E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nga tryeza në skenë, çfarë do të na thotë Minga?



Dy muaj më parë kur filluan provat për premierën “Filumena Marturano”, Albert Minga nuk kishte të qartë konceptin regjisorial, i cili është justifikuar me idenë që ishte ende herët për të dhënë një përgjigje. Sot në mbrëmje do të vërë në skenë premierën e kësaj shfaqjeje, ku bashkë me të do të shohim edhe konceptin e tij regjisorial.

Në fakt rasti i Mingës ishte i pari në historinë e teatrit, që e thoshte në tryezën e punës se është ende herët të flitet për konceptin e regjisorit. Por nuk ka ndodhur vetëm me Mingën kjo gjë, edhe regjisorë të tjerë e kanë vështirë të thonë më tepër fjalë se ç’kanë lexuar në internet për teatrin që luajnë, pa përmendur se çfarë krijimi origjinal do të shohim. Për rastin e Mingës do të presim të flasë dhe kritika, ndonëse kjo e fundit nuk është aq aktive as në shfaqjet e tjera të teatrit, veçse do raste që “shkrimet” mund të jenë porositur.

Ndërkohë që dje në një konferencë për shtyp Minga u shpreh se “e shoh të përmbushur konceptin tim regjisorial në një dramë realiste për të interpretuar me pasion, duke zbërthyer shpirtin njerëzor”. Por në ndihmë të Mingës dje shfaqjen e ka ndihmuar edhe drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami, duke u shprehur se “kjo është një kryevepër e dramaturgjisë botërore. Por nuk është kjo arsyeja që ne do ta vëmë në skenë, por për shkak të tematikës që trajton kjo premierë, për ngjashmërinë e saj me realitetin shqiptar”. Skrami shton po ashtu se “në këtë shfaqje po gërshetojmë brezat e aktorëve profesionistë me të rinjtë”. Konkretizimi për këtë shkon duke përmendur artisten e popullit, Tinka Kurti, e cila interpreton rolin e Rozalia Solimene, ndërsa regjisori Minga shfrytëzon një detaj “intim”, një dëshirë të sajën prej vitesh për të marrë pjesë në një shfaqje të tillë, për të na vënë në dukje peshën që zë kjo premierë në karrierën e një aktori. “Filumena është nga ato shfaqje dhe personazhe që është ëndrra e shumë aktorëve. Është një ëndërr për shkak të potencialeve dramaturgjike që ka si karakter, për emocionin që përcjell. Në këtë personazh gjenden të gjitha energjitë pozitive, por edhe ato negative. Pra është një rol që i ofron aktorit një potencial autorial”, - thotë Minga.

Ndërkohë që për herë të parë në Teatrin Kombëtar teknika e ndërtimit të këtij projekti vjen prej afresku. Sipas regjisorit Minga, kjo risi do të bëjë të mundur realizimin e një shfaqjeje me përmasa të mëdha, duke krijuar një mjedis poetik që shpërfaq konfliktin njerëzor. “Për mua kjo është një gjetje shumë e guximshme dhe dua që të gjithë aktorët të shpërfaqen gjatë interpretimit të karaktereve përkatëse”. Sipas tij, kjo është gjetja origjinale në zgjedhjen figurative të shfaqjes.

Yllka Mujo: Filumena, një copëz “prostitutë” brenda vetes

“Unë jam një aktore që i pëlqej vështirësitë dhe pikërisht këtu e gjej këtë kënaqësi. Por nga ana tjetër, kjo kënaqësi është edhe e barasvlershme me përgjegjësinë e madhe që ka ky rol”, - shprehet aktorja Yllka Mujo dje gjatë një konference për mediat, e cila në këtë premierë do të interpretojë rolin kryesor, atë të Filumenës. “Jam një aktore që kërkoj shumë nga vetja dhe nuk kënaqem me ato që arrij. Por megjithatë më ka pëlqyer shumë roli i Filumenës”, - thotë ajo.

Ndërkohë që për të hyrë nën kapotën e këtij personazhi aktorja e njohur Yllka Mujo shprehet se “kam përdorur një nga metodat e mia, ashtu sikurse vepron çdo aktor për të adaptuar karakterin e një personazhi. Për këtë uroj që edhe publiku ta marrë atë mesazh që transmetojmë me anë të këtij roli”. Filumena në këtë dramë përfaqëson femrën e guximshme dhe plot dashuri njerëzore që ka vuajtur shumë në jetë, ndonëse më shumë ka falur dashuri se sa ka marrë prej saj. Ndërkohë që për vetë aktoren, e cila do të interpretojë këtë rol, vjen me idenë se brenda çdo gruaje gjendet nga një “copëz” e ngjashme spirituale me atë të ish-prostitutës Filumena. “Besoj se tek çdo grua gjendet pak Filumenë. Mua më ka ndihmuar ajo pjesë prej “filumene” që e ndjej në veten time për të sjellë këtë rol”, - thotë Mujo, duke vënë më tej theksin në kontekstin social të kësaj premiere. “Shfaqja është personifikimi i femrës, është një dramë e gruas”, - thotë aktorja duke na siguruar se çdo grua, madje edhe meshkujt, do të largohen me një ndjesi të fituar në fund të shfaqjes.

Filumena Marturano është një vepër me dramaturgji të Eduardo de Filipo, si premiera e parë për këtë vit në Teatrin Kombëtar. Në qendër është historia e një gruaje të popullit, një ish-prostitutë. Filumena Mrturano jeton prej njëzet e pesë vjetësh si një grua por pa qenë e tillë në shtëpinë e Domeniko Sorianos, një napolitan i kamur. Ka rritur në sekret të plotë tre fëmijë me tre burra të ndryshëm. Pas një bashkëjetese prej shumë vitesh, ajo e detyron Domenikon të martohet me të zyrtarisht, duke bërë gjoja sikur të ishte në prag të vdekjes. Ai pranon të martohet. Por gjithçka ishte vetëm një lojë e saj. Filumena e zbulon arsyen e kësaj loje, ndërkohë që dëshiron t’ju japë një mbiemër tre fëmijëve të saj, atë të Domeniko Sorianos. Por këtij të fundit, Filumena i jep edhe një tjetër goditje. Njëri prej tre djemve të saj është biri i tij. Por nuk ka ndërmend t’i tregojë konkretisht se cili është sepse fëmijët mbeten thjesht fëmijë, dhe ata që të tre duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë. Në finale të dramës, Domeniko i jep të drejtë Filomenës dhe vendos të martohet përsëri, por kësaj here edhe me prezencën e familjes së tij më të re.

Shfaqja është konceptuar me skenografi të artistit të merituar, Agim Zajmi, në të cilën interpretojnë aktorët Bujar Asqeriu (artist i merituar), Yllka Mujo, Tinka Kurti, Vangjel Toçe, neritan Liçaj, Arben Derhemi, Gjergji Mena etj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›