E Shtunë, 31 Tetor 2026

Verifikimi i pronës me ligjin 7501, dokumentet që duhen



Qeveria miratoi dje procedurën dhe dokumentet që duhen për të vërtetuar titullin e pronës së marrë me ligjin 7501. Tashmë ka nisur verifikimi i të gjitha pronave të dhëna me këtë ligj dhe sipas vendimit të djeshëm, çdo qytetar duhet të paraqesë një dokumentacion të caktuar për të vërtetuar se prona i përket atij. Në rastet kur kërkohet korrigjimi i aktit të marrjes së tokës në pronësi, pranë komisionit vendor të vlerësimit të titujve të pronësisë krijohet dokumentacioni i ri ligjor, në bazë të të cilit lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi. Pranë komisionit vendor, qytetari duhet të paraqesë kërkesën për korrigjimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi, certifikatën e gjendjes familjare, të lëshuar nga zyra e gjendjes civile e komunës ose bashkisë, ku të pasqyrohet numri i frymëve të familjes bujqësore ose individi, në favor të të cilit do të lëshohet akti i ri i marrjes së tokës në pronësi, sipas gjendjes më 1.8.1991, për ish-anëtarët e kooperativës bujqësore ose më 1.10.1992, për punonjësit e ish-ndërmarrjeve bujqësore. Aktin e marrjes së tokës në pronësi, në origjinal, së bashku me planvendosjen e ngastrës, të konfirmuar nga kryetari i komunës. Planvendosjen e ngastrës që qytetari, sipas informacionit që ka, pretendon se është e pandarë, të hartuar sipas hartës treguese të regjistrimit, në shkallën 1:2500, nga një specialist topograf i licencuar. Vërtetimin e faktit se ka qenë anëtar i ish-kooperativës bujqësore më 1.8.1991, ose punonjës i ish-ndërmarrjes bujqësore, më 1.10.1992. Për këtë, qytetari duhet të depozitojë shkresën, nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore, për pagesën ose jo të pensionit, si dhe konfirmimin, cilido qoftë ai, të kryetarit të komunës, për këtë fakt. Nëse, sipas informacioneve të mësipërme, nuk vërtetohet fakti i të qenit anëtar i ish-kooperativës bujqësore ose punonjës i ish-ndërmarrjes bujqësore, qytetari ka të drejtë të depozitojë, pranë komisionit vendor, çdo dokument, që vërteton faktin e mësipërm. Komisioni vendor, në bazë të dokumentacionit të ri, të krijuar pranë tij, vendos për korrigjimin ose jo të aktit të marrjes së tokës në pronësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›