Nga një turizëm lokal spontan në një zhvillim turistik të qëndrueshëm
Shqipëria po zhvillon një turizëm popullor masiv dhe arsyet janë të kuptueshme; aktualisht në vendin tonë, turizmi nuk është një produkt specifik, por është një qasje për zhvillim ekonomik, i cili u siguron investitorëve të biznesit të vogël të jenë në gjendje të sigurojnë fitime ekonomike të pranueshme të ndershme dhe të qëndrueshme dhe i ndihmon ata të përmirësojnë jetesën e tyre.
Turizmi masiv mund të zhvillohet vetëm me përmirësimin e infrastrukturës në përgjithësi dhe asaj rrugore në veçanti, duke lejuar transportimin e sasive të mëdha njerëzish në një hapësirë të shkurtër për të shkuar në vende që kanë interes, në mënyrë që kjo sasi e madhe njerëzish të përfitojë argëtimin që ata kërkojnë në kohën e lirë që ata konsumojnë. Hapa gjigande janë hedhur në këtë drejtim nga qeveria “Berisha”, rrugët drejt bregdetit flasin vetë.
Por edhe ky lloj turizmi tashmë në Shqipëri ka zhvillimet e veta për të cilat kërkohet qëndrueshmëri dhe përkushtim nga institucionet e pushtetit vendor. Turizmi i këtij tipi është i qëndrueshëm kur: a. Sigurohet që veprimet e sotme nuk të largojnë nga mundësitë e së nesërmes; b. Realizohet një qasje për të gjitha bizneset e turizmit jo vetëm ata që janë përfshirë në turizmin bregdetar; c. Miratohet një metodologji efikase për menaxhimin e destinacionit turistik; d. Punohet me partnerët tuaj për të nxitur rritjen e qëndrueshme të turizmit; e. Monitorohet progresi i bërë për të lejuar përmirësim të vazhdueshëm.
Aktualisht është shumë e rëndësishme që ka një strategji të hartuar dhe të miratuar, por ka edhe një ligj të ri për zhvillimin e turizmit
Sipas strategjisë të zhvillimit të turizmit njësitë vendore duhet: 1) Të krijojnë një “hartë rrugore” të qartë se si do të zhvillojë turizmin në qytetin e vet. 2) Të gjejnë mënyrat për të kanalizuar procesin për të ndjekur të gjitha rregullat dhe kërkesat. 3) Të përfitojne nga dhënia direkte e fondeve të disponueshme për asistencë (të bazuara në projekte) për pushtetin vendor dhe nëpërmjet programeve të OJF-ve që asistojnë pushtetin vendor.
Hartimi dhe miratimi i ligjit per zhvillimit te turizmit ne 14.05.2007 eshte nje hap shumë i madh perpara, pasi ligji i mëparshem i hartuar në situatat e vitit 1993 nuk premtonte të plotësonte më tej kërkesat në këtë sektor të rëndësishëm për vendin tonë.
Pikërisht në nenin 15 të këtij ligji përcaktohet se njësitë e qeverisjes vendore në detyrat e tyre për turizmin, në zbatim të këtij ligji, kanë per detyrë: a-të krijojnë inventarin e burimeve kryesore turistike të njësisë së qeverisjes vendore dhe inventarin e bizneseve turistike në nivel vendor; b) të përcjellin, në mënyrë periodike, dy herë në vit, inventarët e mësipërm pranë ministrit përgjegjës për turizmin, për krijimin e bazës së të dhënave në nivel kombëtar; c) të japin asistencë teknike për krijimin dhe zhvillimin e bizneseve turistike, në përputhje dhe në zbatim të këtij ligji; ç) të mbikëqyrin zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe të rregullave të tjera ligjore nga subjektet private, që ushtrojnë veprimtari në fushën e turizmit dhe të propozojnë masat përkatëse për institucionet.
Bazuar sa më sipër kërkohet në radhë të parë ngritja e strukturës brenda njësisë vendore. Në bazë të prioriteteve që ka një njësi e caktuar, në bazë të kapaciteteve turistike të saj, struktura mund të jetë e perfaqësuar nga një punonjës i vetëm, nga një zyrë, apo edhe nga një drejtori më vete. është pikërisht kjo strukturë që mbështetur në ligjin e sipër përmendur duhet të bëjë hap pas hapi krijimin e bazës së të dhënave për evidentimin e potencialit turistik në njësinë vendore, për nivelin e performancës të shërbimit turistik në njësinë përkatëse, shkëmbimin e informacionit me institucione të tjera të përfshira në këtë proces dhe përvijimin e kërkesave për kualifikime e trajnime të mëtejshme të stafit përkatës i angazhuar në zhvillimet turistike lokale.
Në mënyrë të përgjithshme vlerësohet se produkti turistik ka një përbërje komplekse dhe përfshin këto pjesë kryesore të cilat duhen mbajtur parasysh: 1-udhëtimin; 2-akomodimin; 3-burimet turistike (aktivitetet); 4-shërbimet.
Të shikojmë se si janë të ndërlidhura këto elementë me pushtetin lokal
1-Udhëtimi: Për qëllimin e këtij referimi, udhëtimin mund ta ndajme në transport në linja internacionale, nacionale dhe transporti për lëvizjet e brendshme në njësine vendore. Lëvizjet e brendshme janë të lidhura ngushtë me pushtetin lokal në këto drejtime: -Hartimi dhe miratimi i sistemimit të sinjalistikës bazuar në planin e qarkullimit rrugor brenda njësisë vendore. Rëndësia qëndron në disiplinimin e qarkullimit të mjeteve të transportit dhe sidomos të vendeve të parkimit brenda njësisë vendore. -Investimi në përmirësimin e infrastrukturës së brendshme rrugore, riparimet apo rikonstruksionet e plota parësore e të rrugëve dytësore. - Procedurat e licensimit të taksive furgonëve dhe autobuzëve për udhëtarët e zakonshëm.është fakt që në Shqipëri një pjesë e mirë e turistëve vijnë pa u mbështetur në një ofertë të një pakete të organizuar turistike dhe si të tillë ata udhëtojnë pothuajse me të njëjtat mjete që përdoren për qytetarët e tjerë shqiptarë.
Ndërsa në ligjin aktual për turizmin, kreu 11, neni 41, në rregullat për transportin turistik, në pikën “1” përcaktohet se: - Me propozimin e strukturës përgjegjëse në ministri, ministri miraton rregullat specifike për kategorizimin e subjekteve që ofrojnë transport turistik udhëtarësh tokësor, ajror e ujor, pasi të kenë marrë licencën përkatëse nga ministria përgjegjëse e transporteve, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.
2-Akomodimi: Duke parë kushtet klimatike të vendit tonë si më të favorshme për zhvillimin e turizmit bregdetar, pushimet buzë detit janë forma më e përhapur e turizmit dhe përgjithësisht njerëzit akomodohen në hotele duke mos përjashtuar dhe njësi të tjera akomoduese si shtëpi të lëshuara për akomodim turistik. -Kompanitë ndërtuese pajisen me lejen përkatëse nga struktura të pushtetit vendor dhe është detyrë e këtij të fundit që në këtë proces të plotësohen standardet e përcaktuara nga ministria e turizmit për njësitë akomoduese turistike. -Planet lokale urbane duhet të jenë në përputhje me planet e zhvillimit social-ekonomik kombëtar, dhe rajonal. çdo devijim nga elementët e sipërpërmendur do të rezultojë në një zhvillim kaotik të ndërtimeve dhe si pasojë krijon një dëmtim shumë të madh të turizmit. -Akomodimi është i lidhur ngushtë me cilësinë e shërbimeve komunale si furnizimi me ujë, me energji elektrike, lidhja me telefon/fax apo me shërbimin e internetit si dhe krijimin e kushteve për të hequr e larguar mbeturinat. Sistemi i kanalizimeve të ujrave të zeza si dhe perpunimi i tyre për të mos i derdhur ato direkt në det është detyrë imediate që vetëm pushteti lokal nuk mund ta zgjidhë.
Regjistrimi i saktë i turistëve në njësitë akomoduese në nivel lokal shërben si bazë për të nxjerrë numrin total të netë-fjetjeve në Shqipëri. Si pikë referuese mund të merret edhe sektori i taksave duke ju referuar taksës së qëndrimit në hotel. Fjetjet në hotele janë më të lehta për t’i llogaritur nëse ofruesi i këtij shërbimi mban dokumentacionin e rregullt sipas ligjit. Këtu kërkohet punë e specializuar nga strukturat e pushtetit vendor aq më tepër tani kur taksa e biznesit te vogël është plotësisht e komanduar nga njësitë vendore.
3-Burimet dhe aktivitetet turistike/Ky element i produktit turistik ofrohet si një shërbim i drejtpërdrejtë dhe në ligjin për turizmin përcaktohet se njësitë vendore kanë për detyrë të krijojnë inventarin e burimeve kryesore turistike dhe inventarin e bizneseve turistike në territorin e tyre. Njëkohësisht njësitë vendore kanë për detyrë të përcjellin, në mënyrë periodike, dy herë në vit, inventarët e mësipërm pranë ministrit përgjegjës për turizmin, për krijimin e bazës së të dhënave në nivel kombëtar. Struktura përkatëse që merret me problemet e zhvillimeve turistike lokale ka për detyrë të kërkojë dhe të regjistrojë vendet e mundshme me potencial turistik, të vizitueshëm nga publiku për zbavitje, argëtim, çlodhje, apo me interes tjeter të veçantë dhe njëkohesisht të tërheqë vizitorë ditorë apo turistë. Këto vende mund të jenë burime turistike natyrore dhe arkeologjike, që e kanë të ngritur infrastrukturën e duhur, por mund të përfshijnë edhe veprimtaritë kulturore që zhvillohen në një vend të caktuar.
Pushteti lokal nxit dhe promovon këto aktivitete si dhe stimulon dhe inkurajon tregtimin e sendeve që futen ne grupin e suvenireve dhe të punëve artizanale të prodhuara si artikuj për shitje për turistët dhe që përfshijne punime druri, punime argjendi, qëndistari, kostumet popullore, gdhëndje, punime guri, piktura, qeramikë, shportari si dhe harta, fotografi, kartolina dhe mallra të tjera të këtij lloji, si përkujtues të vizitës së tyre në Shqipëri. Në ligj përcaktohet se Ministria përgjegjëse për turizmin identifikon, inventarizon dhe promovon burimet turistike, nëpërmjet sigurimit të të dhënave që kanë organet e caktuara publike të qeverisjes qendrore apo vendore.
I gjithë materiali i mbledhur duhet të jetë i saktë i pasqyruar për t’u promovuar në faqe të caktuara të internetit. Ne ligj shkruhet se personat juridikë dhe fizikë, organet publike qëndrore dhe vendore apo personat privatë, që zotërojnë ose administrojnë burime turistike, janë përgjegjës për administrimin e tyre, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore të lidhura me të. Organet e qeverisjes vendore janë përgjegjëse për bashkërendimin e punës së bashkive, komunave dhe organeve publike, të angazhuara në zhvillimin e turizmit brënda territorit të tyre, për mbrojtjen, rritjen dhe përdorimin e burimeve turistike për maksimizimin e potencialit ekonomik të tyre, në përputhje me nenet e këtij ligji.
Shërbimet - Janë elemente të konsumit turistik që nuk blihen direkt por janë pjesë përbërëse e një pakete të plotë. Për arsyen se një pjesë e madhe nga komponentet e produktit total turistik janë me natyrë shërbimi, turisti bie në kontakt me një numër shumë të madh punonjësish të shërbimeve në hotele dhe motele, kamarierë në restorante, shitësa nëpër dyqane, shoqërues turistësh si dhe popull i thjeshtë në vendin ku turisti qëndron. Këta të fundit janë kryesisht individë që jetojnë në terren, atje ku konsumohet produti turistik dhe si të tillë janë të lidhur ngushtë dhe ndikohen nga performanca e pushtetit vendor. Shërbimet e ndryshme, zakonisht nuk tërheqin apo joshin në vetvete turistët por mangësia e tyre shkakton një dëmtim shumë të madh; niveli i ulët i shërbimeve krijon shmangien e turistit drejt një destinacioni të caktuar. Peisazhi i vendit mund të jetë shumë tërheqës, por nëse turisti nuk ndjehet mirë, pra nuk krijohet një klimë që ai të ndjejë mikpritje nga njerëzit e vendas, atëhere turisti do të largohet ose të paktën nuk do të kthehet herë tjetër në këtë destinacion, madje do të perhapë dhe opinion negativ për përshtypjet e tij. Duhet mbajtur parasysh fakti se përshtypjet që trasmetohen tek të afërmit e turistëve janë elementë që ndikojnë në rritjen apo uljen e numrit të turistëve në nje destinacion të caktuar.
Njëkohësisht produkti turistik përmban dhe një numër shërbimesh me të cilat turisti nuk merr më kontakte direkte por që në mënyrë indirekte influencojnë në shërbimin turistik. Këtu mund të përmendim sektorin e financës, sektorin e sigurimeve shëndetsore, sektorin e shtypshkrimeve, sektorin e shitjes me shumicë e pakicë, sektorin e shërbimeve komunale,sektorin e sigurisë publike etj.
Nga sa më sipër, del domosdoshmëria për monitorimin e performancës së njësive vendore në këtë sektor, për forcimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit midis institucioneve qendrore e vendore të përfshira në këtë proces, për të krijuar bazën për një punë të qëndrueshme dhe për të rritur besimin se në Shqipëri zhvillohet turizëm masiv bashkëkohor, një dëshirë e kahershme e shqiptarëve kudo që janë.
Autori është ekspert i çështjeve të pushtetit vendor