E Diel, 1 Nëntor 2026

Në portofolin e viktimës u gjet një letër ku shkruhej “Stela”

Djali rreth të 30-ave është vrarë dhe më pas është hedhur në lumë. Viktima ka veshur bluzë ngjyrë kafe dhe pantallona xhins blu

KURBIN – Policia ka zbuluar fakte të reja domethënëse rreth identifikimit të kufomës që u gjet dje në këmbët e urës së lumit Mat, që ndryshe njihet si Ura e Zogut. Në portofolin e viktimës është gjetur emri i një femre, “Stela”, që mendohet të jetë emri i vajzës së tij. Ky fakt dhe tatuazhi në krah mendohen se mund ta çojnë policinë drejt zbulimit të identitetit të të ndjerit e më pas të nisin dhe hetimet për zbulimin e autorëve dhe rrethanave të ekzekutimit të tij.
Të dhënat
Burime nga uniformat blu thanë për gazetën se kufoma u gjet dje rastësisht nga kalimtarë të rastit. Më pas policia në vendngjarje konstatoi se ky person, ende i paidentifikuar, ishte vrarë me katër plumba pistolete. “Djali rreth të 30-ave është vrarë dhe më pas është hedhur në lumë”, -thanë burimet policore. Ndërkohë që jepen edhe disa të dhëna të tjera, si një tatuazh në krahun e djathtë. Viktima mendohet të jetë nga rajoni Mat-Dibër. Hetuesit thanë se “viktima mund të jetë ekzekutuar para 3-4 ditëve, ndërsa kufoma e viktimës është dëmtuar nga qentë që lëvizin gjithnjë në kërkim të ushqimit në breg të lumit”. Policia po heton për të gjetur personin (personat) që mund të ketë qëlluar mbi të, ndërkohë që janë publikuar të dhënat në gjithë komisariatet e zonës së verilindjes, që të bëhet identifikimi i personit.
Dyshimi
Policia në vendngjarje deklaron se kufoma që u gjet i takon një mashkulli me moshë të re. Ai mendohet se është qëlluar me katër plumba në trup dhe më pas është hedhur në lumë. Ende nuk është bërë i mundur zbulimi i identitetit. Viktima ka veshur bluzë ngjyrë kafe dhe xhinse blu. Kufoma është e padekompozuar dhe u transportua për në morgun e Lezhës. Disa kalimtarë të rastit njoftuan policinë se kishin gjetur kufomën e një personi mashkull në lumin Mat, në afërsi të Urës së Zogut në Milot. Ekspertë nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Lezhë kanë mbërritur në vendngjarje. Ende nuk është identifikuar se kujt i përket trupi i pajetë, që fillimisht u mendua se ishte mbytur aksidentalisht në lumë.

2 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›