Biznesi i huaj i “shtrëngon” lakun kryeministrit për çështjen e pronave private
Zgjidhja imediate e çështjes së pronësisë mbi tokën dhe pronën private ka qenë kryefjala e përfaqësuesve të bizneseve të huaja në debatin e hapur me qeverinë dhe kryeministrin Berisha. Konferenca e organizuar dje në Tiranë nga grupi "The Economist", ka pasur pikërisht për qëllim vënien përballë të biznesit me përfaqësues të qeverisë që mbulojnë sferat ekonomike. Duke përfituar nga kjo situatë e favorshme, përfaqësuesit e bizneseve të huaja, por edhe atyre vendase, i kanë kërkuar qartë dhe prerë kreut të qeverisë shqiptare, kryeministrit Sali Berisha, që të zgjidhë sa më parë çështjen jashtëzakonisht problematike të pronës private, si dhe ligjin që do të mbrojë dhe përcaktojë qartë rregullat e biznesit dhe të konkurrencës së lirë. Të dyja këto çështje kanë vënë përpara përgjegjësisë kryeministrin Berisha, i cili pa iu shmangur dot këtyre kërkesave të hapura, ka deklaruar se qeveria aktualisht po shikon me seriozitet zgjidhjen e çështjes së pronësisë. “Jemi duke punuar dhe po shikojmë mundësinë e zgjidhjes më parë të problemeve mbi pronësinë në zyrat shtetërore dhe me dokumentacionet, dhe më pas do të nisë gradualisht dhe zgjidhja e të gjithë procesit të pronës private dhe të kompensimit të ish-pronarëve”, - ka deklaruar kryeministri Berisha. Ai më tej ka theksuar edhe luftën kundër korrupsionit dhe uljen e taksave dhe të kohës së regjistrimit për bizneset, që sipas kryeministrit, “do të shërbejë për të krijuar lehtësi të mëdha për thithjen e mëtejshme të investimeve të huaja në vend”.
Konferenca
Konferenca "Tryeza e tretë e rrumbullakët e biznesit me qeverinë shqiptare", e organizuar nga grupi "The Economist", që nisi dje punimet në Tiranë, organizohet për të tretin vit radhazi në Shqipëri. Në qendër të tryezës së rrumbullakët midis biznesit dhe qeverisë shqiptare është “Identifikimi i mundësive dhe marrja e masave për përthithjen e investimeve të huaja”, ku diskutimet po përqendrohen mbi sfidat që ka përpara qeveria shqiptare, mundësitë për biznes nga investitorët vendas dhe të huaj si dhe krijimin e lidhjeve mes tyre. Ajo do të trajtojë temën "Për investime të frytshme", ku marrin pjesë përfaqësues të kompanive private shqiptare, të kompanive të huaja që zhvillojnë bizneset e tyre në Shqipëri në sektorët e ndryshëm të ekonomisë, përfaqësues të Trupit Diplomatik në Tiranë, ministrat e qeverisë shqiptare të Financave Ridvan Bode, Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, përfaqësues nga kompanitë "Microsoft", "Mol", "Oracle Cyprus Solutions", "Phillip Morris Interantional", "Red Bull", "Saxon", "Societe generale", "VA Tech Hydro" etj.
Temat
Zhvillimi i Konferencës synon të ballafaqojë qeverinë me biznesin për të diskutuar rreth problemeve që shqetësojnë investitorët, të cilët e shikojnë Shqipërinë si një mundësi për të investuar. Në konferencë do të trajtohen një sërë temash si: “A mundet ekonomia e Shqipërisë të vazhdojë rritjen e shpejtë pavarësisht krizës financiare globale?”; “Kur do të arrijnë të rinovohen siç duhet rrjetet e transportit dhe të energjisë?”, “Cilat janë shanset për investime duke përfshirë sektorin financiar në rritjen të shpejtë?” etj.
Qeveria, koncesione për aeroportet e Vlorës dhe Sarandës
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se qeveria shqiptare po negocion me kompaninë “Hochtief” për heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve ndërkombëtare. Sipas kreut të qeverisë, ”ne jemi të gatshëm t'i ofrojmë kësaj kompanie menaxhimin e projekteve të aeroportit të Vlorës dhe Sarandës”. Sipas marrëveshjes së koncesionit nënshkruar më 15 tetor 2004, Tirana International Airport (TIA) ka të drejtë të drejtojë, operojë dhe të zhvillojë aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza” për një periudhë njëzetvjeçare. Koncesioni filloi të zbatohet në 23 prill 2005. Gjatë kësaj periudhe të gjitha fluturimet ndërkombëtare, sipas marrëveshjes, prej dhe drejt Shqipërisë, do të realizohen nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës.
29 Tetor 2008