaj tij. Sipas medias, ai u bënte presion klientëve të vajzave, duke u marrë para. Media ka bërë të ditur se policia ka mbledhur një sërë provash kundër shqiptarit, sepse pas arrestimit në banesën e tij, janë gjetur filmime të shumta të personave të ndryshëm, të cilët pasi kishin paguar para në këmbim të seksit, kishin rënë edhe pre e shantazhit nga 32-vjeçari shqiptar. Nga të dhënat e grumbulluara nga agjentët, është mësuar se Velia kishte përfituar qindra-mijëra euro nga kjo mënyrë.
***
Media italiane ka bërë të ditur se, pritet që të nisë sot gjyqi me drejtues Eduart Brakon, në Sanremo, ndaj emigrantit shqiptar Edmond Velia. Sipas të dhënave të policisë, emigranti shqiptar është vënë në pranga gjatë një hetimit të nisur nga Guardia di Financa e Sanremos, për të shkatërruar një rrjet prostitucioni të femrave nga Europa Lindore. Hetimet kishin muaj para se të bëheshin arrestimet, në muajin maj të vitit të kaluar. Rrejti i prostitucionit mësohet se drejtohej nga shqiptarë. Por Velia mësohet se kishte një rol të veçantë në këtë grup. Nga hetimet është arritur në përfundimin se 32-vjeçari i filmonte personat të cilët merrnin klientët dhe iknin duke paguar për disa orë. Shumica e klientëve, sipas hetimeve, ishin të martuar. Me të marrë pamjet, grupi shkonte dhe u bënte shantazh, duke u kërkuar para. Ata i kërcënonin klientët se, nëse nuk paguanin, atëherë kaseta me filmimin e tij do të përfundonte në duart e bashkëshorteve të tyre.
***
Nga kontrollet policia tha se kishte gjetur një sasi të madhe eurosh, që besohet se janë para të ardhura nga aktiviteti kriminal, por gjithashtu ishin gjetur edhe të dhëna për vajzat, të cilat ishin nxjerrë në rrugë nga i arrestuari, së bashku me pjesëtarët e tjerë të organizatës kriminale. Policia tha se ishin disa denoncime të bëra nga qytetarët, të cilët kishin rënë pre e këtij shantazhi, dhe më pas kishte nisur edhe hetimi për organizatën që bënte edhe trafikimin e femrave për qëllime prostitucioni. Policia tha se kryesisht vajzat vinin nga Europa Lindore dhe nxirreshin në rrugë për të prostituuar. Gjatë kontrollit në banesa, përveç parave dhe filmimeve, policia ka sekuestruar edhe disa kompjuterë, ku mendohet se ka materiale në lidhje me aktivitetin e organizatës kriminale. Seanca e sotme do të jetë e para për të arrestuarin Edmon Velia, dhe pritet që gjykata të japë vendime të ashpra ndaj pjesëtarëve të kësaj organizate kriminale, që u godit gjatë vitit të kaluar.
“Aksion” në Rimini
Karabinierët zhyten në ujë për kapur bandën e grabitësve shqiptarë
RIMINI - Një skuadër e karabinierëve të Riminit për pak sa nuk ka rrezikuar jetën, për shkak të ujit të ftohtë, teksa ishin në ndjekje të dy shqiptarëve, që sapo kishin tentuar grabitjen e një vile. Të sigurt që grupi i shqiptarëve ishte implikuar edhe herë të tjera në ngjarje të tilla, skuadra i pikasi ata teksa po tentonin të hynin në një vilë. Sapo një prej shqiptarëve është bërë gati, policia ka ndërhyrë duke bërë që dy hajdutët e vilave të largohen me shpejtësi dhe më pas të zhyten në ujërat e ftohta të lumit Asua, por pa arritur t’u shpëtojnë karabinierëve, pasi edhe ata janë zhytur në ujërat e ftohta, duke arrestuar kështu shqiptarët. Sipas mediave italiane, thuhet se policët kanë qenë në ndjekje të dy shqiptarëve, të cilët kanë tentuar të grabisnin një vilë, por pa arritur të futen në brendësi të saj. Duke mos arritur të gjenin atë çka kërkonin, shqiptarët nga zhurma e krijuar, tentuan të arratiseshin, pasi dhe policia u vu në ndjekje të tyre. Bëhet fjalë për emigrantët shqiptarë Florian Limonaj, 37 vjeç dhe Denis Smakaj, 25 vjeç. Ai që lajmëroi karabinierët ishte pikërisht pronari i vilës, i cili arriti të shihte dy shqiptarët që po largoheshin nga prona e tij private. Menjëherë sapo erdhën në atë lagje, karabinierët e rrethuan zonën dhe aty arritën të dallonin një makinë të ndezur, në të cilën ndodheshin të dy djemtë, të cilët me sa duket ishin përgatitur për një plaçkitje tjetër të një banese, por me të parë policët, ata filluan arratinë e tyre. Duke mos pasur asnjë rrugë shpëtimi, ata u hodhën në ujin e ftohtë të Asuas, ku menduan se mund të largoheshin, por karabinierët i ndoqën, duke u hedhur dhe ata e duke bërë të mundur arrestimin e njërit prej tyre. Shqiptari tjetër u arrestua nga tre karabinierët e tjerë, të cilët ndodheshin në urën e asaj zone, ku u bë dhe kapja e të riut. Ditën e sotme pritet të jepet edhe vendimi në gjykatën e Riminit për sau përket çështjeve të dy të rinjve shqiptarë.
Kapen të miturit, tentuan vjedhjen e banesës
TIRANë - Forcat e policisë së Tiranës arrestuan në flagrancë tre të mitur për veprën penale të vjedhjes, e realizuar në bashkëpunim. Mësohet se ata janë të miturit me inicialet D. D., 14 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Bathore, J. N., 14 vjeç, lindur dhe banues në Bathore dhe R. ç., 14 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Bathore. Kapja e tyre u bë, pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vjedhin banesën në pronësi të një personi, të ndodhur në Bathore. Burime zyrtare thanë se, nga hetimet e bëra, është arritur në përfundimin se këta të mitur janë edhe autore të disa vjedhje banesash të ndodhura në zonën e Bathores. Pas kësaj, policia tha se dosja me materialet do t’i kalojnë prokurorisë për hetimin në gjendje të lirë, për shkak të moshës. Akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë: “vjedhje e mbetur në tentativë” dhe “vjedhje” në bashkëpunim.
Arrestohen shqiptarët, trafikonin narkotikë
SAVONA - Janë arrestuar nga forcat policore të Savonës një grup prej pesë personash, me akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike dhe të prostitucionit, ku pjesë e këtij grupi kriminal ishin edhe dy shqiptarë. Bëhet fjalë pikërisht për shtetasit shqiptar Fadil Rustemi, 34 vjeç, i cili merrej me punë artizanale, dhe Ismail Myftari, 44 vjeç,me profesion shofer, të cilët u arrestuan së bashku me shtetasit italianë Filippo Picolo, 47 vjeç, Luca De Meglio, 41 vjeç, dhe Daniele Vaca, 35 vjeç. Mesa duket, kanë qenë pikërisht dy shqiptarët, të cilët mbanin në zotërim dy gra të martuara dhe i shfrytëzonin ato për qëllime prostitucioni. Krahas kësaj akuze, ky grup akuzohet edhe për trafikim të lëndëve narkotike, ku pas arrestimit të tyre, forcat policore deklaruan se ata kishin edhe precedentë penalë të mëparshëm.