E Diel, 1 Nëntor 2026

Vinte nga Gjermania, arrestohet i kërkuari për vrasje



Tiranë – Një i kërkuar për vrasje tetë vjet më parë u arrestua dje në Rinas. 42-vjeçari Ndue Gjeloshaj sapo kishte mbërritur nga Gjermania në Tiranë me avionin e linjës dhe ka qenë duke kryer procedurat e hyrjes, ai është vënë në pranga nga policia. Burime policore thanë për gazetën se informacioni për ardhjen e tij kishte mbërritur në zyrën e Interpolit nga kolegët gjermanë.
Ndalimi
“Në sajë të informacioneve të grumbulluara nga strukturat e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Rinas është bërë e mundur kapja e shtetasit Ndue Gjeloshaj, vjeç 42, lindur në Bajram Curri e banues në Tiranë, i shpallur në kërkim për veprën penale të vrasjes”, - thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Po sipas këtij njoftimi, Shtetasi Gjeloshaj akuzohet se më 5 prill të vitit 2000, ka vrarë shtetasin Kujtim Karaj. Kjo ngjarje ka ndodhur në ambientet e një hoteli në Tiranë.
Vendimi
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, me Vendimin nr. 214, datë 29.03.2002 ka vendosur: Deklarimin fajtor të të pandehurit Ndue Gjeloshaj për kryerjen e veprës penale të vrasjes me dashje në kushtet e tronditjes së fortë psikike të çastit, parashikuar nga neni 82 i K. Penal dhe e dënon me 8 vjet burg. Deklarimin fajtor të të pandehurit për armëmbajtje pa leje të armeve luftarake dhe dënimin e tij me 6 muaj burgim për këtë vepër. Në bashkim të dënimeve në respektim të nenit 55/3 të K. Penal dënimin përfundimisht të tij me 8 vjet burgim. Gjykata e Apelit Tiranë, me Vendimin nr. 183, datë 05.05.2002 ka vendosur: Lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë. Gjykata e Lartë, me Vendimin nr. 749, datë 18.12.2002 ka vendosur: Prishjen e Vendimit nr. 183, datë 05.05.2002 të Gjykatës së Apelit Tiranë, të Vendimit nr. 214, datë 29.03.2002 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe kthimin e akteve për rishqyrtim Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, me tjetër trup gjykues.

Vodhën lokalin në Pezë-Helmës, arrestohen pas tre ditëve

Tiranë - Specialistët pranë Seksionit të posaçëm Kundër Vjedhjeve të Biznesit, në bashkëpunim me shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, kryen arrestimin e shtetasve Amarildo Bexhet Sinani, 19 vjeç dhe Leo Sheme Arapi, 26 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ky i fundit i dënuar më parë për vjedhje. Arrestimi i tyre u krye, pasi akuzohen se më datë 26 tetor 2008 në Pezë-Helmës gjatë orëve të natës kanë tentuar të vjedhin një lokal. Nga puna e bërë në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: automjeti tip “BMW” me targa TR 1044 J, një dorashkë, një lopatë etj. Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim parashikuar nga neni 134 dhe 25 i Kodit Penal.

29 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›