Filozofia e një suksesi
Prof. dr. Gëzim Karapici
17 Shkurti është Ditë Feste e Kombit Shqiptar, e shqiponjës me dy krena.
Një vit më parë, më 17 shkurt 2008, atdheu me lot gëzimi festonte pavarësinë e Kosovës martire, e gjysmës së tij të shkëputur padrejtësisht nga historia.
Një vit më vonë, më 17 shkurt 2009, të dy pjesët e një kombi të vetëm festojnë së bashku si përvjetorin e parë të Kosovës së pavarur, ashtu dhe përfundimin e ratifikimit të Protokollit të të gjitha vendeve të NATO-s për hyrjen e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut, forcës më të madhe që ka parë historia për ruajtjen e paqes dhe sigurisë botërore.
Janë pikërisht këto dy fakte që domosdoshmërisht e kthejnë 17 shkurtin në një nëntor tjetër shqiptar, në një festë mbarëkombëtare, të lirisë dhe të miqësisë me aleatët shpirtërorë të saj, vendet e demokracisë perëndimore me në krye SHBA-në.
Një vit më parë, më 19 shkurt 2008 dr. George Schwab, Presidenti i Komitetit Kombëtar Amerikan për Politikën e Jashtme, deklaronte: “Është në interesin e NATO-s që të ftojë Shqipërinë për t’u bashkuar me Aleancën”.
Në raportin për Shqipërinë të Komitetit Kombëtar Amerikan për Politikën e Jashtme të po asaj date thuhej:
“Me transformimin nga një vend i brishtë në një partner të besueshëm ndërkombëtar, Shqipëria ka vërtetuar përkushtimin e saj për reforma politike, ekonomike dhe në sektorin e sigurisë, qëkur Kryeministri Sali Berisha formoi një qeveri të re në shtator të vitit 2005.
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të sjellë përfitime të menjëhershme duke zgjeruar zonën e stabilitetit në Evropën Juglindore. Mirëseardhja e Shqipërisë në NATO është gjithashtu një sinjal i fortë pozitiv për vendet e tjera multietnike e me fe të ndryshme që kanë popullsi myslimane”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Jaap de Hoop Scheffer, në intervistën e tij ekskluzive në ALSAT lidhur me kandidaturën e Shqipërisë dhe Kroacisë për anëtarësimin në NATO ka thënë:
“Unë i them popullit shqiptar se jam tej mase i lumtur për pasjen e Shqipërisë dhe popullit shqiptar në NATO. Mos u ndalni me çka keni bërë gjatë viteve të kaluara. Vazhdoni me reformat, vazhdoni të na ndihmoni ne, të ndihmoni NATO-n, tani si një vend kandidat e më vonë si vend anëtar, me qëllim që të eksportoni siguri dhe stabilitet. Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO do të jetë një faktor stabiliteti”.
U përpoqa të përmbledh me veten time shkaqet e këtij suksesi të madh të Shqipërisë dhe i gjeta të shprehura tek poeti dhe filozofi amerikan i shekullit të 19-të Ralph Waldo Emerson, i cili në një poezi të tijën me titull “Kuptimi i suksesit”, ndër të tjera shkruante:
Të fitosh respektin e njerëzve të zgjuar
Të fitosh vlerësimin e kritikave të ndershme
dhe të durosh tradhtinë e miqve të rremë;
Të kesh përmbushur një qëllim,
Të shpresosh bile dhe në kohë dëshpërimi,
për sa kohë ju keni shpresë, ju keni jetë;
Të të kuptojnë dhe të kuptosh;
Ky është kuptimi i suksesit.
Këto vargje të mrekullueshme shpjegojnë filozofinë e suksesit të qeverisë “Berisha”, pa harruar dhe kontributin e çmueshëm të opozitës.
Unë shpreh bindjen se nuk është koha për zili nga ana e opozitës, por ashtu siç thoshte filozofi Ralph Waldo Emerson është koha që:
Ta lemë botën pak më të mirë, duke mësuar që një jetë ka marrë frymë më lirisht, sepse keni jetuar dhe ju. Ky është dhe duhet të jetë kuptimi i suksesit.