E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista Meta: Miqësia Shqipëri-Serbi, ndihmon edhe Kosovën

Autori i Lajmit: Redaksia

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë Ilir Meta thotë se mbetet i vendosur për marrëdhënie sa më konstruktive me të gjithë vendet e rajonit. Ai përfshin këtu edhe marrëdhëniet “miqësore” mes Shqipërisë dhe Serbisë të cilat sipas Metës duhet të çlirohen nga paragjykimet e të kaluarës dhe ti shërbejnë integrimit të përbashkët të vende të rajonit në Evropë. Meta mendon se kjo do të ndihmojë edhe për një raport më konstruktiv midis Serbisë dhe Kosovës.
Zoti Meta, Kosova feston dyvjetorin e pavarësisë. A mund të thoni në këndvështrimin tuaj si i rikthyer në detyrën e ministrit të Jashtëm se çfarë përbën kjo ngjarje?
Dyvjetori i pavarësisë së Kosovës është një ngjarje shumë e shënuar sepse pikërisht sot pas 2 vjetësh mund të bëjmë një vlerësim të efekteve që pati pavarësia e Kosovës për stabilitetin e të gjithë rajonit tonë, por njëkohësisht edhe për përkrahjen e jashtëzakonshme ndërkombëtare që kjo pavarësi dhe ky shtet i ri kanë gjetur brenda një kohe shumë të shkurtër. Pra, shumica e vendeve të NATO-s, të vendeve të BE-së, shumë nga vendet më të mëdha të kontinentit dhe të botës e kanë njohur këtë shtet të ri duke njohur një realitet të ri dhe të pakthyeshëm sepse kjo është e vetmja rrugë që i ndihmon jo vetëm Kosovës për tu stabilizuar, por edhe të gjithë rajonit për të kaluar problemet e trashëguara nga një e kaluar e vështirë.
Megjithatë, kjo periudhë dyvjeçare ka qenë, ju e thatë, pozitive, por ne nuk mund të harrojmë disa probleme që Kosova mund të ketë kryesisht në veri, posaçërisht në Mitrovicë. Dua të shtoj këtu se kemi një arritje shumë të madhe me pjesëmarrjen e komunitetit serb në zgjedhjet e fundit dhe përfaqësimin e tij në zonat, në komunat ku ata kanë fituar. Çfarë mendoni se duhet bërë në këtë çast, thjesht një plan të qeverisë së Kosovës për veriun, apo më shumë?
Mendoj se përpjekjet e qeverisë së Kosovës dhe të komunitetit ndërkombëtar për stabilizimin e situatës edhe në veri të vendit dhe për integrimin edhe të zonave problematike duhet të vazhdojnë në përpjekje edhe në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, por edhe me komunitetet përkatëse, të cilat kanë nevojë për zgjidhjen e problemeve ekonomiko-sociale dhe janë të lodhura nga instrumentalizimi që u është bërë thjesht për arsye, të cilat nuk kanë të bëjnë me jetën e tyre, me sigurinë e tyre dhe me prosperitetin e tyre. Natyrisht që kjo kërkon masa komplekse, por sigurisht që kërkon edhe burim dhe dialog të vazhdueshëm.
Zotëri, ju jeni ndër figurat e pakta të politikës në Shqipëri që guxon të kërkojë dhe të vendosë marrëdhënie korrekte dhe shumë të ngrohta me Beogradin. Çfarë mendoni se ka një mesazh drejtuar Kosovës?
Besoj se e ardhmja e rajonit tonë qëndron pikërisht te bashkëpunimi i ngushtë dhe pa paragjykime i të gjithë vendeve të rajonit dhe natyrisht këtu nuk kam se si të përjashtoj Shqipërinë dhe Serbinë - dy faktorë shumë të rëndësishëm në rajonin tonë. Dhe, besoj se kjo ka një impakt shumë më pozitiv në të gjithë rajonin, pasi unë besoj se e ardhmja është pikërisht jo vetëm e ardhmja në Bashkimin Evropian dhe bashkimi i përpjekjeve për të shpejtuar këtë proces në interes të të gjithë vendeve këtu, por njëkohësisht edhe largimi sa më shumë nga referencat e së kaluarës, të cilat veçse na ndajnë dhe na marrin kohën që nuk e kemi me tepri për të shpejtuar integrimin evropian të vendeve tona.
Zoti Meta, megjithatë nuk mendoni se ndoshta është pak si shpejt për të vendosur marrëdhënie kaq të ngrohta kur Kosova ka përbërë gjithmonë një element kyç në marrëdhëniet shqiptaro-serbe?
Unë kam qenë dhe mbetem i vendosur për të pasur marrëdhënie sa më konstruktive dhe sa më të mira me të gjithë vendet e rajonit tonë dhe në këtë drejtim unë besoj se këto marrëdhënie do të ndihmonin edhe për një raport më konstruktiv midis Serbisë dhe Kosovës.
Serbia, po them unë, ka pasur një guxim të çuditshëm duke kërkuar hetime, të të ashtuquajturave "krime" të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndaj popullatës serbe. Madje, Shqipëria është përfshirë në këtë valë akuzash nga Serbia. A do të jetë kjo një temë e bisedimeve tuaja me autoritetet e Beogradit?
Nuk e besoj pasi ne jemi të bindur se kemi të bëjmë me akuza krejtësisht të pabaza dhe të pavend, ashtu sikurse Shqipëria ka qenë gjithmonë e hapur për të bashkëpunuar me komunitetin ndërkombëtar në çdo drejtim, i cili veçse verifikon edhe njëherë faktin që Shqipëria ka qenë dhe do të jetë një burim stabiliteti për të gjithë rajonin dhe jo një burim problemesh për të tjerët.
Zoti zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm! Ju keni pritur homologun tuaj nga shteti maqedonas, Antonio Milloshoski. Janë një sërë problemesh që shqetësojnë shqiptarët në territoret etnike të Shqipërisë Lindore, po them të Shqipërisë historike në këtë shtet, pra janë problematike. Kemi rastin e Gjykatës Kushtetuese të shtetit maqedonas që ka pezulluar përdorimin e simboleve kombëtare, një pikë që cenon Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, ndërkohë që ju keni kërkuar pikërisht zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Kemi çështjen që lidhet me gjuhën shqipe, që lidhet me gjuhën maqedonase në shkollat e niveleve të ulëta edhe atje ku ka vetëm banorë shqiptarë etnikë. Çfarë besoni se duhet të bëjë shteti maqedonas që të përmirësojë këto raporte?
Shqipëria beson fuqimisht se në radhë të parë është në vetë interesin e Maqedonisë forcimi i mirëbesimit midis dy komuniteteve kryesore atje, respektimi i të drejtave të komunitetit shqiptar, zbatimi sa më i shpejtë dhe efikas i Marrëveshjes së Ohrit, sepse dihet që jo vetëm rruga e stabilitetit të Maqedonisë, por edhe ajo e integrimit në Bashkimin Evropian kalon pikërisht përmes forcimit të këtyre raporteve dhe integrimit të suksesshëm të shqiptarëve në të gjithë institucionet e këtij vendi. Ndaj ne kemi theksuar edhe së fundmi se është shumë e rëndësishme që të mos merren vendime të njëanshme, por të ketë një dialog, një bashkëpunim, një transparencë të vazhdueshme ku të jenë të përfshirë jo vetëm aktorët politikë shqiptarë, por njëkohësisht të merren në konsideratë edhe shqetësimet e këtij komuniteti.
Zoti Meta, ne po bisedojmë gjatë këtë kohë për marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët. Unë do të doja diçka më të veçantë lidhur në marrëdhëniet Shqipërisë me Kosovën. Ku mendoni se këto marrëdhënie çalojnë?
Mendoj se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kosovën janë të gjithanshme. Nëse ka pasur diçka që i ka bërë marrëdhëniet jo aq të frytshme dhe rezultative sa dëshirojnë shqiptarët e të dy vendeve dhe qeverive tona ka qenë pikërisht largësia dhe infrastruktura e keqe. Dhe, unë besoj se së bashku me pranverën njëherë e mirë autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, e cila është e standardeve nga më të përparuarat në kontinent, absolutisht që do ti japë një ritëm të ri, një dimension të ri dhe do të sjellë rezultate të jashtëzakonshme në marrëdhëniet midis të dy vendeve. Por, unë besoj se në një të ardhme jo fort të largët kjo autostradë do të mbërrijë deri në Serbi dhe do të jetë një korridor i rëndësishëm rajonal, korridor paqeje, stabiliteti, zhvillimi dhe integrimi ekonomik.
Pyetja e fundit lidhet padyshim me Shqipërinë. Domosdo që nuk mund të lihet jashtë vëmendjes zhvillimi politik në Shqipëri për sa i përket Kosovës. Nuk po them vetëm për tryezën e presidentit Bamir Topi me dy partitë kryesore, por e kam fjalën në tërësi. Këto zhvillime a kanë ndikim në raportet me Kosovën?
Nuk kanë ndikime të drejtpërdrejta, por kuptohet që imazhi i një Shqipërie të qëndrueshme, absolutisht është shumë i rëndësishëm edhe për përparimin e Kosovës si shtet i ri dhe demokratik.

Ky lajm është publikuar: 15/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›