E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti i Jalës, pa marrëveshje ligjore mes Qeverisë dhe Bankës Botërore

Flet Uerner Kiene, kryetari i Panelit të Inspektimit të Bankës Botërore. “Nuk mund të mohoj dhe as të pohoj akuzat për korrupsion nga qeveria”

Drejtuesi i Panelit të Inspektimit ka pohuar dje zyrtarisht se nuk ka pasur një marrëveshje ligjore mes Qeverisë shqiptare dhe Bankës Botërore për realizimin e projektit në Jalë. Në një intervistë të dhënë për BBC-në, kryetari i Panelit të Inspektimit të Bankës, z. Uerner Kiene (Werner Kiene) e ka sqaruar një detaj të tillë. Po ashtu, ai pohoi se nuk mund të mohojë ose pohojë akuzat për korrupsion nga qeveria shqiptare në këtë projekt, pasi nuk ishte i mandatuar për ta verifikuar një gjë të tillë.

A mund të na shpjegoni më qartë se çfarë gabimesh ka bërë konkretisht BB-ja në Jalë?

Këto ishin gabime në futjen e detajeve të projektit në një kornizë të qartë. Me fjalë të tjera, që të gjithë ta kuptojnë se cilat ishin detyrimet e Bankës Botërore dhe çfarë mund të jetë dakorduar nga qeveria për të siguruar përparim të kënaqshëm ose iniciim të projektit. Në këtë rast të veçantë ishte një shqetësim se kur të ishte bërë planifikimi i tokës që duhej kryer përgjatë bregdetit jugor, do të mund të kishte edhe disa shembje të bëra nga qeveria. Banka ka politika shumë të posaçme për të udhëzuar këto lloj të të ashtuquajturave zhvendosje të pavullnetshme, ose me fjalë të tjera kur njerëzit duhet të largohen nga toka, ose ta japin atë ose pronën me qëllim të krijimit të hapësirës për nevojat e infrastrukturës publike ose për qëllime të tjera. Fillimisht kishte një takim të Bordit në të cilin u prezantuan faktet rreth këtij projekti dhe Bordi u informua për marrëveshjen e qartë se si të merret me këto gjëra. Kjo nuk korrespondonte me statusin aktual të një marrëveshjeje të tillë. Kishte marrëveshje gojore, por nuk kishte asgjë të shkruar.
Dhe zyrtarët e Bankës dështuan që të njoftojnë Bordin për paqartësinë e kësaj marrëveshjeje. Ajo nuk ishte e shkruar dhe asnjëherë nuk u bë në formë të shkruar. Ky problem nuk u manaxhua siç duhej dhe ai do të duhej të rishikohej më vonë dhe ky rishikim do të tregonte se nuk kishte një marrëveshje të shkruar se si të zgjidhej problemi. Kjo pastaj duhej të kthehej tek Bordi, por, meqë kishte zvarritje të projektit, duket sikur e gjithë ideja në një farë mënyre u harrua dhe u hoqën nga sytë e atyre që normalisht do të duhej ta mbikëqyrnin atë.

E di se qeveria shqiptare i kërkoi Bankës Botërore këtë projekt të veçantë. A i mbetet faji vetëm Bankës Botërore, apo edhe qeveria shqiptare do të duhej ta kishte përcjellë me kujdes këtë projekt?

Më lejoni ta bëj të qartë se cili është roli i panelit të inspektimit. Ky panel është një mekanizëm që raporton drejtpërdrejt te Bordi dhe jo te manaxhmenti ose te presidenti i Bankës, pra vetëm te Bordi, për të hetuar nëse Banka Botërore ka ndjekur politikat dhe procedurat e veta. Sipas definimit, ne nuk hetojmë huamarrësin, në këtë rast qeverinë e Shqipërisë ose ndonjë institucion tjetër. Pra, thjesht ne shikojmë nëse Banka ka ndjekur politikat dhe procedurat e veta. Mund t'ju siguroj se Banka ka politika shumë të sqaruara dhe në sytë e shumë njerëzve, e këtu pajtohem edhe unë, politika dhe procedura shumë të mira.
Normalisht do të merrej si e qenë se nëse politikat dhe procedurat janë ndjekur, projekti do të zbatohej pa probleme dhe nuk do të krijonte këso lloj problemesh të dorës së dytë që do të paraqiteshin. Në këtë kontekst, e gjithë qasja jonë përqendrohet në Bankë. Ne nuk jemi në gjendje të themi, përmes hetimeve tona, se kush tjetër mund të ishte përfshirë. Për ne ishte me rëndësi të tregojmë për këto gabime të fillimit dhe faktin që gabimet, se çdo gjë nuk ishte në rregull, nuk u përmirësuan. Pastaj kur këto shembje u bënë, Banka dështoi që të informojë Bordin e saj për seriozitetin e një situate që nuk duhej të ndodhte brenda një projekti të financuar nga Banka.

E kuptoj se ju po thoni se po hetoni vetë Bankën Botërore. Por, qeveria shqiptare ka emëruar një koordinator të saj për projektet e Bankës Botërore. Por a ka një hetim që po zhvillohet për të?

Ne nuk e kemi hetuar zotin Malltezi. Na është dashur të vendosim dhe e kemi bërë këtë, se Njësia e Projektit ose Njësia për Zbatimin e Projektit i ka informuar autoritetet në sistemin shqiptar se po bëhen punime përgjatë bregdetit jugor në këtë rajon të posaçëm të Jalës dhe se kjo u identifikua përmes fotografive satelitore dhe proceseve të financuara nga Banka. Çështja me të cilën na u desh të merreshim ishte se kur burimet e fondit të Bankës u shfrytëzuan, duhej të zbatoheshin paketat e posaçme të politikave të Bankës, politika të zhvendosjes së pavullnetshme, kur njerëzit të detyroheshin të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe tokat e tyre. Kjo ndodh normalisht. Krejt ajo që ne nxorrëm nga hetimet tona ishte që i gjithë ky Projekt i Pastrimit të Zonës Bregdetare po krijonte resurset që financoheshin nga Banka dhe se këto resurse kishin funksione të nxitjes që këto shembje të nxirren jashtë historisë së Shqipërisë, diçka që qeveria ka aplikuar me vite të tëra dhe qeveria e Shqipërisë ka rregulla për të ndjekur.
Në projekte të këtij lloji, huamarrësi në Afrikë, në Europë apo kudo qoftë, pajtohet të ndjekë rregullat e Bankës Botërore. Prandaj, raporti ynë, nëse e lexoni, vendos këtë ndërlidhje se ishte një vendim nga Njësia e Zbatimit të Projektit dhe kreut të kësaj njësie për të transferuar këto informata te njësitë e tjera të qeverisë që implikon Bankën në këtë aksion të veçantë.

Doni të thoni se ky është faji i Njësisë?

Duhet të kishte patur një qëndrim të qartë se burimet e Bankës nuk mund të përdoren për të nisur shembje pa u kuptuar qartë se heqja e pronësisë së tokës dhe shtëpive duhet bërë në bazë të politikave të Bankës. Pra, ne mendojmë se projekti nuk ishte aq i kujdesshëm në lidhje me përdorimin e burimeve, por deri këtu mund të shkojë hetimi ynë.

Si ka mundësi që Banka Botërore të bëjë gabime kaq të mëdha siç i quani ju në raport?

Pati një përgjigje me të vërtetë serioze, të cilën mund ta keni parë ose do ta shihni në faqen tonë të internetit brenda 24 orësh, ku theksohet se shumë-shumë gjera u bënë gabim; pati edhe një takim po aq serioz të martën të Bordit ku presidenti i Bankës Botërore dhe stafi i tij më i lartë thanë se ishte e tmerrshme që kishin ndodhur gjëra të tilla. Mund ta përmbledhësh thjesht si prishje totale e komunikimit brenda hierarkive të përfshira në të. Kishte njerëz që mendonin se kishin marrëveshje dhe këto janë gjëra shumë serioze kur ke marrëveshje me një qeveri sovrane duhet të sigurohesh që e ke këtë marrëveshje. Pastaj kishte një qëndrim ku nuk pranohej se ekzistonte një problem, unë e quaj "qëndrim i të pagabueshmit", njerëzit nuk donin t'u tregonin shefave të tyre" kemi një problem dhe na duhet ta zgjidhim". Pra, Banka merr përgjegjësi të plotë për këto probleme, kjo nuk u manaxhua në mënyrë korrekte dhe tani sigurisht po bëhet hetim për të parë se kush shtyu kë.

Në shtyp ka patur akuza dhe përmendet fjala korrupsion? Gjetët ju këtë?

Më lejo të shpjegoj se pse ne morëm hapin e pazakontë dhe raportuam në lidhje me akuzat për korrupsion në Shqipëri edhe pa patur një mandat për t'i hetuar këto. Pas shembjeve, pati një mision të ashtuquajtur faktmbledhës me staf të Bankës që shkoi në Shqipëri dhe i takon një misioni të tillë që t'i raportojë shefave të vet se çfarë ndodhi. Asnjë nga këto probleme që papritur i dolën Bankës Botërore, që satelitët e saj u përdorën për të përcaktuar ku do të ndodhnin shembjet, nuk ishin pjesë e raportit. Ndërsa në Shqipëri në atë kohë kur ndodhën këto shembje, dhe e raportojmë këtë fakt në raportin tonë, pati shumë diskutime në parlament, në gazeta, pati akuza për korrupsion. Normalisht, kjo nxit një proces në Bankë për të qenë tepër e kujdesshme. Asnjë nga këto nuk u njoftua, nuk u ndërmor asnjë veprim që t'i përgjigjej kësaj. Përsa i përket Panelit të Inspektimit, sapo morëm ankesën nga Shqipëria, ne morëm një raport nga manaxhmenti, i cili i referohej shumë misionit faktmbledhës, përsëri pa përmendur diskutimet serioze politike, akuzat për korrupsion, pra një mungesë përgjegjshmërie nga stafi i Bankës. Për këtë, ne raportojmë dhe këto dy faqe nuk kishin qëllim tjetër. Tani ne e dimë se informacioni që ne nxorrëm nga burime të ndryshme në atë kohë po përdoret tani në Shqipëri politikisht nga parti të ndryshme. Më duhet të theksoj se ne kemi një mandat të qartë për të hetuar Bankën dhe jo huamarrësin dhe ne nuk bëmë hetim për të.
Ne nuk gjykojmë dhe nuk mund të gjykojmë për korrupsionin në Shqipëri dhe nuk e konfirmojmë as nuk e mohojmë atë.

Është një situatë shumë e pazakontë sepse qeveria nuk ka nënshkruar asgjë. Tani Banka dhe qeveria po mundohen të gjejnë një mënyrë për të përdorur fonde të Bankës Botërore për të ndihmuar në zgjidhjen e çështjeve, por është shumë e komplikuar.
Normalisht, një situatë e tillë do të duhej të kishte një marrëveshje ligjore mes një vendi sovran Shqipërisë dhe Bankës Botërore, e cila do të përcaktonte se si do të zbatohej ky projekt. Në këtë rast të veçantë si të manaxhohet situata ku qeveria ka një proces të vetin për t'u marrë me vendbanimet e paligjshme që nuk kanë marrë leje, kjo normalisht përcaktohet në një dokument ligjor, asgjë nuk u përcaktua sepse qeveria nuk ra dakord të zbatonte politikën e Bankës.

Si është e mundur që Banka Botërore e vazhdoi këtë projekt atëherë?

Kjo është tani në të ashtuquajtur plan veprimi-- Banka propozon për të mos e vazhduar atë element kritik, pra planifikimin i cili përsëri që mund të çojë në raste kur qeveria mund të mendojë se duhet të ndërhyjë për prishjen në një zonë ku ka plane për projekte të Bankës Botërore. Pra ekziston plani për ta eklipsuar, për ta hequr këtë nga projekti, i cili ka komponente shtesë p.sh ekziston plani i Porto Romanos, i cili ka pësuar degradim nga ana e ambjentit dhe një pjesë e projektit është të përmirësohet situata e ambjentit aty - pra ka dy apo tre komponente shtesë, të cilat mund të vazhdojnë pasi nuk janë prekur nga ky konfuzion në lidhje me atë se si të izolohen nga këto shembje të dhimbshme.

A do të thotë kjo se projekti në Jale do të ndalet?

Përsa i përket planifikimit, ai pothuajse ka mbaruar. Pati foto satelitore që tregonin se cilat pjesë duheshin përdorur për çfarë që pastaj solli debate politike dhe spekulime për ndonjë veprim të padrejtë. Banka nuk mund ta vazhdojë këtë pjesë të projektit, por është mëse e gatshme të vazhdojë me gjëra të tjera, por kjo është pjesë e planit të veprimit.

Marrë nga BBC

20 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›